Mërgata shqiptare dhe bartja e vlerave shpirtërore në Perëndim

Opinione

Mërgata shqiptare dhe bartja e vlerave shpirtërore në Perëndim

Nga: Merxhan Jakupi Më: 13 prill 2024 Në ora: 17:51
Merxhan Jakupi

Në gjithë rruzullin tokësor, në kontinentet dhe shtetet totalitare dhe autoritare, pos në botën demokratike perëndimore, krahas lirive individuale dhe atyre fetare, këto dy atribute të lirive individuale, shkelen dhe anashkalohen në mënyrë flagrante. Në perëndim, çdo refugjat apo emigrant, përveç statutit për të drejta individuale, ka edhe atë të të drejtave fetare, ku, sipas kushtetutës, të gjithë emigrantët, pa marrë parasysh gjuhën, kombësinë, racën dhe fenë, këto atribute janë të garantuara. Shumica e refugjatëve nga Lindja e Mesme, pas luftërave qytetare, me shkuarjen në shtetet perëndimore dhe pas marrjes së statutit për qëndrim, janë fascinuar nga ajo liri e pakufizuar dhe janë shprehur shumë të lumtur.

KONVERTIMI I PERËNDIMORËVE NË ISLAM

Në shtete perëndimore, kohëve të fundit, është rritur numri i komunitetit mysliman. Në Zvicër, për nga madhësia, pas fesë së krishterë është feja islame, me mbi 6 për qind përkatësie. Shumica e tyre i takojnë komunitetit shqiptar dhe boshnjak. Sipas disa sondazheve, në Zvicër jetojnë më se 200 mijë shqiptarë, prej tyre 90 për qind janë myslimanë. Sipas të dhënave të Kryesisë së Bashkësisë Islame, në Zvicër ka 280 xhami dhe objekte të tjera për rituale fetare.

Në Zvicër, të gjithë komunitetet fetare jetojnë në harmoni, tolerancë dhe paqe. Pas sulmit mbi Kullat Binjake më 11 shtator 2001 në Nju-Jork, filloi të paraqitet një dozë e islamofobisë te një pjesë e qytetarëve zviceranë, sidomos nga propaganda e organizatave radikale dhe populiste. Por, shumica e qytetarëve zviceranë respektojnë vlerat dhe liritë fetare të komuniteteve të tjera. Por, kjo pati edhe efekte të tjera. Njerëzit zunë të interesohen për islamin si fe, duke marrë dhe lexuar libra nga bibliotekat, sidomos u shtua numri i atyre që zunë ta lexojnë Kuranin.

Së këndejmi, u paraqit edhe fenomeni i konvertimit të perëndimorëve në fenë islame, duke anashkaluar paragjykimet e mëparshme, por ky proces ishte më i gjerë, ndaj dhe ata konvertoheshin edhe në konfesione të tjera fetare, siç ishte budizmi dhe sektet e tjera, procese këto që disa sociologë dhe psikologë i cilësuan si krizë identiteti.

Në këtë kontekst, sipas një imami të një xhamie të komunitetit mysliman, vitin e kaluar (2023), janë konvertuar në islam afër 100 meshkuj dhe femra. Disa mendojnë se shkaku i këtyre konvertimeve qëndron në atë se popujt perëndimorë nuk kanë paragjykime, ndërsa konvertimet i konsiderojnë si pjesë e pavarësisë së individit. Më së shumti janë konvertuar të huaj, por që kanë lindur në Zvicër, shumica të rinj, por ka edhe qytetarë zviceranë. Disa sish kanë pasur një fëmijëri me prindër në divorc dhe me krizë të moralit. Ata, pavarësisht se në cilin konfesion kalojnë, gjejnë një identitet të ri dhe janë të lumtur.

DIVERGJENCAT MES XHAMIVE DHE KISHAVE NË DIASPORË

Hapja e xhamive, kishave dhe objekteve të tjera të kultit, dekadave të fundit, janë shpeshtuar dukshëm në shtetet perëndimore, jo vetëm tek komuniteti shqiptar, por dhe te komunitetet e tjera. Këtu vërehet një dallim në qasje, përballë objekteve fetare në vendlindje, ku, në këtë të fundit, ato objekte fetare shërbejnë vetëm për rituale dhe ceremoni religjioze. Në perëndim, është pak më ndryshe. Në ato objekte dhe kulte fetare zhvillohen veprimtari të ndryshme, kryesisht janë në shërbim të institucioneve të organizatave humanitare, të shoqatave kulturore-sportive dhe të manifestimeve kombëtare.

Këto objekte kulti, përveç se janë në funksion të një kohezioni social, ku pos ritualeve, ceremonive fetare, mbahen edhe takime për ngushëllime për ata që kanë ndërruar jetë, madje aty vijnë edhe nëpunësit e konsullatave për regjistrimin e foshnjave të lindura, organizohen darka, kurorëzime tradicionale dhe pagëzim të foshnjave.

Në qytetin Wil të kantonit St Gallen, me mbi 20 mijë banorë, prej tyre 20 për qind janë të komunitetit shqiptar. Ky qytet, në muajin e Ramazanit, në mbrëmje, kur fillon falja e teravisë, i përngjet qyteteve tona dhe lagjeve tona në vendlindje. Në faljen e Fitër Bajramit, sivjet ishin të pranishëm brezi i parë, brezi i dytë dhe i tretë i mërgimtarëve.

Në xhamitë dhe kultet fetare shpesh ka vizita nga shumë institucione, studentë, nxënës të shkollave të ndryshme, por edhe të punësuar në komuna, përfaqësues të subjekteve politike dhe fetare. Së këndejmi, të jesh imam në këto objekte fetare, nuk është e njëjtë sikur që është puna e një hoxhe në vendlindje, sepse aty duhet të jetë i përgatitur mirë, me një bagazh të pasur të diturive nga feja islame.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat