Dy drejtime demode të një opozite me liderin në izolim

Opinione

Dy drejtime demode të një opozite me liderin në izolim

Nga: Ilir Levonja Më: 7 prill 2024 Në ora: 14:53
Ilir Levonja

Pak ditë më parë filloi një zhurmë e madhe si zbulim olimpik mbi atë që vëllai i kryeministrit shqiptar ishte marrë me drogë në vitin aq e kaq. A duhej të merrej SPAK me 'të apo jo? Kishte dokumenta që aludonin etj., ku përmendej një person me pushtet dhe se tiparet, mosha, apo hyrjet daljet në aeroport përkonin pikërisht me 'të. Dhe si është e mundur që kryeministri vet, nuk jep asnjë shpjegim? Si është e mundur që mediet kombëtare nuk reagojnë, por trasmetojnë të tjera gjëra. Si është e mundur që nuk e arrestojnë etj. Përgjigja është shumë e thjeshtë, nuk do ai i madhi. Ndaj është kot tashmë në Shqipëri të denoncosh, të kërkosh llogari, të raportosh etj., pasi klima është pikë për pikë si ajo në kohën e Enver Hoxhës. Familja e të madhi është e pacënueshme, është herezi ta mendosh, jo më t'i afrohesh. Po a ka dijeni ky i madhi, sigurisht që ka se nga andej vinë lekët që blihen zgjedhjet, që financojnë posterat dhe faqet e propagandës. Dhe propaganda do para me shumicë.

Tani opozita po kërkon dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës pasi iu arrestuan 5 drejtorë dhe se këtij i ka dalë emri në një projekt 5D dhe si pronar në hije i një hoteli modern etj. Edhe këtu SPAK-u nuk po vepron si duhet, ndaj duhet t'i zbrazemi rrugës që lali Eri të shporret nga Bashkia. Nga ana tjetër po e njëjta metodë bajate e propagandës se edhe këtij po i hanë mbrapa krahëve ashtu si kryeministrit, dardha, fiq, mollë, rrush e kumbulla. Akoma më apatike është ideja se kanjë përplasje mes Edi Ramës dhe lali Erit, se ka përçarje mes tyre dhe se lufta e brendshme sapo ka filluar. Kësisoj ata do hanë kokat e njëri-tjetrit dhe se kështu Shqipëria do shpëtoj. Në fakt historia ka dëshmuar se të gjithë ata që vrau Enveri, për më keq akoma edhe familjarët e tyre më pas, jo që nuk e nëmën Enverin, por u vetflijuan me ndërgjegje për partinë, që dmth, Enverin. Madje edhe pas shpalljes së pluralimzit më 12 dhjetor 1990, fëmijët dhe familjarët e këtyre të vetflijuarëve iu bashkuan rishtas po së njëjtës prirje politike dhe ka arritur deri aty, ku po me të njëjta metoda të sundojnë Shqipërinë, jo ta qeverisin atë. Dhe po e bëjnë në mënyrën më të përsosur të mundshme.

Që me ardhjen e Edi Ramës, Shqipëria ka parë shumë armiq të klasës dhe të popullit. Janë arrestur me dhjetra syresh, shumë të afërt me Kryeministrin. Ka bërë nga një vit burg e shumta, janë arratisur, ose janë fshehur sa kanë ndërruar edhe fytyrë me operacione plastike etj., dhe sot janë të lirë pasi një pakti xhentëlmenësh dhe ku nuk u është sekuestruar asgjë.

Shkurt dhe për ata që kanë dy pare mend në kokë, këto pakte janë afërmendsh produkt determinant për të sunduar dhe jo për të qeverisur. Këto pakte determinante bashkë me propagandën i japin merita shefit të madh të nëshkruaj marrëveshje për riatdhesimin e atyre që zbresin me gomone në kanalin e La Manshit për një jetë më të mirë. I japin të drejtën Atij dhe Londrës të flasin për Mafian shqiptare, kur në të vërtetë Anglia sapo ka nëshkruar marëveshje me Mafia reale, atë të madhin, ata që hanë dardha e mollë pas krahëve të tij dhe aspak me qeverinë që duan shqiptarët. Vet shqiptarët do të shohin akoma arrestime, do shohin burgosje me bujë, madje arrati të tjera. Akoma shqiptarëve do t'u serviren më e fortë lufta e klasave, madje edhe me suport nga ''yjet'' e pop-rrokut apo të ''Bigbrother''-it, pa e kuptuar dhe pa ndjerë asnjëherë se pas një viti bash ata armiqtë e klasës janë liruar dhe pa asnjë qindarkë mangut, pa iu cënuar rrjetin etj. Me po të njëjtin motivacion se e keqja e Shqipërisë qëndron tek një opozitë apatike dhe një lidër plak i syrgjynosur.

Pse janë dy drejtime të gabuara këto të opozitarizmit a) se vëllai i Ramës merret drogë dhe b) protesta tek dera e Bashkisë dhe se janë përçarë apo jo, Edi me lali Erin. Janë drejtime të gabuara, se, vetëm idjotët mendojnë se lali Eri vodhi me kokë të vetë. Në një studio televizive diku hodhi tezën për zgjedhjet e radhës se, a do mundet t'i fitoj Edi Rama ato? Pasi me kaq e aq skandale ai është dobësuar etj. Janë teza naive, biseda për konsum, pasi vetëm idiotët mund ta besojnë se me Edi Ramën ka zgjedhje të lira, ka deokraci etj. Hiqeni nga mendja këtë. Financimi pa fund dhe i pa kontrolluar nga një drejtësi e kontrolluar, janë fuqia e ''fitoreve'' të Edi Ramës. Eshtë bërë kulturë e fortë vjedhja, por edhe snobiste e shoqërisë shqiptare, njerëzit të thonë, i lumtë është i zoti, di të vjedhi, di t'ia dali. Sepse po të kishte demokraci, sot Partia Demokratike do kishte vulë, do kishte liderin të lirë, por nuk i ka. Nga ana tjetër Bosnje Hercegovinës, një republikë bizarre iu çelën negociatat kurse Shqipëria është kthyer në kor duke sharë Europën si bënte dikur pasi prishej me aleatët e ish Bashkimit Sovjetik dhe Kinën e Maos. Shkurt mos u merrni me kungujt e gardhit, por me atë që i mbolli. Nuk ka pakte a marrëveshje, nuk ka zgjedhje, nuk ka demokraci me Edi Ramën dhe liderin opozitar në izolim. Lum kush e kupton drejtë se sa e përpjetë është sot rruga e opozitarizmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat