Ukraina nuk mund ta njeh pavarësinë e Kosovës pa marrë fund lufta e saj me Rusinë!

Opinione

Ukraina nuk mund ta njeh pavarësinë e Kosovës pa marrë fund lufta e saj me Rusinë!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 3 mars 2024 Në ora: 13:46
Rexhep Elezaj

Është për t’u habitur, sesi disa pushtetarë dhe një numër i madh i medieve në Kosovë dhe Shqipëri, çdo ditë flasin dhe shkruajnë me një lloj admirimi, se është vetëm çështje kohe kur Ukraina do ta njeh pavarësinë e Kosovës, duke u thirrur në disa deklarata të zyrtarëve dhe deputetëve ukrainas, se çështja e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur, gjoja po diskutohet “seriozisht” në parlamentin e Ukrainës, madje të bindur se një gjë e tillë do ndodhë shumë shpejtë, siç ishin parashikimet e ditëve të fundit se Wolodymyr Zelensky në samitin e Tiranës do ta shpallë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Se, ishin këto vetëm dëshira dhe parashikime boshe të disa qarqeve politike dhe mediatike në Kosovë dhe Shqipëri, këtë më së miri e dëshmoi samiti i Tiranës kushtuar Ukrainës, gjatë të cilit presidenti ukrainas, Zelensky, as që e zuri në gojë Kosovën, njohjen e saj jo se jo, duke heshtur, për faktin sepse ka disa shkaqe që qeverisë së Ukrainës ia bëjnë të pamundur njohjen e pavarësisë së Kosovës;

E para, Ukraina qe dy vite gjendet në luftë mbrojtëse të integritetit të saj territorial nga agresioni ushtarak i Rusisë, që nga 24 shkurti 2022 e deri më sot, duke dhënë me mijëra dëshmorë në mbrojtje të lirisë së saj, kështu që në rrethana lufte çështja e njohjes së Kosovës nga Ukraina as që ka mundur të ishte në rend të ditës në parlamentin e saj.

E dyta, shkaku kryesor që qeveria ukrainase nuk mund ta njihte deri më sot pavarësinë e Kosovës, qëndron në faktin, se me aktin e njohjes së Kosovës, ajo do ta njihte tërthorazi okupimin rus të krahinës së Donbasit dhe Donjeskut, dhe kjo gjithnjë sipas logjikës hegjemoniste të Kremlinit zyrtar, se, pasi që gjoja NATO dhe SHBA-të ia morën Serbisë me forcë Kosovën pa vendim të KS të OKB-së, atëherë pse Rusia mos ta ketë të njëjtën të drejtë, që Ukrainës t’ia marrë këto dy krahina, madje ku me referendum populli në këto dy krahina na qenkan deklaruar për bashkim me Rusinë.

Pra, këtë analogji inekzistente mes Kosovës dhe pushtimit rus të këtyre dy krahinave është duke e përdorur krimineli Putin për interesa imperialiste të Rusisë, gjë që për këtë flet qartë përmendja e Kosovës në çdo fjalim të tij, dhe i cili shpeshherë i është drejtuar Perëndimit, duke e akuzuar, se ashtu siç ju e shkëputet Kosovën nga Serbia, njëjtë do t’i marrim edhe ne këto dy krahina, dhe se ju, Perëndimi, po flisni për të drejtën e Ukrainës për ta mbrojtur integritetin e saj territorial, ndërsa kur është fjala për integritetin territorial të Serbisë nuk e thoni asnjë fjalë. Në fakt, ky “alibi” rus për ta okupuar dhe shkëputur Donbasin dhe Donjeskun nga Ukraina, qeverisë në Kiev ia ka lidhë duart që ta njoh pavarësinë e Kosovës, prandaj ishin dhe janë absurde pritjet në Kosovë dhe Shqipëri, se Ukraina do ta njoh Kosovën si shtet të pavarur para se të marrë fund lufta në Ukrainë.

Dhe, sado që dikujt në Kosovë mund t’i duket ky krahasim dhe kjo analogji e pa vend dhe e pa justifikueshme, e vërteta është se analogjitë e tilla në raportet midis fuqive të mëdha në botë, përveç se bëhen “parime” në sjelljet dhe realizimin e interesave të tyre strategjike, ato madje bëhen mjet për kusuritje në luftën dhe konkurrencën e tyre për dominim dhe shtrirje të ndikimit të tyre në botë. Kështu që, në rrethana të luftës në Evropë, ku Rusia fashiste bëri agresion të hapur ndaj fqinjit të saj, Ukrainës me popullsi sllave, faktikisht të një gjuhe, kulture dhe gjaku, kur populli ukrainas qe dy vite po lufton për liri dhe integritet territorial, ka qenë irracionale dhe gati gjë absurde që shqiptarët të presin njohjen e pavarësisë së Kosovës nga qeveria e Ukrainës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat