Sindromi shqiptar: Se historia fillon nga unë, fatale për shtetin dhe kombin!

Opinione

Sindromi shqiptar: Se historia fillon nga unë, fatale për shtetin dhe kombin!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 5 mars 2024 Në ora: 21:12
Ismail Muçiqi

Më shumë se dymijë vjet shqiptarët po bredhin në histori duke u munduar ta gjejnë vetën në gjeografinë e trojeve të paraardhësve.

Mjerisht asnjëherë nuk arritën të flasin me një zë, të bashkohen për t'i çuar në vendin e duhur amanetet e shumë brezave e shumë patriotëve e shumë heronjve të cilët bënë sakrifica e sakrifica për ta fituar lirinë, për ta zhvilluar drejtësinë, për ta ndërtuar ardhmërinë. Edhe tani kur po e bëjmë një rezyme për të kaluarën, edhe tani sindromi Shqiptarë për bajraktarizëm nuk ka ndryshuar.

Kjo dukuri famëkeqe po manifestohet edhe tani në jetën politike gjithandej ku zhvillohet jeta partiake e politike në trojet Shqiptare. Përqarjet dhe lufta për pushtet nuk ka të ndalur. Në shtetin amë në Republikën e Shqipërisë skena politike është shembulli më i keq i pluralizmit dhe i zhvillimit të demokracisë në këtë vend.

Lufta primitive ndërmjet pozitës dhe opozitës përkatësisht ndërmjet Edi Ramës e Sali Berishës është në maje të vlimit për destabilizimin e shtetit.

Aspak më e mire nuk qëndron situata në Republikën e Kosovës e cila po përballet me kërcënimet e përditshme nga Serbia. Pothuajse e njëjta valle po luhet në politikën e partive Shqiptare në Maqedoninë Veriore, ku grupet e margjinalizuara kanë formuar me dhjetëra parti politike duke zhvilluar luftë primitive, përçarëse ndërmjet rivalëve për të ardhur në pushtet.

Kjo tregon se jemi larg në raport me kërkesat e kohës dhe zhvillimeve shoqërore që i kërkon demokracia. Po theksojmë se pas shpërbërjes të ish Jugosllavisë Republika e Sllovenisë në zgjedhjet e para Demokratike zgjodhi për President Millan Kuqanin ish kryetarin e komitetit qendrorë të lidhjes së komunistëve të Sllovenisë.

Pothuajse të njëjtën rrugë e ndoqën edhe maqedonët duke e zgjedhur President Kiro Gligorovin ish udhëheqësin komunistë të sistemit të kaluar.

Republika e Kroacisë përpos Tugjmanit që e zgjodhi President afër tij në hierarkinë më të lartë të shtetit kroatët e zgjodhën edhe Ivica Raqanin ish kryetar i komunistëve të Kroacisë.

Po ashtu Republika e Malit të Zi e zgjodhi dhe e mbajti në krye të shtetit ish komunistin Millo Gjukanoviq i cili i dha grusht të rëndë politikës së Millosheviqit duke u ndarë nga rruga e tij për ta mbajtur të pavarur dhe sovran shtetin e vetë Malin e Zi.

Këtu duhet përmendur se tradhtinë më të madhe që i bëri Gjukanoviqit dhe Malit të Zi është Driton Abazoviqi i ashtuquajturi shqiptar i cili e rikthejë Kishën Ortodokse Serbe në Mal të Zi duke i sjellur në krye të institucioneve rrymat qetnike dhe profashiste serbe në Parlamentin e Republikës së Malit të Zi.

I përmendëm vetëm disa shembuj ku popujt me kulturë, me vizion e me traditë i kanë ruajtur dhe avancuar personalitetet e njohura të cilat u kanë prirë institucioneve shtetërore vite me radhë për të mirën e shtetit dhe popullit.

Mjerisht duhet pranuar se ne shqiptarët asesi nuk po arrijmë të lirohemi nga egoja duke e ndërprerë kohezionin e gjeneratave me pretekst se e kaluara duhet të harrohet dhe të ç’vlerësohet, se tani historia fillon nga unë. Kjo i ka sjellur shumë dëme popullit shqiptar.

Sot në Kosovë kanë mbetur anash me mijëra e mijëra personalitete jashtë partiake të njohura të cilët me dijen dhe përvojën e tyre do t'i kontribonin vendit në të gjitha sferat e jetës. Koha po tregon se këto tendenca dhe shkëputje e periudhave të gjeneratave në politikën shqiptare i ka dëmtuar të gjitha proceset për të ecur para.

Shteti nuk mund të zhvillohet me njerëz pa përvojë, të papjekur të cilëve u mungojnë këshillat për tu përballur me sfidat për ta zhvilluar shtetin dhe të ardhmen tonë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat