Dy premtime të neveritshme

Opinione

Dy premtime të neveritshme

Nga: Ilir Levonja Më: 21 mars 2024 Në ora: 13:05
Autori Ilir Levonja

Sa herë që do afrohen zgjedhjet parlamentare, dalin në pah edhe dy premtime të neveritshme, 1)ujë dhe drita njëzetë e katër orë, 2) vota e emigrantëve. Ka qënë gjithmonë ky premtimi për ujë dhe drita njëzetë e katër orë, tani na u bë refren edhe vota e emigrantit. Mirë me shqiptarët brenda Shqipërisë është e bërë e udhës të tallen, për më tepër spoteve vrastare mbi dyndjen e vikingëve, turisteve, aq sa kur flet me një qytetar të rrënuar, ta tregon me mburrje ''arritjen'' e madhe të qeverisë shqiptare. Ti e pyet, ore të hyn ty gjë në xhep? ai ta kthen, nuk të pëlqen ty se je me kraun tjetër. Demokracia është arithmetikë, ekonomi, or budalla, nuk është se me kë je ti apo jam unë. Kaq. Po kujt ia thua. Tani e kanë radhën emigrantët. Do votojnë apo jo? Ka këto e ato vështirësi etj. Megjithëse mënyrat janë kaq të thjeshtëzuara tashmë sa edhe vendet e Amerikës së Jugut i aplikojnë lirshëm, në Shqipërinë e moçalistëve është tabu.

Dhe askush nuk merr përgjegjësi, as ai Komisionit Zgjedhor, as ai në qeveri, dhe as ai në opozitë. Doli një radhe një karabush si opozitar i madh gjoja, i cili u premtoi shqiptarëve se presidentin do e zgjidhnin ata dhe se kudo që të ishin do e kishin të drejtën e votës. Mirëpo edhe ky iu bashkua ankesave të llojit në qeveri. Madje u zhduk për një vit dhe sot bën të fortin, kërkoi lista të hapura, votën e emigrantëve. Shkurt, askush në atë vend nuk e do votën emigrantëve. Se po ta donin, mund ta realizonin a mundësonin brenda natës. Problemi është se vota e emigrantit do sillte qarkullim, rrotacion, rrjedhën e ujrave, mirëpo pikërisht këtë nuk e duan.

Fillo së pari nga qeveria, është çmenduri në Shqipëri ta mendoj një socialist rilindas të hapi krahun Rama. Sikur gjithë qeverinë t'i arrestojnë, o po sikur edhe atë vet, Rama nuk ikën. Maqedonët ia dhanë një shqiptari në dorë të drejtën për një qeveri teknike, vetëm për një palë zgjedhje, në Shqipëri as që e çojnë në mend, vdesin ta bëjnë. Janë mbytur koridoret e pushtetit lokal me aktivista partish, pra ka vdekur gjithçka, por prapë askush nuk e do ndryshimin. Ktheje dhe nga krahu tjetër, mund ta fitonin si një bast votën e emigranitt, por as ata nuk e duan. Një opozitë mund të fitoj, mund ta drenazhoj frymën publike brenda dhe jashtë vendit, e ka aty të gjithë arsenalin e domosdoshëm për një beteje me të vërtetë poltike dhe efikase për një demokraci normale, pasi ka mbi 60% të ashtit të saj në emigrim. Nuk ka familje shqiptare pa një pjestarë të saj në emigrim, nuk doni që të votoj vajza, djali, nipi mbesa. Ai babai që sjell para, që shikon dhe jeton në një demokraci perëndimore.

Ajo nëna që nuk është vetëm pastruese, por edhe zyrtare me sharm. Nuk ka çështje më të drejtë për të shtyrë përpara demokracinë dhe për të rregulluar ekonominë tuaj se, vota e emigrantit. Ikja nuk ndalet me propagandë, por me projekte të tilla si vota e emigrantit, jo vetëm paratë e emigrantit, por edhe vota. Mendësia e emigrantit, jo vetëm energjia e tij atje në Londër. Gjykimi i tij atje në Paris. Boll e pyetët njëri-tjetrin, a të dërgoi gjë këtë fundjavë. Vota e emigrantëve është një e drejtë absolute e gjithkujt që ka gjak nga ai vend. Mos bëni më asnjë palë zgjedhje, pa atë votë. Madje as mos flisni më për reforma. Janë të gjitha shashka të një stanjacioni që ju ka rrënuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat