Kalkulimet diplomatike të Ambasadorit Amerikan Kristofer Hill në Beograd!...

Opinione

Kalkulimet diplomatike të Ambasadorit Amerikan Kristofer Hill në Beograd!...

Nga: Ismail Muçiqi Më: 20 mars 2024 Në ora: 19:53
Autori Ismail Muçiqi

Deklarata e Kristofer Hillit në Beograd, se Serbia është më afër NATO-së sesa Republika e Kosovës, është hipokrizi dhe shqetësuese për misionin diplomatik të SHBA-së në Ballkan. Si gazetar, kam pasur fatin të ndjek konferencat me shtyp që në kohën para luftës, kur Kristofer Hill ishte Ambasador në Maqedoninë Veriore dhe gjithashtu angazhuar në proceset politike që zhvilloheshin pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Kristofer Hill ishte i përfshirë edhe në situatën e Kosovës, kur Serbia përpiqej të anulonte autonomine e Kosovës dhe filloi dhunën brutale kundër popullit shqiptar. Në të gjitha këto procese, Hill pati sjellje të një oportunisti, i cili rrallë ose fare nuk e theu të vërtetën për agresionin dhe gjenocidin në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.

Ambasadori Hill, gjatë qëndrimit të tij si diplomat në Maqedoni dhe më vonë në Kosovë, shpesh nuk ishte i qartë dhe kalkulant në qëndrimet e tij. Në fillim të luftës në Kosovë, Hill nuk arriti të kthejë situatën në aspektin diplomatik, deri sa Presidenti Klinton angazhoi diplomatin e njohur Richard Holbrooke, i cili mori drejtimin e situatës deri në fundin e bombardimeve të NATO-së kundër Serbisë.

Deklaratat e Ambasadorit Hill dhe të Eskobar-it në lidhje me Serbinë janë shumë zhgënjyese dhe nuk përputhen me qëndrimet e Qeverisë Amerikane në Ballkan. Të thuhet se Serbia është më afër anëtarësimit në NATO sesa Kosova është papërgjegjësi dhe skandal diplomatik. Sot, Serbia është shteti më destruktiv në Ballkan dhe aleat i përkushtuar i Rusisë, duke bërë agresione në Veri të Kosovës dhe duke ndërmarrë propagandë kundër sovranitetit të Kosovës.

Për shkak të këtyre kalkulimeve politike dhe diplomatike, institucionet e Kosovës duhet të drejtohen me një letër drejt Presidentit Biden, Senatit Amerikan dhe Kongresit për t'i informuar ata për të gjitha zhvillimet që po ndodhin në dëm të Kosovës nga ana e Serbisë, duke përfshirë edhe dy diplomatët Ambasadorin Kristofer Hill dhe të deleguarin për Ballkanin, Eskobar-in. Kosova ka përjetuar mjaft padrejtësi nga diplomatë të korruptuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat