Asgjë nuk shkon, e provuam me heshtje e durim, asgjë nuk ndryshoi për të mirë.
Nuk e përkrah protestën e sotme pse e ka organizuar akëcila parti politike a lider, do i përkrahja thirrjet e sotme edhe po të organizonte dikush tjetër prej cilitdo grup shoqëror.
Do më bëhej qejfi të vazhdonte protesta e revolta derisa diçka të ndryshojë (veçse me tonat simbole, me simbolet e shtetit për të cilin po luftojmë ta mbajmë në këmbë).
Nuk mund të mohoj gjithçka që është bërë, p.sh. cilësia e arsimit lë shumë për të dëshiruar, por rrethanat për të studiuar në universitet publik janë bërë më lehtësuse. Kujtoj të kem përfituar nga kjo.
Shumë shtete e kanë njohur Kosovën e shumë emra të të rinjëve të Kosovës përmenden në botë për sukseset e tyre.
Por nuk mjafton kjo që të ngushëllohet çdokush që është pjesë e këtij shteti. Koha nuk na fal!
Si i bëhet që pas një kohe çdo gjë në shtet paskësh nevojë për korrigjim? Kufijtë, listat e veteranëve e kushedi çfarë tjetër pritet.
Jemi popull i sfiduar me pritjen.
Rini e izoluar, viktimë e një ekonomie të dobët, e një tregu të punës që nuk të fal se duhet llogaritur gjithmonë nepotizmin si faktor... E një arsimi që çalon në cilësi, e një sistemi të shëndetësisë edhe vetë në thelb të sëmurë ngase mungon çdo gjë.
E pozitave pa pardon qoftë edhe zyrtar të fotokopjeve, e korrupsionit, varfërisë e papunësisë në shkallë të lartë. Po iu kursej nga statistikat, jeta e përditshme është shembulli më i mirë ilustrues.
Një artitekturë e dobët, infastrukturë që i duhen meremetime shpesh anipse një pjesë të madhe të buxhetit e ka absorbuar ndër vite.
Energji elektrike që nuk ia del për kohë të gjatë pa filluar me vazhdën e ndaljes, mos të ndalem te importi, tashmë dihet.
Pritje e pritje në insitucione, dëshira në rritje për të depërtuar në zemër të Evropës, sistem të drejtësisë që veç drejt nuk ecën.
Mangësi ka plot sistemi e ne jemi pjesë e tij, prandaj çdo rrugë duhet të na çojë në cakun e njëjtë ku kërkojmë të drejtën tonë për një shtet më të mirë!
Në çfarë Kosove do të donit të jetonit ju? Jam e sigurt që jo në këtë!
Kjo nuk është Kosova në të cilën e shoh veten teksa realizoj synimet e mia, kjo nuk është Kosova në të cilën dua që më të dashurit e mi të plaken, kjo nuk është Kosova ku do të doja që fëmijët të më rriten!
Por shëmbëlltyrë e kësaj Kosove jam edhe unë e prandaj, duke u nisur nga vetja, do të më duhet ndërgjegjësim e përgjegjësi.
Të jem qytetare që kontribuoj qoftë me taksa, qoftë me punë të ndershme a vullnetare, qoftë duke qenë paguese e rregullt, shofere e kujdesshme, jo studente e dijes së skriptave, jo e tillë që i nështrohem proceseve si të vijnë pa i vënë në pikëpyetje.
E tillë që i shërbej të vërtetës edhe kur nuk më konvenon, që nuk hesht kur duhet të flas duke u bërë bashkëautore në prapësi, e tillë që e ndihmoj dikë që është në pozitë më të keqe se unë apo të tjerët.
Ndoshta kjo persiatje do iu duket utopike, veçse duhet rrëzuar sistemet e dështuara, duke kultivuar vlera që çojnë përpara një shoqëri.
Nëse një shembull i tillë nuk vjen nga lartë duhet që me shumë mund të kultivohet nga poshtë.
Uroj të mos na gjejnë ditët e vitet në kaosin e njëjtë!
#njëpopulliështënënshtruarvuatjes.