Rrena e vjedhja është edhe turp, zotërinj shtetarë

Opinione

Rrena e vjedhja është edhe turp, zotërinj shtetarë

Nga: Frano Kulli Më: 20 mars 2024 Në ora: 19:44
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Në dyert e SPAK-ut, hyjnë e dalin përditë , si specat, shtetarë të të gjitha rrangjeve. Me akuza të mëdha, shumica edhe ministra e ndihmës kryeministra, disa sosh. Por të gjithë dalin duke u zgërdhi që andej. S'di a e keni vu re; "asnjerit nuk i bie syri në qerpik". Po dua me thanë se anjëri nuk ndjehet i turpëruar. E vetmja ndjesi njerëzore, që së paku, si reminishencë virtyti duhej të shfaqej sado pak në fytyrat e tyre, duket se as nuk ekziston në qenien e tyre. Madje, ndonjëri prej tyre, pafytyrësisht kërkon edhe dëmshpërblim...pë një hard disc kompjuteri a s'di se çka. Secili rend mbas asaj pjesës "under grund", të procesit se si t'ia gjejë anën fashitjes së ndëshkimit...Se sa për ata që i kanë rréjtë a vjedhë, siç akuzat e SPAK-ut thonë, as nuk skuqen as nuk zverdhen.

Në kopertinën e botimit të dytë, të "Gomari i Babatasit", (Shkoder shtypshkroja At Gjergj Fishta, 1941) poshtë titullit shkruhet edhe ky pohim i mënçur: "Populli i falë ata qi e mundojn, por nuk ka për ti falë kurr ata qi e rrêjnë. Montalembert".(Charlest, count de Montalembert, (15 prill 1810, Londër - më 13 mars 1870, Paris), orator, politikan dhe historian , lider në luftën kundër absolutizmit në kishë dhe në shtet në Francën e shekullit të 19-të.)

E zgjedhur dhe e vendosur gati si nëntitull i librit, domosdo s’mund të jetë tjetër veçse, një thirrje në ndihmë të lexuesit a si një çelës për të hapë portën kryesore të leximit të veprës. E, siç dihet gjërësisht tashma, kjo vepër-kulm e satirës politike në Shqipëri atëherë kur u shkrua porse edhe sot, ka qenë dhe mbetet e tillë , një kualitet letrar i shkallës së epërme edhe për arsyen e fortë se për lëndë të veprës së vet, autori ka marrë e ka "vu në bisht t'lahutës" siç do të thoshte ai, veset më të shëmtuara të udhëheqësíve politike e shtetnore, të cilët, duke livadhisë ndër to (nëpër veset pra), i shkaktojnë një dëm të madh fort e shumë afatgjatë shoqërisë që udhëheqin. Ndoshta, kjo sentenca e mendimtarit të shquar francez, i përshtatet fort edhe shoqërisë shqiptare sot ndaj dhe ka ndodhë kjo përzgjedhje qysh atëherë, kur ende nuk qe mbyllë gjysma e parë e shekullit të shkuar.

Historia jonë, përgjithsisht ka qenë histori e një populli të mundúar fort prej udhëheqësíve. Udhëheqësíve të huaja e të vendit. Njësoj. Dhe, sigurisht, mundimet ia kanë lënë të dukëshme gjurmët e vuajtjes njeriut shqiptar. Shpesh ia kanë shformuar edhe cilësisht mjaft virtyte. Po, ja që disa prej tyre, më të shumtat e tyre kanë mbetë e janë ruajt në nëvetëdijen e në shpirtin e tij. Virtyt është edhe neveria e pakapërdishme ndaj rrenave e rrencakut (gënjeshtrave e gënjeshtarit). Për gënjeshtarin publik, gënjeshtarin udhëheqës, sidomos. Se gënjeshtra e tij bën dëm të madh. Ne të gjithë e dimë, tashma se kuti që i mat e peshorja që i peshon shtetarët në demokraci është marrëdhënia e tyre me të vërtetën e me gënjeshtrën. Për fjalët që thonë e për punët që bëjnë. Është mardhënia ndërmjet besimit që iu është dhënë dhe mirëpërdorimit a keqpërdorimit të tij. Tek ne ka ndodhë gjithherë kjo e dyta. Sistematikisht udhëheqësit tanë, kush më pak e kush më shumë, kanë gënjyer. Aq shumë kanë gënjyer, sa kur ndonjëherë ka ndodhë që, ajo çfarë ata kanë thënë edhe është mbajtë si fjalë e thënë, kjo e ndodhur është çmuar e vlerësuar si mrekulli. Rëndom vlerësimi për to, pra se udhëheqësi është i zoti a i pazoti , i aftë a i paaftë , është përcaktuar se sa e ka spërdredhë fjalën ky ose ai. Pra, sa ka mundur të na mashtrojë. Kjo i ka vënë kapak, si të thuash zotësisë së udhëheqësit...

E meqë i filluam radhët e këtij shkrimi me një kryevepër të satirës politike shqiptare, mbase duhet shpjeguar edhe lidhja e saj me të sotmen, tash një shekull mbas. Thelbi i kësaj lidhje është sjellja e njëjtë e qeverisësve tanë me ne të qeverisurit prej tyre. Për t'u qortuar fort e satirizuar, atëhere dhe sot....

Kryeprijësit, zotit kryeministër, as atij nuk "i bie syri në qerpik" për mëkëmbësit e tij. Është bërë anektodike thënia e zotërisë për "kumbulla që qenkërkan ngrënë pas shpinës së tij". Përtej dyerve të SPAK-ut, gjithsa ka ndodhë e po ndodhë duhet ta bëjë, më së paku të skuqet prej turpit edhe vetë atë zgjedhësin e "kumbullngrënësve" pas shpinës së tij. E t'u kërkojë ndjesë turmave zgjedhëse për zgjedhjet e gabuara që paska bërë, që, siç duket deri tani po e kalojnë numrin e zgjedhjeve të pagabuara. Se ata, zgjedhësit, turma, populli pra, këtij ia ka besuar zgjedhjen për ta prirë vendin e jetën e tyre për nga e mira e prosperiteti.

Posë të tjerash edhe turpe janë të gjitha këto, zoti kryeministër. Turp është "avullimi" aq shumë i përfolur i pasurive kombëtare, nga Porti i Durrësit e deri në Sazan... Turp janë krizat e përvitëshme energjitike në Shqipërinë me rezerva ujore më të më të shumtat në Europë. Është fyerje e madhe e inteligjencës së shqiptarëve të krenohesh para tyre se nuk po ngre çmimin e energjisë.

Turp është ta çosh për skrap Rafinerinë e naftës në Ballsh e për qytetarët shqiptarë ta shesës naftën me çmimin më të shtrenjtë në Europë, z.kryeministër.

Turp është mjerimi në Bulqizë e në minierat e tjera si ajo. Turp janë rrenat tuaja tuaja të pambarimta ndër dekada, zotërinj shtetarë !

Turp për ju që na e latë vendin "trokë", këtë vend që vetë Zoti e ka begatuar dhe rinisë i dhatë rrugët e botës.

Po turp është edhe urdia e "këshillonjësve" e mbrojtësve tuaj medialë të tipit Ba(l)t-on , që rrumbullojnë 15 mijë euro në muaj, përlyer nëpër llogaritë aq fort të diskutueshme të djegësve të plehrave qytetës për pushtimin mashtruesh që u kanë bërë ekraneve të kazanëve tuaj propagandistikë e deformimit të lirisë së shprehjes. Që të mbledhura së bashku, besoj e kalojnë indeksin e rritjes së pensioneve qesharake, zoti kryeministër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat