Pse ishte i detyrueshëm regjistrimi i pronës së Manastirit të Deçanit?!

Opinione

Pse ishte i detyrueshëm regjistrimi i pronës së Manastirit të Deçanit?!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 14 mars 2024 Në ora: 20:01
Manastiri i Deçanit

Kryeministri i Kosovës njoftoi sot se pas urdhrit të tij dhënë kadastrës. kjo e fundit e ka regjistruar pronën prej 24 hektarësh si të drejtë të Manastirit të Deçanit. Kthimi i kësaj prone Manastirit ortodoks në Deçan është temë diskutimi prej më shumë se një dekade. Çështja u shqyrtua edhe në Gjykatën Kushtetuese të vendit dhe kjo gjykatë pati vendosur që prona tokë prej 24 hektarësh t’i kthehej këtij objekti kulti. Por qeveritë e ndryshme prej asaj të Hashim Thaçit e deri te Abdullah Hoti nuk e zbatuan vendimin e Kushtetueses. Asnjëherë nuk dhanë ndonjë arsye të fortë. Dhe duket se e përdorën jo pak moszbatimin e Gjykatës Kushtetuese për interesa elektorale. Thaçi në fakt nuk e zbatoi, edhe sepse asisoj shitej “patriot”, ndërkohë që angazhohej për tjetërsimin e kufijve të Kosovës në favor të Serbisë.

Kurse bashkësia ndërkombëtare ka bërë vazhdimisht presion për zbatimin e marrëveshjes me Serbinë dhe vendimit të Kushtetueses për t’i ridhënë pronën në fjalë Manastirit të Deçanit. U investua në këtë presion edhe vetë Joe Biden, asokohe zv. President i SHBA-ve.  Megjithatë sërishmi çështja u zvarrit dhe iu la si “patate e nxehtë” Albin Kurtit. E kam thënë vazhdimisht, se shteti, institucionet dhe qeveria e Kosovës nuk guxojnë të zbatojnë në mënyrë selektive vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Kur është fjala për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe Kosova ta përdorin si argument vendimin refuzues të Gjykatës Kushtetuese, e nga ana tjetër, kur është fjala për kthimin e tokës manastirit të refuzojnë zbatimin e vendimit të kësaj gjykate.

Ky qëndrim krijoi opinionin, sipas të cilit shteti dhe institucionet e Kosovës nuk janë sa duhet në binarët e së drejtës. E drejta në demokraci shprehet në vendimet e gjykatave. Nëse ekzekutivi nuk i zbaton ato, atëherë bie koncepti i shtetit të së drejtës dhe bashkë me të edhe koncepti për ushtrimin e demokracisë. Duke qëndruar te raporti midis këtij rreziku dhe pranimit të vendimit, atëherë unë besoj se ka më shumë dobi që Kosova të dëshmohet si shtet demokratik dhe i së drejtës, sesa i japin asaj dobi asaj 24 hektarë tokë në Deçan. Aftësia kryesore shtet formuese është ndërtimi i shtetit bazuar në parimet e demokracisë.

Ndërsa problemi im lidhet me faktin se nuk e di se a mundi qeveria Kurti të marrë atë që donte në këmbim të zbatimit të këtij vendimi e kësaj marrëveshjeje të nënshkruar nga paraardhësit e tij?! Madje nuk më shqetësojnë as ata që kakarisin në ekranet televizive, duke akuzuar Albin Kurtin për “tradhti”! Tradhtia me pronën e Manastirit të Deçanit është bërë nga ata që hodhën firmën për ta rikthyer atë pronë te ky manastir, gjithnjë nëse bëhet fjalë për “tradhti”! Dhe duke lexuar reagimet, shoh që përdoret shpesh parimi i mosrespektimit të ligjeve të Milosheviçit për Kosovën.

Megjithatë unë kam vënë re diçka që njerëzit nuk e shohin edhe në këtë çështje. Është vendosur që ligjet e Milosheviçit pas heqjes së autonomisë së Kosovës të zhvleftësohen. Ndërsa toka në fjalë i është dhënë manastirit në vitin 1987, ndërkohë që autonomia e Kosovës është hequr gati dy vite më vonë (mars 1989). Kjo do të thotë se ky vendim, pavarësisht se është kryekëput një vendim anti-shqiptar, nga pikëpamja e së drejtës, nuk mund të kundërshtohet. Teknikisht e juridikisht ishte e pamundur ta kundërshtoje regjistrimin e kësaj prone.

Ka njëmijë arsye që këto 24 hektarë tokë të mos i jepeshin Manastiriut të Deçanit. Arsye kryesore është implikimi i këtij manastiri dhe kishave ortodokse dhe pjesëmarrja aktive e tyre në politikat e Milosheviçit për asgjësimin fizik të shqiptarëve. Por deri më se sot askush nuk ka dërguar ndonjë akuzë konkrete në gjykatat vendore ose ndërkombëtare. Në këto kushte nuk kishte alternativë tjetër, veç pranimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Çështja që ne duhet të na shqetësojë lidhet me faktin që marrëveshja e paraardhësve të Kurtit është arrit me Beogradin, ndërkohë që duhej zgjidhur me kreun e Manastirit. Çdo marrëveshje me Beogradin, qeverinë, presidentin apo KOS, e komplikon situatën lidhur me ushtrimin e sovranitetit shtetëror të Kosovës edhe te drejtuesit e pronat e komuniteteve fetare. Brenda vendit, nga pikëpamja ligjore, asnjë prej religjioneve nuk duhet të ketë të drejta extra. Prandaj duhet evituar çdo marrëveshje me Beogradin lidhur me kishat e manastiret.

Nga ana tjetër Kurti kishte mundësi të përfitonte me zbatimin e këtij vendimi, të zvarritur prej kaq shumë kohësh. Pranimi në Këshillin e Evropës është një arsye e madhe për regjistrimin e pronës si pronë të Manastirit. Por mund të përfitohej edhe në aspekte të tjera. Kushtëzimet janë pjesë e lojës dhe e proceseve dialoguese. Derisa Kosova e Serbia janë në proces dialogu, atëherë kishte shumë mundësi të përfitohet në këtë proces. Ndoshta kishte mundësi që çështja e pronës së manastirit të kushtëzohej me heqjen si obligim të asociacionit. E nëse do arrihej kjo, atëherë do ishte vërtet një sukses i madh!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat