Kosova nën ethe nga veprimet e dyshimta të Haradinajt

Opinione

Kosova nën ethe nga veprimet e dyshimta të Haradinajt

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 3 mars 2024 Në ora: 10:04
Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, ka shtuar dozën e retorikës me akuzat dyshuese për sjelljet e Albin Kurtit, "në shërbim të Serbisë dhe të Rusisë!" Ka përmendur një veturë, një vajzë, një batanije. Por, deri me sot asgjë e faktuar.

Dhe, kjo konsiderohet si një shpifje, në luftën rivale pushtetare. Ka vazhduar akuzat për hezitimet, më saktë, kundërshtimet e Kurtit, për t`i aprovuar e ligjësuar marrëveshjet e dëmshme, deri në tradhti, të nënshkruara nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa. Megjithatë, Albini ka mbështetjen e LVV dhe të shumicës absolute të shqiptarëve.

Haradinaj fitoi simpati, kur ngulmoi në refuzimin e Demarkacionit. Madje u përball me një gjeodet pakurrizor të Hashimit, duke e fyer panatyrshëm atë. Ndonëse ishte në kahjen e drejtë, njerëzit e justifikuan.

Papritmas Ramushi ndryshoi mendje. Ndoca prokurorë amerikanë zbritën në Kosovë. Cak i hetimit ishte Hashim Thaçi me komandantët e tij, për ca "të bëma", gjatë dhe pas luftës, ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë. Si mjeshtër i intrigimeve, Hashimi, duke qenë edhe i shantazhuari i parë me dosje të prgjakshme, i manipuloi edhe komandantët e tij, nga LPK, me bazë ideologjike enveriste-staliniste. Në mesin e tyre ishte edhe Ramush Haradinaj, i cili ndryshoi mendje, u pajtua për votimin në Parlament të Demarkimit të kufirit, duke i falur Malit të Zi 8.200 hektarë tokë.

Si zbutje e amortizim të kësaj humbje të dhimbshme, Haradinaj mashtroi me krijimin e një komisioni, kinse, dialogues, verifikues e ndryshues të vendimit. Shkak ishte mbamendja e trashëguar dhe shfrytëzimi ndër shekuj nga banorët e trevës të Rugovës dhe të fshatrave rrenzë, poshtë Zhlebit. Realisht, asgjë nuk arriti të ndryshojë dhe Qeveria e Malit të Zi, e deklaroi të mbyllur çështjen e Demarkimit të kufirit në mes të dy shteteve fqinjë.

Tandemi Hashim Thaçi-Edita Tahiri mashrtonin popullin e Kosovës se "po bëjmë vetëm dialog për çështje teknike. Por, rezultoi se ishte tërësisht politik, duke bërë marrëveshjen e Asociacionit me kompetenca ekzekutive, respektivisht, "Zajednicën", të tipit "Republika Srpska" të Bosnjes. Hashimi duke qenë i shantazhuar nga Serbia dhe i kontrolluar nga agjenti freng, Arnaud Danjean, shef i Shërbimit sekret të DGSE, i mbështetur nga komandantët qendrorë e lokalë të tij, këmbente poste të ndryshme, për të siguruar vota të deputetëve, për ratifikimin e marrëveshjeve fatale për Kosovën.

Isa Mustafa i katapultuar nga Hashim Thaçi dhe SHIK-u i tij, në krye të LDK-së, pa e përfillur elektoratin, anëtarësinë, Këshillin e Përgjithshëm, grupin parlamentar, madje as Kryesinë e partisë, vetëm me klanin e tij, rrethin vicioz brenda Kryesisë, bëri tri kime radhazi, duke abuzuar votën e deputetëve, besimin e elektoratit të LDK-së, me votimin aklamativ në grup:

1) Demarkacionin me Malin e Zi;

2) Asociacionin e komunave me shumicë serbe;

3) Zgjedhjen e Hashimit president, edhe pse Presidenti Rugova kishte porositur "të mos lejohet ngritja e Hashimin në poste të larta, sepse është i rrezikshëm për Kosovën!"

Në vitin 1997, presidenti kriminel serb, Sllobodan Millosheviq, arbitrarisht, ia dhuroi 24 hektarë tokë-park publike, shtetëroret të Kosovës, Manastirit të Deçanit. Më 2016, me porosinë-imponuese të Hashim Thaçit, Kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me kryetare Arta Rama-Hajrizi, ia barti në pronësi kishës, duke e aprovuar dhe ligjësuar vendimin kriminal të Millosheviqit.

Të zellshëm dhe pa fije sensit të mases, në zbatimin e vendimit të kryekriminelit Millosheviq ngulmojnë edhe emisari Escobar, ambasadori gjerman Röhde, shefi i OSBE Michael Devenport dhe kolegë të tyre nga BE-ja, pavarësisht se ai ka përgjakur Kosovë e Ballkan! Dhe, kjo është njësoj sikur t`i kërkohet Evropës dhe botës, të aprovojnë planet pushtuese të Hitlerit të Luftës së Dytë Botërore!

Bartja e pronësisë nga poseduesi dhe kadastrimi një tjetri, përdhunshëm, është kompetencë e pushtetit komunal. Ndërhyrja nuk i lejohet Prokurorisë dhe as Qeverisë. As Gjykata Ndërkombëtare nuk e obligon, sepse Kosova nuk është anëtare e saj. Të drejtën ekskluzive të bartjes të kadastrimit, nga një pronar tek tjetri, e ka autoriteti komunal.

Andaj, Kosova është në ethe, dyshon në ndërhyrjen e Ramushit tek komunarët, për ta bartur kadastrimin e 24 hektarëve në pronësi të Manastirit të Deçanit, pra, zbatimin e vendimit të Mollosheviqit, të vitit 1997. Sepse ka dhënë një provë të mashtrimit të madh: "Për të gjallë nuk e jap Qafën e Çakorrit dhe Kullën e Zhlebit". Por, ai dhe partia e tij nuk e mbajtën premtimin e dhënë publikisht. Dhe, abuzoi me besimin e shqiptarëve! 

Doajeni i gazetarisë kosovare, Bajrush Morina, i cili po i mungon Kosovës, qoftë me shkrime, qoftë me analizën e tij të pjekur e profesionale, duke përcjellur pazaret e pista të tandemit Thaçi-Edita, një dekadë më parë, pati shkruar: "Plaka Editë sa herë kthehet nga Brukseli, nga një gjëmë ia sjell Kosovës".

Ramush Haradinaj dhe opozita tjetër i pati premtuar Qeverisë dhe Kurtit, se do të jenë të bashkuar, në përballjen me kërkesat alogjike e absurde të Serbisë, për pretendimet e saj, për të qenë hisedare në Kosovë. Por, mashtroi. Nga Amerika, afro tre vjet më parë, akuzoi Albinin për kryeneqësi e mosbindje, për të bërë kompromise me Serbinë, qofshin ato edhe të dhimbshme! 

Njëjtë veproi edhe Avdullah Hoti, i cili, nga selia e "Zërit të Amerikës" mori zotime se "ne, opozita e bëjmë Asociacionin edhe pa Kurtin dhe Qeverinë e tij!" Kjo trimëroi Serbinë dhe ndërkombëtarët - njëherësh, për ta sulmuar dhe linçuar kreun e Vetëvendosjes. Ndërkohë që Vuçiqi u kërcënua, më 15 gusht 2020, për cenim të tokës të Manastirit, Hoti, më 16 gusht 2020, urdhëroi hapjen e "bypass", anashkalimin e rrugës ekzistuese, shekullore. Dhe, bulldozherët hapën rrugën, të cilën e diktoi Vuçiq, duke treguar në letër një vizatim rrugor të Hashimit, prapa 24 hektarëve të Manastirit!

Domëthënëse është se në lutjet tradicionale amerikane, ishin të ftuar, pikërisht, Haradinaj dhe Hoti. U kthyen me sulme provokative e, ndoshta, edhe shpifëse. Ramushi e pranoi Draft-statusin franko-gjerman, ashtu siç është dhe i bëri thirrje Kurtit ta aprovojë. Dhe, kjo na kujton atë gjëmën e Editës, të cilën e përmend Bajrushi ynë.

Është krijuar opinion i bazuar se Ramush Haradinaj po e mbanë  peng Kosovën: 

1) Më 2019 ishin 46.300 veteranë, të vërtetë dhe të rrejshëm. Ky numër pas 8 vitesh ka arritur në 53.500. Prej tyre, sipas statistikave të komandantëve të përgjegjshëm, të paktën, 40.000 janë "veteranë" të rrejshëm. Edhe pse Elez Blakaj i seleksionoi 19.500 të rrejshëm, Haradinaj, atëherë kryeministër, i ktheu përsëri në listat e veteranëve. Ishin tri kategori, Ramushi i barazoi të gjithë në trajtim, pagesë!

Sipas Gjeneral Spiro Butka, kryetar i Shoqatës të OVL të UÇK-së, për Shqipëri, thotë se ka dorëzuar listën emërore, komplete të 186 luftëtarëve pjesëmarrës nga Shqipëria, në Luftën e Kosovës, përfshi edhe bartësit e armëve. Por, tani, janë 3.000 që marrin pensionin e veteranit! Dhe, ky numër vazhdon të rritet. Ai përmend emra komandantësh matrapazë, shitës të "dëshmive të veteranit", nga udhëheqja e OVL të UÇK-së (të Kosovës) dhe bizneset e tyre nga Kukësi, Tropoja deri në Tiranë.

Kolonel Dilaver Goxhaj, jep shifrën prej 129 luftëtarësh, duke shënuar emër e mbiemër, fshatin apo qytetin në Shqipëri dhe zonën dhe njësinë ushtarake në Kosovë.

Kurse oficerët nga Shqipëria, pjesëmarrës në luftën e Kosovës, fillim e mbarim, i pranojnë të mundshme shifrat e kolegëve, por këto janë regjistrime fillestare. Ndërsa shumë syrësh janë larguar shpejt dhe pa shprazë asnjë plumb. Realisht, numri u luftëtarëve nga Shqipëria ka qenë sombolik,- rrëfejnë ata, si dëshmitar okular, faktik.

Pra, abuzimi është shumë milionësh, është hajnia më e madhe zyrtare, është turpi më i madh i të gjithë atyre shitës-blerësve të "Dëshmive të veteranit", i të gjitha qeverive dhe të qytetarëve të Kosovës, të cilët e heshtin këtë makro-hajni!

Por, i akuzuari i parë është Ramushi, i cili e ka favorizuar shumëzimin e veteranëve të rrejshëm dhe e ka penguar seleksionimin, spastrimin e listave nga dëshmitarët e rremë. Pra, edhe këtu Ramushi mashtron.

Komisioni Verifikues në gjykim, ka fajësinë e madhe, sepse i ka bërë shqiptarët mercenarë. "Kush i ka dhënë ushtarit një gotë ujë, është veteranë", - thotë kryetari i këtij Komisioni, Gjeneral Agim Çeku. Mbrojtja e Atdheut nuk është as honorar dhe as sakrificë. Por, është detyrë, obligim. Gjyqet për veteranët e rrejshëm, janë marrëzi. Renditja emërore alfabetike në nivel Kosove, është e qëllimshme, fshehje e gjurmëve të falsifikimit. Listat duhet të jenë për çdo lagje, për çdo fshat, komunë. Luftëtarët e lirisë i njeh lagja, fshati, komuna. Shteti ka strukturën, Shërbimin e Informativ, gjithçka hetohet e mësohet gratis, sepse shteti paguan jo pak për këto struktura.

Shkurt e trup, "komandantët" falsifikatorë vazhdojnë ta pengojnë spastrimin e listave. 

2) Ramush Haradinaj ka bërë mashtrimin e madh kur thotë për 200 hektarët tokë shtetërore, "janë të babës tim?!" Reforma agrare është bërë me themelimin e Mbretërisë serbo-kroate-sllovene, më 1918. Ndërsa komunizmi ka filluar konfiskimin e tokave, pas Luftës së Dytë Botërore, kryesisht, familjeve të deklasuara nacionaliste, më së shumti deri në 12 hektarë. E mbaj mend goditjen familjare në vitet `50-a, konfiskimin e tokës dhe burgosjet, të filluara në vitin 1945, deri në vitin 1992!

Babai i Ramushit nuk ka qenë as i pasur dhe as i politikës. Do të ishte në nderin e Ramushit dhe të gjithë të tjerëve, që përfituan privatizime enorme, të japin shembullin personal dhe gruporë, duke ia dorëzuar shtetit të Kosovës, përkatësisht, - Fondit Sovran -. Pavarësisht se si janë privatizuar këto toka, shteti obligohet të kompensojë, kthejë paratë dhe investimet e bëra në këto toka. Këto toka do të administroheshin nga Ministria e Drejtësisë, respektivisht, Drejtoria e Burgjeve, duke lehtësuar shpenzimet për të burgosurit. Në njërin nga librat e tij, Balzaku thotë: " Burgu është sintezë e të gjitha poshtërsive". Kjo nuk vlen për të burgosurit politikë.

3) Vettingu vazhdon të pengohet nga partitë e koalicionuara në PAN. Në vend që t`i kërkojnë ndjesë popullit të Kosovës, për rrënimin, me fund, të Sistemit të Drejtësisë, PAN-i vazhdon ta pengojë Vettingun. Kjo dëshmon se diçka fshehin "komandantët". Pjesë e kësaj fajësie është edhe Ramush Haradinaj, në mos për asgjë tjetër, për heshtjen hiç fisnike. Borxhi i parë ndaj dëshmorëve të Atdheut, është ndërtimi i shtetit ligjor, luftim i i krimit dhe korrupsionit, më saktë, hajnisë zyrtare.

4) Parlamenti i Kosovës, respektivisht, deputetet e zgjedhur, duhet të bashkohen për çështje kruciale, shtetërore. Edhe pse shumë i vonuar, Parlamenti i Kosovës duhet t`i shpallë jo valide vendimet e Sllobodan Millosheviqit, ashtu siç thotë edhe OKB-ja "nga viti 1990-1999", madje i dublon, duke i quajtur "nul-zero". Pra, kur OKB-ja e thotë këtë, atëherë pse Parlamenti i Kosovës i heshtë, madje, janë shtuar zëra, sidomos nga kuadro të PAN-it, se duhet zbatuar vendimi i vitit 1997 i Millosheviqit, për t`ia dhënë 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, përfshi edhe mbylljen e rrugës klasike, "prej se ka bi lisi", - siç thotë populli. Aq më keq se ajo po bëhet rrugë rajonale, që lidhë tre shtetet fqinjë: Kosovë-Mali i Zi-Shqipëri.

 

     5) Po ashtu duhet të shpallën jo valide të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga Hashim Thaçi, pasi, tashmë, dihet se ai ishte rekrutuar nga Shërbimi Informativ francez, natyrisht, për interesa të Serbisë, sepse rekrutuesi, agjenti Arnaud Danjean, ishte dhëndër i Serbisë.

 6) Kushtetuta e Kosovës e ndalon Asociacionin njëetnik, sepse Kosova, sipas Kushtetutës, është multietnike. Dhe, për këtë këmbëngulës kanë qenë ndërkombëtarët. Kjo mjafton për t`i stopuar SHBA dhe BE, që të heqin dorë nga kjo kërkesë joligjore, madje shumë provokative, duke e ditur, paraprakisht, qëllimet e errëta e kriminale të Serbisë.

Fundja, lë të bëhet një Asociacion i komunave me shumicë të minoriteteve, përfshi edhe Mamushën, me dominim të komunitetit turk dhe Dragashin, me komunitetin e përzier boshnjako-goranë. Dhe, Draft-statuti është i gatshëm, njësoj si Asociacioni i komunave me shumicë shqiptare, me të vetmin ndryshim: Asociacioni nr. 2, i komunave me shumicë të minoriteteve në Kosovë. Lë të këtë monitorim nga OSBE, si organizatë vëzhguese e përhershme në Kosovë.

Për fund, përdorimi pa kriter i shprehjes bajate "Albini është - mashtrues -", nga Ramushi dhe opozita e çoroditur PAN-iste, është bumerang për vetë ata. Albini ka premtuar, por nuk ka realizuar një duzinë çerdhesh dhe ndoca pallate për çiftet martesore. Por, milionat i ka të gatshme dhe, nëse është prioritet ndërtimi i tyre, edhe ato mund t`i realizon.

Por mashtrimet e Ramushit me aleatët e opozitës janë miliona shumë-shifrorë, të cilat jo dekadat, por as shekulli nuk mund t`i kompensojë! Kësaj i thonë "ta humbasësh rrugën në oborr"!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat