Produktet ushqimore që importohen nga jashtë, po e rrezikojnë shëndetin e popullsisë në Kosovë!

Opinione

Produktet ushqimore që importohen nga jashtë, po e rrezikojnë shëndetin e popullsisë në Kosovë!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 3 prill 2024 Në ora: 22:47
Ismail Muçiqi

Qytetarët e Kosovës me vite po përballen me sëmundje të ndryshme si pasojë e konsumimit të produkteve ushqimore të cilat vijnë nga jashtë e të cilave nuk ju dihet gjeneza. Ky fenomen nuk ka të ndalur derisa kemi një kulture dhe vetëdije të ulët në përkujdesjen e shëndetit në mirëmbajtjen e jetës normale të njeriut. Mjerisht në të gjitha mjediset përkatësisht në vendbanimet ku jeton popullata u hapën me qindra e mija kuzhina, restaurante, hotele, qebaptore, e qka jo tjetër shkel e shko pa e përfill rregullativën ligjore e cila do të duhej të ishte kushti i parë për gastronomi. Importuesit e mallrave ushqimore përkatësisht biznesmenët tregtarë importojnë me mija tonelata produkte ushqimore për të bërë tregti dhe biznes për interesat e tyre financiare private.

Në Kosovë vijnë produktet e mishit nga Shtetet më të larta të Botës nga Brazili, India, Kanada e deri tek Australia e largët produkte këto të cilat nuk u dihet burimi se kur janë prodhuar apo përgatitur për tu eksportuar në tregjet e ndryshme Botërore. Nuk janë të rralla rastet kur zbulohen afera nëpër Komuna të ndryshme të Kosovës ku tregtarët shesin produkte të mishit me afat të skaduar apo mos të themi mish të infektuar. Kjo dukuri po zgjat edhe tani për shkak të papërgjegjësisë të institucioneve të Shtetit të cilat kanë obligim ligjorë dhe Kushtetues për kontrollimin e produkteve ushqimore me qëllim të mbrojtjes të shëndetit të popullsisë.

Ka vite e vite që nëpër qendrat e ndryshme ku ushqehen qytetarët, nëpër kuzhina private apo restaurante e deri tek furrat e bukës nuk ka kontroll të inspekcionit sanitarë për ta monitoruar punën higjienike të produkteve ushqimore me të cilat ushqehen njerëzit duke shpenzuar edhe paranë për nevojat familjare. Nuk mbajë mend që nga Pavarësia e Kosovës inspektorët sanitarë gjatë një viti kanë inspektuar punën, higjienike të lokaleve dhe njerëzve që prodhojnë ushqime për popullatën. Qdo gjë është shndërruar në interes komercial e financiarë duke i lënë anash shëndetin e popullsisë.

Për shkak të kësaj gjendje nëpër klinikat e ndryshme të spitaleve tona sot numri i personave të sëmurë që kërkojnë ndihmën e mjekut është shqetësuese për kohën në të cilën po jetojmë. Kjo anarki dhe papërgjegjësi më së miri mund të shihet në tregun e pemëve dhe perimeve dhe mallrave tjera të Prishtinës i cili është mjerim dhe turp për kohën.

Duhet permendur se mu ky treg paraqet rrezik per  shpërthimin e ndonje virusi apo sëmundje ngjitese të ndryshme ku frekuentojnë me mija e mija qytetarë në ditë të Prishtinës dhe rrethinës, duke u furnizuar me produkte te ndryshme ushqimore. Këto janë problemet jetike të qytetarëve të cilët po përballen me vështirësi të përditshme si në aspektin e sigurimit të produkteve ushqimore me cilësi më të mire njashtu problem mbi problemet është edhe sigurimi i barërave për njerëzit me sëmundje të ndryshme, sëmundje këto të cilat shumica kanë prejardhjen prej produkteve ushqimore me përmbajtje të dyshimta, dhe të dëmshme.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat