Pyetja, se pse po armatoset Serbia, opinioni shqiptar duhet ta dinë përgjigjen e saktë!

Opinione

Pyetja, se pse po armatoset Serbia, opinioni shqiptar duhet ta dinë përgjigjen e saktë!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 29 shkurt 2024 Në ora: 13:28
Autori Rexhep Elezaj

Posaçërisht muajve të fundit është vërejtur qartë, se mediet në Kosovë dhe Shqipëri i kanë dhënë hapësirë të jashtëzakonshme shkrimeve, komenteve dhe analizave për mundësinë që Kosova mund të sulmohet ushtarakisht nga Serbia, dhe se lufta në Kosovë vetëm sa nuk ka filluar, duke marrë për bazë informata nga medie të huaja, si dhe duke u bazuar në zhvendosjen e ushtrisë së Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën, mbase e gjithë kjo si “argument”, se Kosova mund të sulmohet prapë në veri të saj nga grupe paramilitare dhe ushtria e rregullt e Serbisë.

Se, sa kanë qenë reale dhe të bazuara këto paralajmërime, është çështje të cilën më së miri e ka ditur dhe e dinë komanda e KFOR-it në Kosovë si dhe NATO në Bruksel, të cilët, mundësinë e sulmeve ushtarake të Serbisë në Kosovë asnjëherë nuk e kanë përjashtuar, siç e tregon këtë rritja e numrit të ushtarëve të huaj në Kosovë, por që asnjëherë KFOR-i nuk e ka pohuar një mundësi të tillë, ngase kanë qenë të vetëdijshëm, se Serbia pa lejen dhe marrëveshjen me Rusinë nuk mund të ndërmarr asnjë sulm ndaj Kosovës, sulm i cili në fakt do ishte hyrje e Serbisë në luftë direkte me NATO-n. Vendim ky të cilin nuk ka guxuar ta merr as Serbia dhe as Rusia, prandaj, nisur nga ky fakt, alarmi i ndezur në mediet shqiptare, se Kosova në çdo çast mund të sulmohet nga ushtria e Serbisë, ka qenë i ekzagjeruar si dhe në funksion të politikës populliste të partisë në pushtet.

Dhe, ajo që duket shumë e çuditshme tek udhëheqësit politik shqiptar në Prishtinë, është se si ata nuk duan ta njoftojnë opinionin, ose nuk e dinë fare, se të gjitha vendimet me peshë nacionale në Serbi, merren ekskluzivisht në dy qendra të vendosjes, në Akademinë e shkencave serbe (SANU) si dhe brenda selisë së Kishës ortodokse serbe në Beograd, dhe se organet shtetërore të saj, nuk janë asgjë tjetër përveç se zbatues efikas të atyre vendimeve, qoftë ai presidenti dhe qeveria, qoftë policia, BIA apo gjykatat. Dhe, këtë fakt e dinë gjithë ata që e njohin politikën dhe taktikën e Planeve hegjemoniste të Serbisë në Ballkan, që nga Mesjeta e deri në ditët e sotme.

Pra, deklaratat e tipit, se “Serbia po bëhet gati për luftë me Kosovën, pse ajo po armatoset, pse nuk po i vënë sanksione Rusisë, pse po e shantazhon çdo ditë Kosovën me luftë, etj etj, që të gjitha këto pyetje kanë vetëm një përgjigje, sepse elita intelektuale e Serbisë, çështjen e “rikthimit” të Kosovës nën tutelën e saj e ka shtyrë për kohë të pacaktuar, dhe se armatosjen nuk po e bën që tani ta pushtojë Kosovën, veçse këtë armatim enorm ta përdorë në momentin kur nga Kosova të largohet NATO dhe Amerika, qoftë edhe nëse kjo periudhë do zgjas me dekada dhe vite, sepse atyre (çetnikëve fashist serbë) nuk i bëhet kurrë vonë për ta ripushtuar Kosovën, dhe këtë e ka thënë qartë ish patriarku çetnik serb, Artemije në vitin 2007; “Më e mirë për Serbinë është pranimi i pavarësisë së imponuar të Kosovës, se sa ndarja e saj, sepse çdo gjë që është e imponuar është e përkohshme, afatshkurtër si çdo okupim tjetër, i cili zgjatë një kohë dhe ndërpritet, ngase asnjë okupim nuk ka qenë i përjetshëm, meqë ai nuk është zgjidhje e qëndrueshme. Pra nëse heqim dorë nga një pjesë e madhe e Kosovës në këtë rast, atëherë ai vendim bëhet i përjetshëm“..!?

Pra, elitat politike dhe intelektuale serbe, njëjtë kanë vepruar me S. Millosheviçin në vitet e 90-ta, dhe njëjtë po e përdorin sot edhe A. Vuçiqin, si një ekzekutor i mirë i planimetrisë hegjemone serbe në Ballkan, e cila, nuk do ndryshojë kurrë në esencën dhe synimin e saj kriminal për ta formuar në dëm të popujve tjerë, atë që quhet Serbia e madhe, ose Bota serbe, siç tentuan ta bënin në vitin 1991 – 99..!?

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat