Sovraniteti absolut i shteteve, është një fiks ide irelevante për botën demokratike si dhe popujt modern të shekullit 21

Opinione

Sovraniteti absolut i shteteve, është një fiks ide irelevante për botën demokratike si dhe popujt modern të shekullit 21

Nga: Rexhep Elezaj Më: 21 shkurt 2024 Në ora: 14:18
Autori Rexhep Elezaj

Sovraniteti i shteteve është një çështje komplekse, e cila gjatë shekujve ka pësuar ndryshime në formë dhe përmbajtje, kryesisht për shkak të llojit të sistemeve juridike dhe politike në botë, në rend të parë, të sistemeve mbretërore dhe perandorake, ku sovraniteti i tyre dallonte në formë, por sidomos në përmbajtje, ku sundimi mbretërorë dhe ai imperatorial mbyste të drejtën e sovranit, të popullit, duke e mbivendos mbretërinë mbi shtetin përmes sistemeve autokratike dhe burzhoaziste.

Në fakt, sovrani i vërtetë, pra popujt e lirë, asnjëherë nuk kanë arritur të qeverisin me vetveten, ose të vijnë në pushtet, derisa nuk erdhi sistemit shumë partiak, kur popujt do e marrin pushtetin në dorë përmes zgjedhjeve të lira, ndryshim ky i cili ka ndodhur pas Revolucionit francez (1789/1799) si dhe rënies së monarkive në Evropë. Pra, deri në kohën e Revolucionit francez e tëra Evropa sundohej nga regjime kishtare, monarkike dhe autokratike, ku të drejtat e popujve sovran shtypeshin në mënyra bizare deri në marrëzi, siç ishin vrasjet dhe persekutimet për fjalën dhe mendimin e lirë të shprehur publikisht etj.

Mirëpo, kur bëhet fjalë sovranitetin shtetëror të vendeve të pavarura, këtu çështja ndryshon nga e drejta e sovranit për vetëvendosje dhe vetë menaxhim, siç e tregoi këtë qartë rasti i Gjermanisë pas mbarimit të LDB-re, kur asaj për shkak të regjimit nazist i cili kishte bërë krime ndaj 2 milion jevrejve, sovranitetin shtetëror të saj do e suspendojnë përkohësisht katër fuqitë e mëdha botërore, Aleatë të fitores së LDB-së, me vendimet e Konferencës së Londrës në shtator të vitit 1944, kur Gjermaninë do e ndajnë në katër zona të mbikëqyrjes direkte, nga amerikanët, anglezët, francezët dhe ruset (945 - 1949), akt i cili u legjitimua në Konferencën e Postdamit me 1945 nga presidenti amerikan, Harry S. Truman, ai rus, Josef Stalini, ai anglez, Winston S. Churcilli, vendim të cilin do e verifikoi dhe fus në zbatim kryeministri anglez i asaj kohe, Clement R. Attlee, ku u vendos edhe për masat që do ndërmerreshin ndaj Gjermanisë naziste, siç ishin demokratizimi, demilitarizimi, denazifikimi, dekartelizimi dhe decentralizimi i Gjermanisë.

Image
Ndarje në katër zona pushtuese e Gjermanisë pas LDB

Pastaj, me formimin e Aleancës veri-atlantike të NATO-s në vitin 1949, si dhe të Paktit të Varshavës me 1955, meqë rast të gjitha vendet anëtare të këtyre dy blloqeve ushtarake, pjesë të sovranitetit të tyre shtetëror do e bartin me vetë dëshirë nën ombrellën dhe komandën e dy shtabeve përkatëse ushtarake, kur nominalisht dhe praktikisht vjen deri tek zvogëlimi i sovranitetit të këtyre vendeve anëtare, gjë të cilën e kanë treguar dhjetëra raste, siç ndodhi me shtetet anëtare të Paktit të Varshavës, sovraniteti i të cilave u shkelë brutalisht nga ana e Kremlinit zyrtar në vitin 1968, kur ushtria ruse do zbarkoi në Pragë të Çekosllovakisë, duke e vënë këtë shtet nën sundim të plotë të regjimit komunist të Rusisë.

Po ashtu, ka ndodhur edhe me NATO-n, gjegjësisht SHBA-të, të cilat sot e kësaj dite vazhdojnë ta mbajnë Gjermaninë nën mbikëqyrjen e tyre, duke e cunguar sovranitetin e saj shtetëror, sidomos në fushën e sigurisë dhe asaj ushtarake në Evropë.

Me një fjalë, sot e gjithë ditën, qëndron fakti historik dhe politik, se ka shumë pak vende në botë të cilat ushtrojnë sovranitet të plotë brenda shtetit të tyre vetanak, ngase mundësitë që vendet e vogla të vetë-mbrohen me forcat e tyre nga ndonjë sulm i jashtëm ushtarak, i kanë shumë të vogla, kjo situatë tek vendet me kapacitete të kufizuara ushtarake dhe ekonomike, ka sjellë pa dyshim deri tek varësia e tyre nacionale nga përkrahja dhe ndihmat ushtarake dhe ekonomike të fuqive të mëdha botërore.

Dhe, këtë varësi e dëshmon më së miri rasti i fundit me Kosovën, e cila në mungesë të aftësive ushtarake, ekonomike dhe financiare për t’u çliruar me forcat e veta nga robëria dhe apart-hejdi i Serbisë fashiste, ajo detyrohet të kërkojë ndihmë konkrete të NATO-s, gjegjësisht SHBA-të, që të çlirohet dhe më pas edhe të bëhet shtet i pavarur, kuptohet gjithnjë me sovranitet të kufizuar shtetëror, derisa ajo të jetë nën protektoratin ndërkombëtar.

Prandaj, çdo solucion dhe ide tjetër për sovranizëm absolut të Kosovës jashtë kornizave të vendosura nga KS i OKB-së (Rez. 1244) do jetë i dështuar dhe shumë i dëmshëm për shtet-ndërtimin përfundimtar të Kosovës, si çdo shtet sovran dhe i pavarur, anëtar i OKB-së dhe gjithë organizmave tjerë ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat