BRICS-i kundër Perëndimit!?

Opinione

BRICS-i kundër Perëndimit!?

Nga: Mersel Bilalli Më: 29 shkurt 2024 Në ora: 15:26
Autori Marsel Bilalli

Organizatën ekonomike ndërkombëtare - BRICS, e përbëjnë Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, kurse nga fillimi i këtij viti edhe Argjentina, Egjipti, Etiopia, Arabia Saudite, Irani dhe Emiratet e Bashkuara. BRICS aktualisht prodhon rreth 1/3 e GDP-së botërore dhe përfaqëson 40% të popullsisë së botës. Mirëpo, politikat ekonomike, financiare të secilit vendi anëtar këtu janë tërësisht sovranitet i shtetit anëtar. Ndryshe nga organizata të tjera, mbiqeveritare, siç është Bashkimi Evropian, kjo është shumë pas tyre. Kur u themelua “New Development BANK” me seli në Shangaj, si “konkurrensë” e FMN-së dhe Bankës Botërore, kjo bankë dispononte me kapital prej afro 100 miliardë dollarësh, që është 7.000 herë më pak se kapitali që kanë FMN dhe Banka Botërore (77.000 miliardë dollarësh).

Kjo organizatë, as që mund të krahasohet me Bashkimin Europian, i cili tanimë ka ndërtuar një politikë dhe legjislacion të unifikuar mes 27 shtetesh dhe një filozofi zhvillimi të përbashkët. Pra, ndryshe nga vendet e BE-së që kanë hequr dorë nga një pjesë të sovranitetit të tyre duke ia kaluar Brukselit, vendet e BRICS-it veprojnë në mënyrë të pavarur, duke mos u kushtëzuar nga anëtarësimi i tyre. Pra, në dimensionit politik, BRICS akoma është larg një konvergjence të thellë politike. Madje kemi raste paradoksale kur psh. India është njëkohësisht edhe anëtare e BRICS, por edhe e QUAD (Quandilateral Security Dialogue) që është një platformë dialogu strategjik i sigurisë midis Australisë, Indisë, Japonisë dhe SHBA (e cila është lider i NATO). Pra, India nga njëra anë është në BRICS, por nga ana tjetër cenon interesat e Kinës, aleates kryesore në këtë organizëm nëpërmjet pjesëmarrjes në QUAD. Gjithashtu po India është në të njëjtën kohë edhe anëtare e “The Shanghai Cooperation Organisation” (SCO), që në fakt është një kundërpërgjigje e QUAD-it.

Të gjithë këto elemente tregojnë se BRICS ka akoma shumë rrugë të vështirë përpara për t’u evidentuar si një organizatë ndërkombëtare me një profil të qartë. Zgjedhjet e vitit të kaluar në Argjentinë dhe deklaratat në fushatën zgjedhore të presidentit të ri kanë vënë në pikëpyetje qëndrimin në këtë grupim, duke iu kthyer “dashurisë së vjetër” me botën e zhvilluar perëndimore dhe FMN.

BRICS – PA IDENTITET

Duhet pranuar se BRICS, ende nuk disponon as me strukturë institucionale, e as me angazhimi politik të nevojshëm për të imponuar politikëbërje të përbashkët në sektorë të caktuar apo rregulla të mirëpërcaktuara për të gjithë anëtarët e saj. Pra, nuk është një organizatë e mirëfilltë ekonomike, sepse nuk ka një statut themelimi dhe rregulla të përbashkëta veprimi ekonomik. Nuk është as një organizate unike ushtarake, sepse nuk ka një traktat si ajo e NATO-s dhe shumica e marrëdhënieve ndërtohen mbi marrëveshje dypalëshe ose disapalëshe me aleanca të brishta shpesh të kundërvëna (Kina dhe India). Lind pyetja çfarë është në fakt BRICS dhe cila është e ardhmja e saj? Le të shohim pak nga afër ecurinë e vendeve anëtare të BRICS-it në aspektin ekonomik, ashtu dhe atë politik. Analizat ekonomike të vendeve të BRICS-it duhet t’i fillojmë nga kriza finansiare botërore e vitit 2009.

Vendet e BRICS janë vende autokratike me organizim shtetëror të ekonomisë. Duket se autokracia në kushte të kombinuar me ekonominë e tregut jep rezultate interesante ekonomike, por gjithmonë këto rezultate janë të përkohshme. Fazat fillestare të sundimit autokratik garantojnë një zhvillim ekonomik, por më vonë sistemi gërryet nga korrupsioni dhe paaftësia për të prodhuar në kushtet e konkurrencës së lirë. Të gjitha këto sisteme ranë më parë nga pasojat ekonomike dhe pastaj nga ato politike, që vetë tregu politik ofroi.

Në aspektin e GDP-së vendet e BRICS-it japin 1/3 e prodhimit botëror, por të mos harrojmë se të ardhurat për krye banori të këtyre vendeve janë shumë herë më të dobëta se ato të vendeve perëndimore. Kina dhe India bashkarisht kanë 3 miliard banor, andaj të ardhurat për krye banori në SHBA janë 10 herë më të larta se ato të Kinës. Poashtu, Kina prej vitesh ka një plakje të popullsisë dhe kostoja e këtij fenomeni shumë shpejt do të jetë pengesë për zhvillim, ndërsa India në të kundërt ka një rritje të popullsisë së re që është gjithmonë më afër teknologjive të reja dhe inovacionit. Kjo bën që ritmet e rritjes së Indisë të parashikohen më të shpejta se ato të Kinës, që mund të rrisë konkurrencën midis tyre dhe të hapë një garë të re lufte ekonomike mes tyre.

Realisht, India dhe Kina që mbështeten në eksporte të produkteve të lira pothuajse nuk e ndjenë krizën, sepse në momente krize të gjithë blejnë gjërat e lira dhe që të dyja vendet arritën t’i risin eksportet që nga kriza e vitit 2008, duke realizuar një rritjeje të GDP-së jo më të vogël se 4%. (here herë edhe me 9%). Në këso kushtesh vendet e G7 investonin kapitalet e tyre në Kinë dhe Indi. Kjo gjë nuk ndodhi në tri vendet e tjera të BRICS-it sepse te ata kriza ishte më e ndjeshme, pushteti politik më i korruptuar dhe përgatitja teknologjike e prapambetur. Oligarkët rusë filluan të investonin në Perëndim, ndërsa ata brazilianë në vendet e tjera të Amerikës Jugore.

Realisht këto ndryshime ekonomike filluan të pasqyrohen edhe në ndryshimet sociale. Kështu, shtresa e mesme në Indi para krizës së 2008-ës ishte rreth 1%, ndërsa në Kinë 3%, pra në shifra shumë të ulëta. Por, pas vitit 2015 në të dyja vendet, kjo shtresë u ngrit në Indi dhe Kinë rreth 15%. Kjo, sepse edhe India, edhe Kina i dhanë më shumë rëndësi inovacionit dhe teknologjisë. Pas vitit 2015, shfaqet përsëri kriza e lëndëve të para dhe përsëri Rusia dhe Brazili hynë në krizë, ndërsa Afrika e Jugut ruan ritmin pozitiv të zhvillimit. Sot, Kina dhe India prodhojnë 81,1% të GDP-së së vendeve të BRICS-it.

Duke analizuar dallimet dhe perspektivat e këtyre dy grupeve, mund të shohim nga afër ndikimin që ka lufta Rusi-Ukrainë në zhvillimet brenda BRICS-it. Nëse shohim deklaratat zyrtare të krerëve të Kinës, Indisë dhe vendeve të tjera të këtij forumi, vëmë re se ato flasin me tone të ulëta për “operacionin special rus” dhe mundohen të luajnë rolin e ndërmjetësit me SHBA dhe BE. Veprime kontradiktore shifent edhe në votimet e OKB-së, por ky qëndrim ka një kosto të ndjeshme për Rusinë, që lëndët e para që eksporton në këto vende kanë lëshim shumë të mëdha çmimesh. Vërtet embargoja perëndimore ndaj Rusisë nuk dha efekte të menjëhershme, por shumë pak ekspertë mendojnë se afatgjatë, kjo nuk do të ketë pasoja negative për ekonominë ruse. Vërtet shumë vende kandidate për anëtarësim në BRICS po marrin çmime preferenciale nga lëndët e para të Rusisë, por pesha politike e tyre në arenën ndërkombëtare është e papërfillshme. Kjo mund të thuhet për Iranin dhe disa vende të tjera Afrikane.

Në këtë aspekt brenda vendeve të BRICS-it po kristalizohen dy grupe të vendeve me dy shpejtësi zhvillimi. Grupi i parë, i udhëhequr nga India dhe Kina, që karakterizohet nga ritme zhvillimi mbi 4% dhe, grupi i dyte, vende në kriza zhvillimi afatshkurtër dhe afatgjatë. Teoria e “dy shpejtësive e përhapur në BE” në fakt, po ndodh shumë më tepër brenda BRICS-it.

Kriza e luftës në Gaza duket se po forcon disi politikisht BRICS-in në aspektin e këmbimeve ushtarake dhe informacioneve politike. Megjithatë, të gjithë specialistët mendojnë se uniteti ushtarak i BRICS-it është shumë larg strukturës së NATO-s dhe se këtu flitet më shumë për mbështetjet politike se sa ushtarake. Si përfundim, shumë ekspertë gjykojnë se BRICS-i nuk mund të ndryshojë rendin botëror, pavarësisht se Kina në vitin 2050 parashikohet të jetë prodhuesi kryesor i GDP-së botërore.

Pavarësisht të gjithë faktorëve që analizuam më lart, mund të themi që fenomeni i BRICS-it mbetet një ngjarje për t’u analizuar në vazhdimësi dhe më analitikisht, sepse kjo mund të sjellë forca të reja ekonomike dhe ushtarake në skenën botërore. Ndërkohë të gjithë janë të mendimit, që roli i dollarit amerikan dhe për shumë e shumë vite do të jetë monedha qendrore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat