Nëse Asociacioni nuk do të jetë shtet në shtet, pse nuk po diskutohet që edhe Lugina ta ketë Asociacionin e vetë?

Opinione

Nëse Asociacioni nuk do të jetë shtet në shtet, pse nuk po diskutohet që edhe Lugina ta ketë Asociacionin e vetë?

Nga: Sherif Ramabaja Më: 13 mars 2024 Në ora: 13:53
Autori Sherif Ramabaja

Më 1989 udhëheqësit komunist të Kosovës deklaronin: Kosova me ndryshimet kushtetuese asgjë nuk humb. Disa thoshin, jo që nuk do të humb, po do të fitoj. Me vite zihej kjo gjë, derisa erdh duke u rrit presioni e propaganda për të ndodhur ndryshimet kushtetuese.

Kishim edhe akademik nga shqiptarët që angazhoheshin për këto ndryshime kushtetuese, dhe ç´ndodhi: Autonomia e Kosovës u rrënua edhe me ligj kushtetues, se në realitet ajo as që ekzistonte.

Tash shtrohet pyetja, a po na përsëritet e njëjta gjendje e vitit 1989? Me sa po shihet, tërësisht po.

Së pari me ndërmjetësimin ndërkombëtar më 2013 është nënshkrua marrëveshja mbi Asociacionin edhe pse Serbia s´ka qenë fare e interesuar për te, duke i pasur synimet për ndarje.

Tash derisa ndarja si duket po shkon drejt dështimit, Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare, janë kapur për Asociacionin. Duhet patjetër ta pranoni sepse vetë e keni nënshkruar. Një kohë frontet ishin të acaruara duke u nisur të jetë ai me kompetenca apo pa kompetenca, derisa ndodhi edhe Banjska.

Presioni nga perëndimi po bëhet gjithnjë vetëm ndaj Kosovës. Nëse doni të pranoheni në KE duhet së pari manastirit të Deçanit, që dikur ishte shqiptar, t´i lejoni 25 hektar tokë. Cili manastir në botë ka aq territor, dhe me çfarë ligji ndërkombëtar lejohet diçka e tillë.

 Kështu ishte vepruar edhe me vizat: nënshkruani dorëzimin e Çakorrit dhe do të ndodhë liberalizimi i vizave. Kur u fal Çakorri u kërkuan edhe njëqind gjëra të tjera që kaluan vite e vite derisa ndodhi liberalizimi .

Tash po kërkohet Asociacioni, duke premtuar se nuk do të jetë shtet mbi shtet, e çka nuk është premtuar e premtohet.

Derisa pra Asociacioni nuk qenka shtet mbi shtet, pse i njëjti  nuk po aprovohet edhe për Luginën. Ata të luginës janë njerëz tjerë, apo si t´i thuhet kësaj. Pse kur janë në pyetje shqiptarët, përdoren standarde të dyfishta.

Apo perëndimi po i mbyll sytë para Vuçiqit, i cili punon në dy e më shumë drejtime: e loz Putinin e vogël në Ballkan duke i rrezikuar çdo ditë fqinjët, kurse në anën tjetër i shërben perëndimit, duke i shitur armatime Ukrainës dhe Izraelit.

Si duket për shërbimin që po ia bënë Vuçiqi perëndimit, duke punuar në dy anët, po viktimizohet Kosova.

Kjo po kuptohet kështu kur Eskobar ende pa arritur në Kosovë bëri kërkesë indirekte për rrëzimin e Kurtit, i cili nuk po i lëshon pe Serbisë në kërkesat e saj hegjemoniste.

Apo po kërkohet alternativë, të votohen ata të cilët e kishin nënshkruar dorëzimin e Çakorrit me 8000 HE tokë Malit të Zi dhe Blacën Maqedonisë.

Të tillët do të vrapojnë për pushtet, kurse fajin do ia hedhin Kurtit, s´kishim si ndryshe. Ai i kishte pranuar marrëveshjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat