Escobar po e turpëron Amerikën, u del në krah Vuçiqit e opozitës!

Opinione

Escobar po e turpëron Amerikën, u del në krah Vuçiqit e opozitës!

Nga: Faton Mehmeti Më: 16 mars 2024 Në ora: 15:51
Faton Mehmeti

Nëse di dikush se ka një vend në botë që trajton minoritet më mirë se Kosova, i kërkojë të më sfidojë, duke mos përjashtuar as emisarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, zëvendësndihmës-sekretarin Gabriel Escobar.

Zyrtari i lartë amerikan pa asnjë fakt theksoi se raportet Kosovë-SHBA aktualisht përballen me sfida shkaku i trajtimit të minoritetit serb nga Qeveria e Kosovës. Për çfarë trajtimi flet z.Escobar, ku serbët me 2% kanë gjuhën e tyre zyrtare, për 24 vjet nuk i kanë paguar asnjë cent shtetit për energji, ku askush nuk i kërcënon dhe ecin lirshëm kudo në Kosovë, krejt e kundërta është me shqiptarët e Kosovës lindore në Luginë, ku z.Escobar kurrë nuk tha një fjalë.

Emisari ndër të tjera potencoi se “vendimi i BQK-së ua ka vështirësuar jetën qytetarëve serbë të Kosovës dhe se SHBA-ja është e shqetësuar", pse të jetë e shqetësuar, kur Kosova po zbaton një vendim legjitim duke mos lejuar monedha të tjera në sistemin bankar të shtetit. Për më tepër edhe ka lehtësuar procedurat që serbët mos të mbesin pa shërbime.

Dhe si kurrë më parë, një emisar ndërhyn direkt në çështje të brendshme të partive politike duke favorizuar opozitën përballë Vetëvendosjes, për të cilën thotë se ka më pak miq në Evropë, dhe vendimet që i marrin ata nuk mund të marrin mbështetje.

E tmerrshme një deklaratë e tillë, e njeriut që nuk ka as mision për të komentuar udhëheqjen e qeverisë nga një parti apo koalicion, s’ka ndodhur asnjëherë një emisar (përveç Grenellit) me u lëshu në nivel kaq të ulët. Askush nuk e mohon rolin historik të SHBA, pa të cilën s’do të mund të ecnim tutje, mirëpo Kosova ka institucione legjitime të cilat mbrojnë interesat e tyre, siç mbron çdo qeveri në botë. Është e padrejtë me i paraqit serbët si viktimë, ku ata jetojnë si më mirë në Kosovë. Escobar nuk guxon të bie në nivel të ulët e të bëhet palë e opozitës kundër qeverisë legjitime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat