“Pushtimi“ i Sazanit nga Kushner, një thikë me dy presa…

Opinione

“Pushtimi“ i Sazanit nga Kushner, një thikë me dy presa…

Nga: Xhevat Mustafa Më: 20 mars 2024 Në ora: 07:49
Xhevat Mustafa

përhapur fillimisht si thashethem e shpejt i konfirmuar nga media amerikane dhe nga Ministria e Turizmit e Shqipërisë për dhënien e ishullit të Sazanit dhe të një pjesë të madhe të Zvërnecit për resorte apo komplekse turistike dhëndrit të ish presidentit të SHBA- së, Donald Trump, biznesmenit Jared Kushner, është pritur dhe shoqëruar me ndjesi dhe reagime dy kahëshe. Shumica e kanë kundërshtuar menjëherë dhe prerë, duke akuzuar bamirësin kryesor të Kushnerit, domethënë kryeministrin Edi Rama, si njeri që prej 10 vitesh po shet e fal copa apo llokma Shqipëri, sikur ta kishte pronë e trashëgimi. Qenia e mikut të tij Richard Grenell si ndërmjetës, këshilltar, bashkëpunëtor e ndoshta edhe si bashkaksioner në projektet e resorteve në Sazan e Zvërnec, logjikshëm shton arësyet për dyshime e kundërshtime ndaj këtij biznesi, duke e parë si jo thjeshtë turistik...! Grenell është vetëdamkosur si një nga diplomatët dhe zyrtarët më kontraversë e më skandaloz në DASH gjatë presidencës Trump e në këto vite.

Anëshmëria e tij ndaj Serbisë; deklaratat dhe veprimet e tij në dëm të Kosovës; dekorata e lartë marrë nga presidenti serb..., të shtyjnë të mendosh se nëpërmjet këtij miku, sipas shprehjes popullore "miku i mikut tim është edhe miku im", ai ka lidhje edhe me miq të Vuçiçit jo vetëm në Beograd, por edhe në Kremlin! Ky paragjykim, mosbesim e interpretim nuk mund të cilësohen subjektivë dhe thjeshtë si shprehje opozitarizmi dhe anti edramizmi. Këto nxiten dhe mbështeten nga veprime dhe VKM të mëhershme, preferenciale dhe autoritariste të kryeministrit Edi Rama. Me firmat dhe vulat e tij u janë shitur apo falur “llokma të majme“ disa oligarkëve dhe miqve të tij shqiptarë, në vila, apartamente e jahte të cilëve kanë pushuar apo janë pritur si mysafirë specialë Alex Soros, Yuri Kim e disa të tjerë të huaj me poste të larta qeveritare e shtetërore, domethënë apo popullorshe, miq jo vetëm për “fiq” !

Njëherazi, krahas “bujarisë“ dhe favorizimeve personale dhe institucionale për miqtë, në turizmin shqiptar ka pasur edhe raste në sensin e kundërt, “hakmarrjeje“ dhe “ ndëshkimi“ autoritarist, deri me shembje të resorteve turistikë për “kundërshtarë“, oponentë publicistikë, për biznesmenë, që nuk i kanë mbajtur iso firmosësit të VKM-ve e të lejeve të ndërtimit!? Pala e dytë, më e pakët, duke u reklamuar si më e mirinformuar, më kompetente për biznesin e turizmit botëror dhe më pragmatiste, është shprehur se nga ky akt apo nga ky biznes Shqipëria dhe shqiptarët do të kenë vetëm të mira e leverdi shumëdrejtimëshe. Por, mungesa e transparencës dhe përfitimet minimale nga investimet e mëparshme në bregdetin shqiptar, nga Ksamili në Velipojë, përforcojnë opinionin apo bindjen e skeptikëve dhe të kundërshtarëve të këtyre dy copave të reja Shqipëri, që Edi Rama u fal apo shet me VKM dhe çmime fare të ulta oligarkëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, përfshirë ose jo në listën e tij të "investitorëve strategjikë"! "Flakët" e debatit të porsa nisur për dhënien e Sazanit e të Zvërnecit Jared Kushnerit, shtohen sidomos nga tradita dhe praktika e mungesës së transparencës dhe të informacioneve zyrtare.

Kështu, ky debat mund të ishte më konkret, më i dobishëm dhe më i logjikshëm, në se, për të shmangur thashethemet, jepen informacione, pro e kundra investitorit të madh amerikan. Është e njohur se krahas vlerësimeve për çka bërë, sidomos në fushën e turizmit, ai është bërë objekt apo subjekt kritikash edhe në dhomën e kongresit e në senatin amerikan si dhe në mediat, jo vetëm në SHBA...Po kështu, do të ishte me dobi për të përmbajtur apo orientuar sa më drejt këtë debat edhe nëse është bërë një studim i thelluar e perspektiv për gjithçka lidhet me projektet e Jared Kushnerit; për çmimin e 1 metri katror shitur atij dhe për afatin kohor të shfrytëzimit prej tij; se sa do të përfitojë buxheti i shtetit shqiptar nga 100, 1000, 1 milion, 1 miliard dollarë të investuar nga ai!? Në vijim, pas përfundimit të punimeve, sa qytetarë shqiptarë të Vlorës e përtej saj do të punësohen në resortet e tij? Së fundmi, sa do të përfitojë buxheti i shtetit shqiptar nga 100, 1000, 1 milion, 10 milion dollar të fituar nga Jared Kushner çdo vit prej këtyre komplekseve turistike? Natyrisht, llogaritë mund të vazhdojnë me pyetje e "sa" të tjera, sepse jemi në Shqipëri, në një vend ku për 80 vjet kanë ardh dhe ik kope mizëri me "dosa e derra" e na kanë lënë tek dera vetëm...jashtëqitje e plehra! Këto pyetje kërkojnë përgjigje, sepse në se Jared Kushnerit i janë dhënë badiava, psh, sipas rasteve të mëhershme, 1 euro apo 1 dollar metri katror e për 100 vjet shfrytëzim, merret me mend se fituesi shumëfish më i madh do të jetë dhëndri i Trump, biznesmeni amerikano-izraelit Jared Kushner...!? Në këtë drejtim mund t`i referohemi edhe përvojës në zhvillimin e turizmit të vendeve më të përparuara, qoftë duke u përqëndruar vetëm në Evropë.

Kështu, talia, Greqia, Spanja, Turqia, Kroacia..., krahas një legjislacioni favorizues dhe lehtësimeve të ndjeshme ligjore e të publikuara për tërheqien e sa më shumë investitorëve të mëdhenj nga vendi e bota, për projekte madhore turistike, nuk i kanë varur të gjitha shpresat tek turizmi. Njëkohësisht, apo më shumë kanë mbështetur dhe favorizuar zhvillimin e ekonomisë, të industrisë së rëndë e të lehtë, deri në prodhim makinerishë, automjetesh, avionësh, dronësh, armësh të rënda si dhe të bujqësisë dhe blegtorisë, frutikulturës, tregtisë e tj. Në të vërtetë, GDP dhe niveli i zhvillimit dhe mirëqenies në këto vende nuk ka pasur si burim kryesor të ardhurat nga turizmi! Faktet apo shifrat e mëposhtme me burim Euronews, publikuar më 18.08.2022, janë shprehëse. Kështu, në vitin 2019, Kroacia varej nga turizmi për gati një të katërtën (24.8 për qind) të PBB-së së tij.

Në vitin 2021, kjo shifër ra në 16.1 për qind. Para pandemisë, turizmi përbënte më shumë se një të pestën e PBB-së në Greqi e Islandë...Në secilin prej këtyre vendeve, tani përbën më pak se një të gjashtën. Në anën tjetër të spektrit, shumë vende pothuajse nuk u mbështetën fare në turizëm në vitin 2019. Në vitin 2019, Irlanda mori 4.2 për qind të PBB-së së saj nga industria e udhëtimeve, e ndjekur nga Polonia (4.8 për qind) dhe Rusia (5 për qind). Shifrat e vitit 2021 tregojnë se këto përqindje u ulën edhe më shumë. Në Irlandë, turizmi përbënte vetëm 1.2 për qind të ekonomisë totale dhe në Poloni më pak se 3 për qind. Në Rusi, turizmi përbënte 3.7 për qind të PBB-së në vitin 2021. Franca është vendi më popullor i Evropës për turistë, duke pritur 90 milionë vizitorë në vit para pandemisë. Turistët dynden në Francë për qytetet e saj të kulturuara, peizazhet e bukura dhe kuzhinën dhe menunë e shkëlqyer. Por turizmi përbënte më pak se një të dhjetën e PBB-së para pandemisë, sipas shifrave të WTTC – dhe në 2021 kontribuoi me 6.5 përqind. Spanja aty pranë priti më shumë se 80 milionë vizitorë në vitin 2019.

Megjithatë, turizmi përbënte vetëm 14,5 për qind të PBB-së – një shifër që gati u përgjysmua në 8,5 për qind në 2021. Në nivel më të lartë është pesha e të ardhurave nga turizmi në të ardhurat e përgjithshme vjetore, në Turqi. Sipas Athens News, referuar të dhënave të Bankës së Greqisë të publikuara më 21 shkurt 2024, më shumë se 32.7 milionë turistë(domethënë rreth 3.2 herë më shumë turistë se Shqipëria) vizituan Greqinë në vitin 2023 dhe të ardhurat nga turizmi u rritën me 15.7%, krahasuar me vitin 2022, duke arritur në 20,459.5 miliardë euro e duke rritur përqindjen e turizmit në të ardhurat e përgjithshme vjetore. Pra, ardhja e Jared Kushnerit, shoqëruar nga Richard Grenell, me rreth 1 miliard dollarë që ka premtuar se do të investojë në Sazan dhe Zvërnec, nëpërmjet firmës së tij Affinity Partners përmbajnë njëherazi edhe arësye për gëzim dhe optimizëm, edhe për skepticizëm e indiferentizëm. Në mënyrë më konkrete, mund të përfytyrohen e të na dalin edhe ngjashëm si një thikë me dy presa. Ato edhe mund të na gëzojnë dhe japin shtytje për rritje më të mëdha e më të shpeshta pagash, pensionesh, mirëqenieje..., me bumet në shifrat e të punësuarve, të turistëve e të ardhurave prej tyre, por edhe të na zhgënjejnë, duke na dalë si një shi vere në rërën e plazheve…!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat