"Mbreti ynë që je në qiell, fshehtësinë nuk e dhashë!"

Opinione

"Mbreti ynë që je në qiell, fshehtësinë nuk e dhashë!"

Nga: Gani Mehmetaj Më: 1 shtator 2018 Në ora: 08:06
Gani Mehmetaj

Kur desha ta mbyllja kasetofonin, sepse mendova se i dha fund dëshmisë, ai ma ndali dorën dhe më luti të më tregonte edhe diçka.  

-Z. Lekë, këtë që dua të ta them, ndoshta të duket fantazi, imagjinatë apo shpikje, por me beso se çastet  e fundit të atë Gjergjit nuk më hiqen asnjëherë nga mendja. Kanë kaluar pesëdhjetë vjet, por pamjet më duken si të ishin dje, - vazhdoi ai me një tis të hollë të nostalgjisë. Një pikë loti ia ngjëronte qepallat.

–Në aftësinë time të leximit të mesazheve të fshehta, mora pjesë në një seancë. Do ta them, por mos me merr për të çmendur, as për të përhenët. Në të shuar, padër Gjergjin e rrethoi një brerore e argjendtë. Drita e brerores lëvizte nga periferia në qendër, në formë rrethore. Ai pëshpëriste lutje. Fytyra e tij mori pamjen e njeriut të ekzaltuar, që shkëlqente nga lumturia. Ai shihte vegime. Një herë e lexova në buzët e tij fjalinë: “mbreti ynë që je në qiell...”.

Thashë mos u gabua, sepse duhej të thoshte “ati ynë që je në qiell...”, por ai vazhdonte me një lutje ndryshe. Ai po e përsëriste  betimin. Më kapi veshi një formulë të vjetër të betarëve, kur e ruanin një fshehtësi. “Fshehtësinë nuk e dhashë”, jam i sigurt se ia tha vegimit. Pastaj përpiqej të shtrinte duart drejt qiellit, duart që i dridheshin, të mbërthyera me tel të hollë çeliku.

Nga fundi nisi të këndonte heshtazi me buzët që mezi i lëviznin “ati ynë që je në qiell...”

Jam i sigurt se herë i paraqitej figura e mbretit tonë, herë figura e mbretit të qiellit. Shikonte në të majtë, herë në të djathtë. Në këto çaste ai dha shpirt. Koka e varur e dom Gjergjit me sy të shuar, sesi m’u duk, sikur m’u hoq një pjesë e qenies sime, e trupit e mishit tim, diçka m’u shkëput nga kraharori. M’u dhimbs, ndërsa s’guxoja të shprehja dhimbjen time.

Pa dashje më shkrepi: athua me vdekjen e fratit françeskan po shuhej fshehtësia më e madhe?  Athua françeskanet që përfunduan në tortura apo u grinë nga plumbat, e morën me vete fshehtësinë më të pazbërthyeshme në njëmijëvjetëshin e fundit. Kjo pyetje më doli pa dashje, ndërsa e shikoja fytyrën e munduar të padër Gjergjit, të vdekur e të zbehtë, me duart e mbërthyera me tel të hollë çeliku në karrigen e hekurt. Për një moment sesi m’u duk si ikona që e mbaja dikur në dhomën e gjumit.

Kur u përmendën hetuesit nga dy vdekjet e papritura, në birucën e errët të burgut të Shkodrës më thanë të mos e nxirrja asnjë fjalë. M’i morën shënimet. Ikën secili në punët e veta. Dy kufomat i nxorën policët. Nuk e di sesi shpëtova, frikën ua pata gjithë jetën sigurimsave. Çdo zhurmë në derë më provokonte alarmin: po vijnë të më marrin, sepse dija gjëra që atyre nuk u pëlqenin. Sigurimi i hiqte qafe njerëzit që dinin edhe më pak.   

Derisa brenda u shuan dy shpirtra, jashtë grupe partizanësh marshonin në qytet, duke kënduar këngët e tyre...

Turma u brohoriste e ekzaltuar.

Disa vjet më vonë dëgjuam se hetuesi jugosllav, duke kaluar ilegalisht kufirin hungarez, u vra. Donte të kalonte në Bashkimin Sovjetik, kur u mbyllën kufijtë e Jugosllavisë me kampin e shteteve socialiste.

Hetuesi shqiptar u pushkatua në të njëjtin vit me akuzën për tradhti, sepse bashkëpunoi me jugosllavët.

Varri i fratit françeskan e majorit gjerman nuk u mësua kurrë. Pa varre mbetën edhe dy torturuesit e tyre, - e përfundoi rrëfimin plaku Zef.

Një copë herë plaku Zef nuk bëzajti, as nuk u ngrit nga karrigia. Nuk shihte asgjë. Nuk mendonte asgjë. Dukej i zbrazur. I shushatur mbeti edhe Lekë Drini. Nuk dinte si ta thyente heshtjen.

Dikur plaku u ngrit rrëmbimthi, ia shtrëngoi dorën përzemërsisht arkeologut dhe iku i shkarkuar nga një barrë e rëndë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat