Më shumë vlen përkëdhelja e ndërkombëtarëve, sesa interesi ynë kombëtar! Sindroma shqiptare e ndërkombëtaro-manisë

Opinione

Më shumë vlen përkëdhelja e ndërkombëtarëve, sesa interesi ynë kombëtar! Sindroma shqiptare e ndërkombëtaro-manisë

Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 7 prill 2024 Në ora: 18:00
Bujar Osmani

 Kandidati shqiptar për president në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, ka bërë një deklaratë, sipas së cilës ai kur ishte kryetar i radhës i OSBE-së paska bërë një plan prej nëntë pikash për normalizimin e situatës në veriun e Kosovës. Nuk ka rëndësi nëse qeveria e zotit Kurti e ka pasur ose jo këtë plan, e ka njohur atë dhe nëse e ka marrë në konsideratë ose jo.

Nuk po nisem gjithashtu nga përmbajtja e atij plani, brenda të cilit gjenden kërkesat e presidentit të Serbisë, që policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu i vendit dhe kryetarët e komunave në këtë zonë të jepnin dorëheqjen, siç tha zëdhënësi i qeverisë. Ajo që më shqetëson ka të bëjë me përhapjen e një lloj ndërkombëtaro-manie te liderët de politikanët shqiptarë.

Kam besuar se mania e të qenit me famë ndërkombëtare, kontinentale, rajonale ose globale përfundoi te ne shqiptarët pas rënies së sistemit totalitar komunist. Asokohe dy diktatorët e para shembjes së murit të Berlinit, Josiph Tito dhe Enver Hoxha, jetuan me fiksionin e të qenit udhëheqës të mëdhenj në përmasat ndërkombëtare. I pari si lider i dhjetra vendeve të Organizatës së të Pangazhuarve dhe i dyti, si lider i “lëvizjes marksiste-leniniste” në botë. Ndërkombëtaro-mania e dy diktatorëve ballkanas me mentalitet imponimi ishte e dukshme. Fatkeqësisht kjo prirje egoiste e liderëve dhe politikanëve shqiptarë ka filluar të përhapet dukshëm në kushtet e sotme të epokës së globalizimit. Ndoshta vetë kjo ideologji shoqërohet me miklime të pretendimeve për të rritur kostumin e lidershipit përtej kufijve të shtetit.

Ne i njohim miklime të tilla, që presidenti i Serbisë i bënte kryeministrit të Shqipërisë, si “lider global”! Dhe lideri global tentoi të bëhej lider rajonal, kur mori përsipër të përfaqësojë Kosovën në marrëdhëniet me Serbinë e ndarjen e saj. Ose kur deklaroi se ai ishte “udhëheqësi i iniciativës së Open Balkan”! Madje edhe sillej si i tillë, kur kërcënonte Kosovën me pasoja, nëse kjo e fundit nuk bëhej pjesë e minishengenit apo Open-it të Sorosit! Në fakt lideri real rezultoi të jetë Aleksandër Vuçiq, i cili tallej me global-lidershipin e Ramës! Tani na del një tjetër lider megaloman, që duke spekulluar me funksionin e natyrshëm të kreut të OSBE-së, na paska dërguar një plan nëntë pikash për t’i dhënë fund konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë.

Ky është shqiptari i Maqedonisë, Bujar Osmani. Nuk e di nëse në këtë rast ka folur egoja e tij, nëse i është dukur vetja “udhëheqës i madh e global”, por të ndërmarrësh aksione të tilla në dëm të Kosovës, vetëm pse një vit je ndërkombëtar, kjo është e turpshme. Secili prej nesh mund të bëhet për pak kohë ndërkombëtar. U bë edhe Edi Rama dy herë i tillë, njëherë në krye të OSBE-së, njësoj si Bujari, dhe herën tjetër në Këshillin e Sigurimit. Por u mor me Lavrovin në emër të konfliktit në Lindje të Ukrainës. U mor më pas me Afrikën, Azinë e Ukrainën. Ndërkohë që nuk guxoi asnjë rast të merrej me Kosovën dhe konfliktin e saj, për ta ndëshkuar Serbinë dhe mikun e tij, Aleksandër Vuçiq. Për çudi, me Lavrovin u mor edhe minisztri Osmani!

Bujar Osmani me atë projekt nëntë pikash më shumë i ndihmoi Serbisë, sesa Kosovës. Në thelb i kërkoi Kosovës të heqë dorë nga sovraniteti shtetëror e territorial në katër komunat e veriut dhe të shkelë ligjin kushtetues sa i përket përsëritjes së zgjedhjeve. Fantastike: - Më shumë vlen përkëdhelja e ndërkombëtarëve, sesa interesi ynë kombëtar! Më shumë lavdi sjell të qenit ndërkombëtaro-mann, sesa atdhetar dhe interpret i interesave të popullit dhe kombit tënd! Gjithë sa thashë më sipër nuk përkthehet në shndërrimin e liderëve dhe politikanëve shqiptarë në aventurierë anti-ndërkombëtarë.

Por para se të mbrosh botën, duhet ta mbrosh pragun e shtëpisë tënde. Ndryshe do bëhesh e do të jesh dordolec në duart e ndërkombëtarëve. Madje do të përdorin edhe armiqtë e popullit dhe kombit tënd! Disa do të qeshin me ty, duke të të kundruar sa i ulët je, kur predikon të bashkkombasit tu interesat e armiqve të këtyre bashkkëmbasve!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat