Opozita në Kosovë në mbrojtje të tradhtisë dhe hajnisë, drejt synimeve të Serbisë

Opinione

Opozita në Kosovë në mbrojtje të tradhtisë dhe hajnisë, drejt synimeve të Serbisë

Nga: Rexhep Torte Më: 8 prill 2024 Në ora: 17:37
Autori Rexhep Torte

Gjykata Kushtetuese, Prokuroria, dhe Gjykatat në Kosovë janë të mbushura me sekserë të PDK-së, LDK-së, dhe AAK-së, që me të gjitha mjetet po mundohen ta pengojnë punën e Albin Kurtit dhe të Qeverisë së tij, për të shpëtuar tradhtinë dhe hajninë multi-milionëshe. PDK, LDK, dhe AAK nuk morën asnjë veprim për të përgatitur padinë kundër gjenocidit të Serbisë dhe paditë e tjera kundër kriminelëve serbë që njihen me emër e mbiemër. Haram u qoftë qumshti nënëve fisnike kosovare, haram u qoftë buka e gatuar me lot e me djersën e mërgatës, haram u qoftë sakrifica e dëshmorëve të Kosovës që e dhane jetën e tyre për lirinë e pavarësinë e Kosovës, haram u qoftë flijimi i të gjithë shqiptarëve të pafajshëm në Kosovë që pësuan nga agresioni gjenocidal i Serbisë.

Haram u qoftë të gjitha qeveritë e Kosovës që e qeverisën Kosovën në 20 vitet e kaluara dhe nuk i përgatitën paditë për kriminelët serbë që i kryen tërë ato krime makabre në Kosovën e okupuar. Nuk ka mëkat e tradhti më të madhe kombëtare e njerëzore se sa ta fitosh lirinë dhe pavarësinë me gjak, e t’i lashë gati gjysëm shekulli Serbinë gjenocidale dhe kriminelët serbë pa u ndëshkuar. Kjo po ndodh në Kosovën martire, si pasojë e tradhtisë, keqqeverisjes, dhe papërgjegjësisë të ish-udhëheqësve nga PDK, LDK, AAK.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Isa Mustafa, dhe Ramush Haradinaj gjatë qeverisjes së tyre në 20 vitet e kaluara, në vend që të angazhoheshin maksimalisht për ta paditur Serbinë gjenocidale dhe për t’i vënë prapa grilave kriminelët serbë, këta ish-komandantë u dhanë pas tradhtisë, vrasjeve për pushtet, vrasjes së gazetarëve për fjalën e vërtetë, u dhanë pas hajnisë, korrupsionit, dhe pasurisë multi-milionëshe.

Opozita në mënyrën e saj perfide në dëm të Kosovës

Detyra e parë dhe borxhi moral ndaj tërë viktimave të Kosovës duhej të ishte përgatitja e sa më shumë padive kundër kriminelëve serbë, gjersa ishin plagët e freskëta dhe derisa shumica e dëshmitarëve ishin ende gjallë. Naim Miftari, ish-epror i lartë i UÇK-së dhe agjent i SHIK-ut, me plot të drejtë në shkrimet e tij të botuara në faqen e internetit “Bota Sot”, ka informuar dhe argumentuar në vazhdimësi se tradhtarët Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Isa Mustafa, dhe Ramush Haradinaj gjatë qeverisjes së tyre në të gjitha institucionet e Kosovës i kanë instaluar sekserët e tyre, që sot me nëpërkëmbëzat e tyre paraqesin pengesë që Kosova të ecën përpara në vendosjen e drejtësisë në vend dhe në zhvillimin e demokratizimit të shtetit. Këtë e dëshmon më së miri Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të cilën pas miratimit në Parlamentin e Kosovës, PDK-ja e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, dhe që kjo Gjykatë tashmë edhe pas një viti ende po e zvarrit verdiktin e saj, që tregon se Gjykata Kushtetuese e Kosovës është e kapur nga sekserët e PDK-së, LDK-së, dhe AAK-së, sepse ish-udhëheqësit nga këto parti me hajni dhe korrupsion u bënë multi-milionerë pas luftës dhe tani po mundohen t’i shpëtojnë ligjit për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Jani Bejta, drejtor i Shoqatës “Ngritja e Zërit”, thotë se kanë përgatitur 200 padi ndaj Serbisë për krimet e luftës në Kosovë, informon “Bota Sot” në faqen e internetit me datë 3 prill 2024 në faqen e internetit të tyre të lajmeve.

Mosngritja e padive kundër kriminelëve serbë nuk mund të arsyetohet me asgjë

Qeveria e Kosovës është dashur të përgatisë dhe të ngrinte paditë kundër kriminelëve Aleksandër Vuçiq, Ivica Daçiq, që kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të kriminelit Slobodan Miloševiq, Veljko Odaloviq, kryetar i Serbisë në ish-Jugosllavi në Kosovë pas vitit 1997. Veljko Odaloviq gjatë viteve 1997-1999 ishte Naçelnik i Qarkut të Kosovës, ndërsa sot është kryetar i Komisionit për personat e zhdukur në Qeverinë e Serbisë. Zoran Angjelkoviq në vitin 1998 ishte kryetar i Këshillit Ekzekutiv të përkohshëm në Kosovë. Gardiani Komatina në burgun e Dubravës ishte ai që shoqëroi zotin Ukshin Hoti, të dielën më 16 maj 1999, kur u humb çdo gjurmë e tij, kështu që për këtë gardian serb moti duhej të ngritej padia.

"Bota Sot" më 27 qershor 2023 shkruan se "Përgatitja e padisë ndaj gjenocidit serb në Kosovë, njohësit thonë se është e pamundur". Ministri i Drejtësisë, Albulena Haxhiu, informoi se "institucionet e Kosovës janë duke punuar në përgatitjen e padisë ndaj Serbisë për gjenocid", duke shtuar se "ekspertët do të elaborojnë të gjitha aspektet në mënyrë që padia të fitojë" me këtë rast. Por njohësit e çështjeve juridike thonë se është e pamundur që të dorëzohet kjo padi për shkak të pamundësisë së Kosovës që të kalojë pengesat formale që kanë të bëjnë me pranueshmërinë e kësaj dosje për shkak të barierave juridike. Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare, thotë se "përpilimi i padisë së këtij lloji është punë që kërkon kohë dhe ka bariera juridike për Kosovën". Gëzim Shala, punon në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se "Kosova e ka të pamundur të bëjë një padi të tillë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë".

Këta ekspertë theksuar me qëndrimet e tyre defetiste harrojnë faktin se Kosova duhet të përgatitë sa më parë padinë kundër Serbisë për gjenocid në Kosovë, sepse ekzistojnë mënyra dhe mundësi tjera që Serbia të marrë ndëshkimin e merituar për gjenocidin e kryer. Duhet të punohet me ngulm dhe me angazhim maksimal që sa më parë të përgatitet padia kundër Serbisë për gjenocid, si edhe të përgatiten paditë e tjera ndaj kriminelëve serbë. Vetëm kështu do të qetësohen shpirtërat e dëshmorëve të guximshëm që e dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe vetëm kështu do të ruhet dhe mbrohet dinjiteti i viktimave në Kosovë. Më pas, ne kemi detyrimin të bëjmë homazhe dhe të vendosim lule te varret dhe lapidaret e viktimave në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat