Është më tepër sesa e gabuar të mendosh se supremacia në marrëdhëniet ndërkombëtare është e përjetshme...!?

Opinione

Është më tepër sesa e gabuar të mendosh se supremacia në marrëdhëniet ndërkombëtare është e përjetshme...!?

Nga: Dr.sc.Nijazi Halili Më: 11 maj 2017 Në ora: 10:53
Nijazi Halili

Sigurisht, diplomatët janë njerëz të një kulture tepër të lartë. Shumë mendojnë se kultura në diplomaci dhe në politikë është mekanizmi për të fshehur imazhin e vërtetë të asaj çfarë duket për të arritur një synim të caktuar. Që në kohën kur sistemet ndërkombëtare filluan të marrin formë, rëndësia që i kushtohej interlokutorëve dhe negociuesve ishte e madhe. Klasa të caktuara politike që morën pushtetin në vende të ndryshme të Evropës, pasi ky kontinent është baza e modernizmit të marrëdhënieve ndërkombëtare, vendosën diktatin e tyre në botë. Një shtresë e caktuar është gjithnjë në përplasje me një shtresë tjetër për supremaci, fillimisht brenda vendit të origjinës.

Krijimi i shteteve kombe i dha jetë edhe supremacisë së një vendi ndaj vendeve të tjera. Por është më tepër sesa e gabuar të mendosh se supremacia në marrëdhëniet ndërkombëtare është e përjetshme. Të shumtë kanë qenë burrat e shtetit që i janë përkulur përjetësisë dhe shkatërrimit të asaj çka ndërtuan. Fjalët e famshme të Çezarit se “Më mirë do të preferoja të isha i parë në një fshat barbarësh, sesa i dyti në Romë” janë tepër domethënëse për mendimin tim. Mendoj kështu, se etja për pushtet dhe supremaci të pamat janë fillimisht çelësi i suksesit dhe më pas rrënimi i tij. Çezari ishte tepër ambicioz dhe rënia e tij mund të merret si shembulli më tipik i asaj që nuk gëzoi; EMRIN. Ai mbeti viktimë e ambicies së emrit të tij. Emri iu trashëgua nga të gjithë ata që “kopjuan” mënyrën e tij të të bërit politikë, pa bërë gabimet e tij dhe u quajtën Çezar  nga e gjithë bota.

Të gjithë mund të mësojmë se si përfitohet nga gabimet e një njeriu të madh. Tragjikja i mbetet atij që “shkon”. Pasuesi është i vëmendshëm ndaj jetës së atij që ka qenë i parë. Por të gjithë, edhe pasuesi vetë bën gabime për t’ja lënë vendin një tjetri që do jetë më i aftë ose jo, për t’i çuar më përpara marrëdhëniet njerëzore apo për t’i rrënuar ato.

Diplomacia – prezantimi i politikës së brendshme në arenën ndërkombëtare

Nuk është aspak e rastësishme kur të jetuarit në periudha të njëpasnjëshme trazirash, të hedhësh ndonjëhrë vështrimin dhe mobilizmin intelektual drejt formave perfekte të shkëputjes nga kaosi dhe turbullirat. Fjala “paqe” në tërë historinë e kontinentit tonë ka qenë gjithnjë simbol i më të mirës dhe ka ushqyer shpresat e miliona vetëve në çdo shtet të botës. Kontinenti ku ne bëjmë pjesë ka qenë gjithnjë pre e luftërave të pamëshirshme të cilat e kanë trajtuar paqen si diçka jashtë natyrës njerëzore.

Fuqia intelektuale e njerëzve të shquar është e padiskutueshme kur bëhet fjalë për perfeksionimin e ideve politike që janë të nevojshme për ballafaqimin e shtetit në arenën ndërkombëtare. Paraqitja e ideve në arenën ndërkombëtare bëhet fillimisht nëpërmjet paraqitjes së shtetit kur ky i fundit ka arritur stabilitetin e nevojshëm të brendshëm.

Stabiliteti, kaq i dëshirueshëm për të gjithë, nuk ka kuptimin e paqes brenda shtetit por ligjshmërinë e tij. Në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në diplomaci, ligjshmëria nuk duhet të ngatërrohet me fjalën drejtësi. Fjala “ligjshmëri” në politikë dhe në diplomaci ka të bëjë natyrën e marrëveshjeve ndërkombëtare për të gjetur gjuhën e përbashkët për një sistem ndërkombëtar të pranueshëm nga të gjithë. Një sistem ndërkombëtar i pranueshëm do të thotë, rend i ri i cili nuk është se i quan të pamundura konfliktet në të ardhmen, por përpiqet që të kufizojë përhapjen e tyre.

Luftërat edhe do të ndodhin, pasi është në natyrën njerëzore instinkti i shtrirjes së supremacisë. Fillimisht luftërat fillojnë në emër të strukturës ekzistuese e ndjekur nga paqja e cila është një shprehje më e mirë e ligjshmërisë. Diplomacia në kuptimin klasik është mekanizmi që rregullon marrëdhëniet ndërmjet vendeve nëpërmjet bisedimeve, për hir të ligjshmërisë në rendin ndërkombëtar.

Diplomacia si arti i përmbajtjes ndaj ushtrimit të fuqisë, mendohet se nuk mund të funksionojë në një ambient armiqësor. Pikërisht këtu qëndron fuqia e këtij mekanizmi të jashtëzakonshëm që mund të ushtrohet nga njerëz të fortë nga ana intelektuale. Fon Klausevitz ka thënë se “Lufta është politikë me mjete të tjera”. Diplomacia ka për detyrë që këto mjete të tjera ti shndërrojë në mjete paqtuese ku arsyeja njerëzore të jetë mekanizmi që do ti shërbejë të mirës së përbashkët.

Një periudhë revolucionare e rendit ndërkombëtar është gjithnjë e kërcënuar nga anti arsyeja. Në periudha të tilla diplomatët edhe mund të takohen, të bisedojnë, të negociojnë por ama nuk mund të bindin. Kjo për arsye se nuk flitet gjuha e përbashkët. Gjuha e përbashkët është arsyeja. Në diplomacinë e rendit revolucionar është më tepër sesa e kuptueshme se flet goja në vend të mendjes. Forcat të etura për ndryshime të pamenduara mirë sjellin përsëri në mënyrë të paevitueshme ripërsëritjen e dhunës.

Ata që guxojnë të flasin apo të ngrenë zërin ndaj një rreziku në kohën e duhur janë quajtur gjithnjë për ironi të fatit alarmistë. Ndërsa ata që konsideron të mençur në këtë profesion janë ata që i përshtaten rrethanave duke pasur gjithnjë në krah arsyen. Arsyeja është argumenti më i pranueshëm paqëtues dhe më i vlefshëm në rendin ekzistues. Por kujdes! Paqëtimi nuk është një rregull për të fituar kohë. Në kohë krizash është paaftësia e kësaj forme për tu marrë vesh me një politikë që nuk i vë fre objektiva të synuara.

Niveli i lartë i sotëm në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në diplomaci është vepër e njerëzve të aftë të dalë nga shekujt e historisë. Sistemet ndërkombëtare me të mirat dhe të metat e tyre kanë qenë dhe do të mbeten edhe sot e kësaj dite objekt studimi dhe reflektimi. Vetëm Zoti është i përsosur, të gjitha gjërat e krijuar nga njerëzit jo. Për këtë arsye dalin në skenë ide të njëpasnjëshme dhe ato që i rezistojnë kohërave më shumë se paraardhëset mund t’i afrohen përsosmërisë.

Sistemet ndërkombëtare të krijuar nga njerëz me vizione të qarta kanë mbetur si fanarë të një mësimi të madh në diplomaci dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare: “Vendet, iniciativat, të mirat, krimet, mashtrimet mund të ndryshojnë përmasat e tyre por idetë në kohëra të caktuara jo. Sepse ato krijohen nga njerëzit në kohë të caktuara dhe kthehen në institucione në kohë të caktuara”.

Marrëdhëniet ndërkombëtare përbejnë një nga fushat me te vështira te analizës. Dimensioni i tyre, kompleksiteti përbërës , karakteri shume disiplinor, dinamika e madhe struktura metodologjike - përbejnë faktorë te konsiderueshëm për vështërsit e analizës se tyre.

Shkencat shoqërore sikundër edhe vete praktika politiko-diplomatike gjithsesi kane krijuar një kuadër teoriko-praktik te analizës, njohja dhe studimi i thelle i te cilit është me rendësi për te zhvilluar laboratorin analitik te secilit ne fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat