Letër Mogherinint dhe Hahn nga rrjeti kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri

Opinione

Letër Mogherinint dhe Hahn nga rrjeti kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri

Nga: Albana Mustafaraj Më: 1 shtator 2018 Në ora: 06:37
Federica Mogherini dhe Johannes Hahn

LETËR E HAPUR Drejtuar: Znj. Federica Mogherini Përfaqësuese e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Z. Johannes Hahn Komisioner për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë

Subjekti: Mbështetja, fuqizimi dhe progresi i Rinisë duhet të jetë kriter për vlerësimine Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE-në. E nderuar Znj. Mogherini, I nderuar Z. Hahn,

Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) është rrjeti rinor kryesor në vend për të drejtat e të rinjve, i përbërë nga përfaqësues të mbi 50 organizatave rinore të shoqërisë civile dhe forumeve politike të të rinjve në nivel lokal dhe kombëtar. Rrjeti udheheq veprimet e të rinjve dhe të rejave në të gjithë Shqipërinë për të përmirësuar politikat publike për rininë, për të rritur pjesmarrjen e të rinjve në vendimarrje, fuqizimin e të rinjve dhe organizatave rinore si dhe, hapjen e qendrave të shërbimeve dhe punës me rininë. Në 12 Gusht, Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, ANYN bëri publik Raportin Kombëtar “Rinia në Shqipëri”, studim ky i kryer në bashkëpunim me Qendrën për të Drejtat e Fëmijëve (CRCA), i cili përmban vlerësimin që organizatat e shoqërisë civile në vend i bëjnë punës dhe përpjekjeve të Qeverisë dhe Bashkive për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Rininë në Shqipëri (2015- 2020). Raporti sjell disa fakte dhe shifra tepër shqetësuese mbi situatën aktuale të të rinjve në Shqipëri. Një ndër sfidat më madhore të të rinjve në vend mbetet punësimi. Rreth 81% e organizatave rinore deklaruan se nuk kanë mbështetjen e Qeverisë shqiptare për promovimin dhe fuqizimin e programeve të nxitjes së punësimit të të rinjve. Të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës për vitin 2015 (ILO), tregojnë se Shqipëria zë vendin e parë në Europë për papunësinë e të rinjve. Deri në fund të vitit 2017, Qeveria Shqiptare investoi shumë pak për zbatimin e Planit të Veprimit për Rininë edhe pse Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri – ANYN e ka ngritur zërin për këtë problem thelbësor. Ndërsa për vitin 2018 vetëm 0.01% të buxhetit të shtetit shkoi për të rinjtë të cilët përbëjnë 25% të popullsisë në Shqipëri. Mbi 80% e të rinjve në mbarë vendin pohojnë se ka një mungesë të theksuar të shërbimeve miqësore dhe cilësore për ta. Këshillimi dhe ndihma psiko-sociale falas për gjimnazistët dhe studentët nuk ofrohet në asnjë qytet të Shqipërisë, ndërsa ky shërbim duhet ofruar në Qendrat Komunitare ose Rinore të Bashkive. Referuar të dhënave të studimeve të ndryshme, dhuna ndaj fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri sidomos vajzave, prek mbi 50% të tyre! Ndërkohë referuar të dhënave e raporteve të organizatave ndërkombëtare, sjellim në vëmendjen tuaj se mbi 70% e të rinjve në Shqipëri kërkojnë të emigrojnë! Të rinjtë, përballen me mungesa të mundësive, politikave sociale dhe ekonomike dhe mospërfillje të tyre nga institucionet vendimmarrëse për çështjet e punësimit dhe zhvillimit, që ndikojnë në jetën e tyre. Pjësëmarrja e të rinjve në proceset vendimarrëse është shumë e ulët. Sipas Raportit ”Rinia në Shqipëri” rreth 73% e të rinjve në vendin tonë, nuk gjejnë mbështetjen e Qeverisë në përfaqësimin e tyre në proceset vendimmarrëse dhe strukturat e qeverisjes vendore. Referuar këtij raporti të rinjtë, po përdoren vetëm si një sfond politik, nuk kanë pjesëmarrje efektive në politikë-bërje dhe vendimarrje në të gjitha nivelet e politikës si dhe kanë një mungesë të theksuar të mbështetjes së saj duke treguar që rinia nuk është një prioritet për Qeverinë dhe Bashkitë në Shqipëri. Shqipëria shpreson që në verë të vitit 2019 të hap negociatat e antarësimit me BE-në. Gjejmë rastin t’ju falenderojmë personalisht ju të dyve për mbështetjen që i keni dhënë vendit tonë në këtë proces. Duke marrë parasysh gjendjen dëshpëruese të të rinjve në Shqipëri, ne duam të kërkojmë angazhimin tuaj që pjesë e kritereve dhe kushteve që Shqipëria duhet të përmbushë për hapjen e negociatave në vitin 2019, të përfshihet domosdoshmërisht edhe çështja e mbështetjes, investimit dhe fuqizimit të të rinjve nga ana e Qeverisë dhe institucioneve shqiptare. Shqipëria nuk mund të avancojë pa mbështetjen dhe fuqizimin e të rinjve, që përbëjnë mbi 25% të popullsisë. Ndaj në këtë kuadër, le të punojmë së bashku që të rinjtë dhe te rejat nga e gjithë Shqipëria të mos jenë humbësit e mëdhenj të procesit të integrimit të Shqipërisë.

Me respekt, Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri – ANYN

KJO LETËR MBËSHTETET NGA KËTO RRJETE DHE ORGANIZATA

1. Action for Change and Transformation - ACT;

2. Ambasada PINK Shqipëri;

3. Aleanca Qytetare e Mbrojtjes së Vlerave Kombëtare - AQMVK;

4. Change - Agjensia Rajonale e Zhvillimit;

5. DEV – AID;

6. ECPAT

7. Koalicioni për Arsimin në Shqipëri – ACE;

8. Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijët në Shqipëri (ALO 116);

9. Organizata Partnerë për Fëmijët;

10. Organizata për Mbrojtjen e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara - MEDPAK;

11. Organizata Rromano Kham.

12. Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, CRCA;

13. Rrjeti Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri: VEPRO PËR FËMIJËT;

14. Rrjeti për Promovimin e Grave dhe të Rinjvë në Politikë;

15. Studio G & G Group;

16. Shoqata Mjedisore 'Mjedis, Energji, Natyre, Vleresim’ - MENV Group;

17. Zyra Qytetare e Mbrojtjes se Mjedisit - ZQMM;

18. Unioni i Eskpertëve Mjedisor Shqiptarë – UEMSH.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat