Samiti i Tiranës, sipas kërkesave të Vuçiqit

Opinione

Samiti i Tiranës, sipas kërkesave të Vuçiqit

Nga: Skender Musliu Më: 29 shkurt 2024 Në ora: 20:42
Autori Skender Musliu

Dje, me 28 Shkurt 2024, në Tiranë u mbajt Samiti i Europës Juglindore kushtuar Ukrainës, kurse sot mbahet Samiti i BE-së dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, po ashtu në Tiranë.

Duke mos dashur ta komentoj Samitin, i cili përmbushi pritshmërinë, me këtë rast do të doja të fokusohem vetëm në ndikimin dhe kushtëzimet e Vuçiqit në protokollin dhe deklaratën e përbashkët, dhe nënshtrimin e Edi Ramës karshi kërkesave të Vuçiqit, që ka lanë një shije të hidhur politike dhe diplomatike të Samitit.

Së pari, në sallën e Pallatit të Kongreseve, me kërkesë të Vuçiqit, nuk u vendosën flamujt e shteteve pjesëmarrëse, sepse Vuçiqit do t’i pengonte flamuri i Kosovës si shtet sovran.

Së dyti, në tekstin final të deklaratës së përbashkët, me kërkesë të Vuçiqit, janë larguar emrat e shteteve pjesëmarrëse, që u zëvendësuan me fjalët « gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor» duke listuar emrat dhe mbiemrat e kryetarëve dhe kryeministrave pjesëmarrës, me qëllim që Kosova mos të figurojë si shtet, sepse kjo e pengonte Vuçiqin.

Së treti, me insistimin e Vuçiqit, nga deklarata e përbashkët është larguar teksti ku përmendeshin sanksionet kundër Rusisë dhe ndikimi malinj rus në Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu në këtë Samit, nuk mori pjesë kryeministri i Greqisë, Micotakis, për shkak tensioneve mes Ramës dhe Micotakisit lidhur me rastin Beleri, i cili në zgjedhjet e fundit fitoi votat për krye bashkiak të Himarës, mirëpo mbase ai është në paraburgim, nuk i lejohet t’a jep betimin.

Si rrjedhojë e kësaj, faktikisht përveç SHBA-ve dhe BE-së që përkëdhelin dhe tolerojnë Vuçiqin, fatkeqësisht Edi Rama, jo vetëm që po e përgëdhel, por edhe i nënshtrohet duke mos dashur ta prishë miqësinë me Vuçiqin, në dëm të Kosovës.

Nuk është hera e parë që Edi Rama punon dhe vepron kundër interesave të Kosovës, sidomos nga ardhja e kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani në pushtet, sepse pothuajse në çdo mbledhje dhe konferencë ndërkombëtare, Edi Rama vazhdimisht përkrahë kritikat e ndërkombëtarëve ndaj Kurtit duke i dalur në krah Vuçiqit. Mos të harrojmë se Edi Rama ishte i pari që i vendosi sanksione Kosovës, kur e anuloi mbledhjen e përbashkët të dy Qeverive që duhej të mbahej në Gjakovë edhe pse të gjitha përgatitjet kishin përfunduar.

Supozoj se me këto veprime, Edi Rama i vërdiset ndërkombëtarë, duke u treguar, kinse si « neutral dhe i matur » ndaj çështjes së Kosovës, me të vetmin qëllim, se ndoshta në të ardhmen do të fitojë ndonjë post të lartë politik në institucionet evropiane.

Mirëpo, dëshiroj të përmendi se shërbimet inteligjente të shteteve të QUINT-it, dhe jo vetëm, në Shqipëri, i kanë të gjitha informacionet e aktiviteteve të Edi Ramës, ndër të tjerat, siç kanë shkruar disa gazeta të njohura, se ai është politikani më i korruptuar i lidhur me krimin e organizuar, kështu që karriera politike e tij në arenën ndërkombëtare nuk është reale.

Është fatkeqësi e madhe që Shqipëria, në momentet më kritike dhe më të rëndësishme të shtet ndërtimit të Kosovës, ka pasur një kryeministër anti-Kosovës.

Sot në Tiranë, po mbahet Samiti i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe ngelë të shihen kërkesat tjera eventuale të Vuçiqit për të ndërhy në protokollin e Samitit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat