A i korruptoi Serbia edhe ndërkombëtarët?

Opinione

A i korruptoi Serbia edhe ndërkombëtarët?

Gani Qarri Nga Gani Qarri Më 3 mars 2024 Në ora: 15:17
Foto ilustrim

Në një intervistë për një televizion, të drejtorit të Forumit për marrëdhënie etnike në Serbi, Dushan Janjiq, ai e thotë pa asnjë pardon, prerazi dhe krejtësisht qartë, se Vuçiqi e kishte kthyer veriun e Kosovës në makineri për shpëlarjen e parave, ku përveç emisionit të përpunimit të narkotikëve, minifabrikave për prodhimin e "bitcoin-ve" e futjes së shumave marramendëse nga Serbia e diaspora, Serbia shpëlante rreth 8 miliard euro brenda vitit, në veri të Kosovës!

Akt, ky, aq i paprecedent, sa që lë për të dyshuar publikisht, se Serbia ka arritur ti korruptojë edhe ndërkombëtarët, përndryshe gjithë kjo aferë, përmasash të tilla marramendëse dhe të pakonceptueshme kriminale, të panjohura në rajon e më gjerë, nuk mund të zhvillohej, për kohë kaq të gjatë, pa dijeninë e plotë të UNMIK-ut, EULEX-it, KFOR-it dhe përfaqësive ndërkombëtare në Kosovë, në qoftë se secili, prej tyre, nuk do ta kishte pasur hisen e vet të përfitimit, në mënyrë që një aventurë e tillë, kaq e madhe korruptive dhe kaq e rëndë e krimit të organizuar, e cila rrezikonte publikisht edhe sigurinë shtetërore të Republikës Kosovës, të mund të zhvillohej, pa asnjë pengesë, për më tepër se një dekadë me radhë, në një pjesë të territorit, të vendit tonë.

Dhe sikur mos të mjaftonin të gjitha këto avari të hapura antishtetërore kundër shtetit të Kosovës, për të cilat të gjitha mekanizmat e lartcekur ndërkombëtare të pranishme me misione “ligjvënëse e paqeruajtëse”, në vendin tonë, do duhej të jepnin përgjegjësi, habit fakti se si edhe në kohën kur Parlamenti Evropian me Rezolutën më të re, thekson fort dhe qartë, se Dialogu Kosovë-Serbi, duhet të përmbyllet me njohjen reciproke, si dhe bënë thirrje eksplicite, për heqjen urgjente të masave të padrejta ndëshkuese ndaj Kosovës dhe vendosjen e tyre ndaj Serbisë hegjemoniste përfaqësuesit euro-perëndimor të vendeve të QUINT-it, vijojnë edhe më tej, të vajtojnë deri në përmasa dhembshurie, vendimin kushtetues të BQK-së, për ndalimin e pagesave me dinar serb, në Kosovë.

A dëshmojnë publikisht, këto sjellje kaq atipike, të këtyre diplomatëve të cilët thirren në ligj e drejtësi, se edhe ata, mund të jenë involvuar në këtë aferë, dhe paguhen në forma e mënyra, për ne të panjohura, nga Serbia me dinar, ndaj dhe reagojnë kaq ashpër, sepse janë edhe vet të prekur rëndë financiarisht, me ndalimin e futjes klandestine të thasëve të mbushur me dinarë, nga Serbia në Kosovë?!

Në fakt, Serbia edhe me marrëveshjen e “dakorduar”, vitin e kaluar, në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së, ka pranuar ta njoh të paktën "de-facto" Republikën e Kosovës, ndaj po të mos ishte qëllimi për keqpërdorimin e mëtejmë të veriut të Kosovës, për shpëlarjen e miliardave kriminale të Vuçiqit në koordinim me ndërkombëtarët, nuk ekziston asnjë pengesë ligjore as juridike, që Banka e Serbisë, të koordinohej me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, për dërgimin e "ndihmave" pjesëtarëve të pakicës serbe në Kosovë, e cila është edhe mënyra më e sigurt dhe me garanti të plotë, që paratë, të mos e humbin rrugën dhe vërtetë të arrijnë, te ata njerëz.

Pra është korruptimi financiar, ai që qytetarët dhe institucionet e Kosovës, nuk duhet të befasohen as të ngelen kaq të habitur, se si edhe pas thirrjes publike të Parlamentit Evropian për heqjen e masave të padrejta ndëshkuese ndaj Kosovës dhe vendosjen e tyre ndaj Serbisë, si dhe kërkesës së PE-së, drejtuar Bashkimit Evropian që të ndryshojë edhe qasjen për ndërmjetësimin ndërmjet palëve në dialog në mënyrë që BE, të ruaj kredibilitetin si akter i besueshëm i politikës së jashtme, edhe në momentet kur shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, janë vetëdijesuar për vendimin e gabuar dhe të padrejtë të Borellit, Lajçakut & Co me anime pro serbe, ndaj Republikës së Kosovës, lufta e Vuçiqit vazhdon të jetë kaq e sinkronizuar me përfaqësuesit "ndërkombëtarë", për imponimin edhe me forcën e ambasadave europerëndimore, të dinarit serb, në Kosovë.

Andaj për të gjithë shqiptarët, duhet të jetë e qartë, se është koha e fundit, që ti dilet zot vendit, kur populli i Kosovës, partitë politike, inteligjenca dhe çdo segment tjetër qytetar e juridik, duhet ti lënë anash dallimet partiak e ideologjike, e të bashkohen dhe dalin të unifikuar, si një, për ndalimin përfundimtar të monedhave të huaja, veçanërisht të atyre nga shtetet me qëndrim të hapur armiqësor, si Serbia hegjemoniste, e cila përmes imponimit si mjet pagese të dinarit serb, me ndihmën e argatëve përfitues-financiar, nga përfaqësitë e huaja ndërkombëtare, tenton të “dëshmojë” në mënyrë direkte edhe “sovranitetin” shtetëror mbi vendin tonë, Kosovën e pavarur!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat