Edhe shpirti yt të bën dava!

Opinione

Edhe shpirti yt të bën dava!

Nga: Kimete Berisha Më: 27 tetor 2018 Në ora: 15:02
Kimete Berisha

1. 'Madam Bovary' më ka pëlqyer shumë. Ende pa e njohur dashurinë, si vajzë shumë e re e kam lakmu ikjen nga odat me tym cigare deri te llusteri; nga meselet e kota që për personazh kanë pasur vetëm meshkuj (thuajse asnjë pleqnare femër s'ka ekzistu); nga emisoni i RTP 'Gllogovci 19??'; nga të dielat e zhurmshme dhe nga jeta pa romantikë.
Ana Kareninën po, por Madam
Bovaryn diqysh e kam kuptu me zemër, nevojën e saj të sëmurë, për një jetë letrare, romantike, si në romane, një jetë ku dashuria i zgjidh të gjitha problemet.

2. Problemi është se shumica prej nesh nuk ia dinë hallin vetes dhe gjithmonë ndjehen më dikushi se sa që janë, më dikushi dhe më ngritura se të tjerët.

Si Emma Bovary! Ajo nuk ishte krijuese, por e frymëzuar nga romanet (të cilat, kur janë të mira kurrë nuk përfundojnë me happy end, sepse happy end nuk ka), pra duke lexu romane, dikur edhe vet Emma ndjehet si romansiere, shumë më lart se burri i saj Charles Bavary, i cili po, është mediokër, kokëbosh dhe monoton, nuk i plotëson pritjet e saj eomantike, sepse i ka të gjitha karakteristikat që e mbysin romantikën.

(Por ama duke u plakur ti e kupton më mirë romanin, e kupton kush ishte më budalla: më kokëbosh ishte ai që jetonte me gruan që e dashuronte dhe bënte çmos për të, apo ajo që kujtonte se dashuria është ideale dhe jeton gjithkund përveç në zemër).

3. Një pordhë e lëshuar pa dashje (sidomos nga femra) e prishë tregimin e dashurisë dhe romantikën e lëre më tjera sende. 
S'ka vend për romantikë.

Dhe njeriu (sidomos femra) krejt kohën 
e kalon duke u shtirë, se me t'ju fry hundëve derisa të kërcasin veshët, me t'ja lëshu gogsimën sa kemi kapacitet fizik dhe me t'ju përgjigj pozitivisht nevojave gazike të trupit, e kishe pa ti romantikën, as qeni nuk na kish nejt afër, i cili kurrë mos m'u la nuk kundërmon sa njeriu që nuk lahet një javë.

S'di pse dashuria idealizohet, dhe privohet njeriu nga e drejta elementare për me qenë banal, ashtu siç është. 
A ka taksirat më të madh, sesa duke folur për dashurinë e Talatit me Fitneten për shembull, me të shpëtu 'p.rdh.', jo që i vjen era xeher, por ajo i jep vulën e banalitetit romantikës.

Ose me t'pshtu mo Zot, duke i propozu martesë pranë kullës së Eiffelit. 
M'i pshtu i pshton, me lshu e lshon, veç kryesore mos m'u ditë adresa e saktë prej nga doli, me ja ndal volumin, e pastaj, a e ke pa, bash ai që e lshon, i pari thotë 'a po të duket bre u lshu njëfarë ere si e veve t'zime, si ufull si benzin si, pyfe'.

4. Ka vajza e nuse të reja, që si Madame Bovary (e rritur në manastir) pa asnjë arsye ndjehen aristokrate dhe më dikushi se katundarët tjerë. Meqenëse s'ka te shqiptarët 'budallë' si Charles Bovary, që t'ua ngojnë qejfet e t'i trajtojnë si dama, ato lypsin çare aty ku dikush i mashtron dhe ua arsyeton madhështinë e rreme.

Na kanë mësu m'u mashtru prej se jemi lindur. 'Jepja një lodër-mashtroje'; merre shetite pak-mashtroje; tregoja naj përrallë-mashtroje.

Pra, ne kemi nevojë, në gjak e kemi nevojën me na mashtru.
Dhe për sherr gjithmonë del dikush që na e plotëson atë nevojë.

5. Kanë filluar të shpeshtohen rastet ku disa nuse e vajza ikin nga realiteti për të gjetur strehim në 'romane' e në 'seriale'.

Meqenëse romanet e vërteta e imitojnë jetën dhe sikurse jeta as ato s'kanë fund të bukur, edhe ikja e Madame Bovary nga Kosova është e shkurtër, zgjat sa një episod i një seriali turk (që për mua janë serialet më të prapambetura në botë. Aty fëmijë e të rritur marrin modelin më të keq të maskarallkut dhe të mënyrës më primitive të jetesëd).

Është e tmerrshme kur sheh djalin burrë duke komentuar për personazhet e këtyre serialeve (e duke ua shikuar edhe reprizat).

6. Kur kaloj nëpër fshatra, e shoh çika të reja, më dhimbsen shumë, sidomos kur i shoh të hingirizen bashkë të lumtura, kur e din ti se shpejt del sikush e ua ngrin buzëqeshjen në fytyrë.

Djemt' më dhimbsen më pak se këtu te ne, edhe mashkulli më i keq e 'sundon' femrën, dhe e trajton si 'qenin' e stërvitur që i jep urdhëra kur me hesht, se me folë s'ka nevojë, pa pas ndonjë zor të madh.

Gratë (që vetëm kur të plaken rrëfehen për padrejtësitë e rinisë) edhe sot e kësaj dite tregojnë se si kur nisen me shku me ndejtë me burrat e tyre në ndonjë shoqëri, ata ua japin paraprakisht udhëzuesin me rekomandimet, qysh m'u sill dhe çka me folë.

Veç ngo. Nëse t'vet dikush qysh je përgjigju shkurt me 'po, jo'. kaq. Mos zgjat muhabete. 
Ato pastaj i ngojnë burrat dhe 'ci ci ci', çelin muhabete me njëra tjetrën.

Por është magjike se si femra vetë ka qejf me qenë nën burrin. E kanë hetu ata. Ato duan që burri të jetë shumë 'i rrezikshëm' i fortë. 
Me bë me lshu veten, e m'u sill butë, pastaj burrin e dhj.jnë në gojë gratë, se ato që i kanë burrat e urtë vuajnë pse detyrohen m'u sill vetë si burrat, prandaj i trajtojnë si hiça e i shkelin, si shenjë proteste, pse jini ju kaq 'kurrkushi', demek të butë.

Pse ndodh kështu në mendjen tonë? 
Sepse, mendojmë se njeriu që zgjidh probleme është gjithmonë dikush i fuqishëm dhe i rrezikshëm. 
Nuk mendojmë se mashkulli i butë e i urtë ta zgjidh naj problem.

7. Me folë kah del shpirti, shtëpitë janë të burrave, kerret janë të burrave dhe sado që shoviniste të tingëllojë kjo, lodrat janë të burrave.

Sikur të ishte ndryshe dhe gruaja të kishte më shumë guxim për të jetuar e pavarur dhe sikur të bindej se burri nuk i zgjidh problemet e saj, por ia shkakton ato, sepse s'arrin njeriu t'i zgjidh as të vetat, se njeri është edhe ai, atëherë gratë do të iknin nga shtëpia e burrit në 'romane' edhe në pleqëri, veç për ta provu 'çka është dashuria'.

Njerëzit nuk ikin nga e keqja veç pse s'kanë guxim, dhe se janë të bindur që s'kanë ku shkojnë, e jo që e lënë për moral e për urtësi. Je njeri të urtë s'ka. Ka vetëm njerëz që nuk kanë guxim.

8. Për shkak se njeriu me pronën e tij bën çfarë do, edhe me gruan e tij, që e konsideron si pronë dhe plus si lodër, bën çfarë do. 
Më së shumti parapëlqejnë t'u thonë 'lopë', e pastaj vijnë shamjet me nanë, me farë të fëlliqtë, me debile e kështu me radhë. Krejt kjo për ta vetëdijësuar 'pronën' që s'ka kah ia mban.

9. Shumica prej nesh jetojmë me ata që s'kanë tjetër ëndërr veçse të largohen e të ikin prej nesh. 
Si fëmiu që s'ka ëndërr më të madhe sesa të pavarësohet nga prindi, pa marrë parasysh çfarë prindi të mirë ka.

10. Dikush ka ëndërruar të bëhet balerinë e tash i shkon dita tuj u mbajtë n'fshisë t'oborrit. Gjynah. Ëndrra e bukur ta shkatërron jetën.

Sa kush ka ëndërruar të bëhet spikere e radio prishtinës, e u plakë tuj u hëngër me reja që po ashtu u kanë mbetur ëndrrat peng, e duke u mbajtë fjalime kojshikeve për nivelin e ulët të spikereve t'sotit;
Dikush ka ëndërruar të bëhet artiste, e tash i shkon jeta duke e aktruar jetën e vetë. Dhe duke kënduar në banjo para pasqyrës me dush në vend të mikrofonit.

11. Gjithë ditën mbaj dietë; ec, ushtro, ha ushqime të shëndetshme e pi tambël pa yndyrë, kot, kur me një fjalë të keqe (si tërmeti) të gjitha i rrënon.

Trupin po, por si ta udhqejmë shpirtin, si të mbrohemi prej lakmiaë e t'i disiplinojmë ëndrrat e qejfet tona; kur prej se të çohemi e deri sa të na merr gjumi na rrahin me fjalë t'rënda..

Shamje më të rëndë se me t'thënë 'je trashë' n'ditë t'sotit s'ka. Është njësoj si me ta lënë thikën n'qafë. 
E sa më shumë që t'shohin që e mban veten aq më shumë t'i numërojnë rrudhat. Mezi s'presin me t'pa t'plakun.

Cila dietë e trupit mund t'i rezistojë shpirtit të zemëruar. Asnjë hiç. Mjafton një zemërim, një inat i madh dhe një mërzi me të bë për hoxhë.

E cila është dieta më e mirë për shpirtin, përveç mirënjohja për atë që ke dhe njerëzia. Por ato virtyte të larta mund të përvetësojen tek mbasi të plakesh, të shkrumohet jeta e s'të hyn më në punë e s'ja sin lezetin iluminimi.

12. Pastaj janë xhelozia e lakmia që njeriut sot ia shkatërrojnë jetën. Shih gjithkah shkapërderdhur rrjetit foto 'të lumturisë' e kujto ti që krejt u kënaqën përveç teje.

Shih shoqen e klasës që s'ka ditë qurrat e veta m'i fshi, e sot ajo 'vendos' për 'çështje madhore
të kombit', kurse ti që e ke lexu Dilan Tomasin je mbet tuj qitë çaj sabah e aksham. 
Ec e mos plas.

13. Kështu, mendoj se pak kam dashur dhe prandaj krejt çka kam dashur e kam, nuk më mungon gjë mendoj, veç po e hetoj veten kohëve të fundit, ja kam nis me lakmu në një xhip t'kerrmezt që shkon si n'teget, hajr ishalla. 
Kjo sa për t'u ditur se s'ka njeri që nuk mëkaton.

Për sherr në një rrugicë të ngushtë në Prishtinë, ballë për ballë me Ganimeten, deputetja me xhip kuq e zi, me këqyri për besë dhe m'u duk qeshi me mjerimin tim, jo me mu po me kerrin tim, se mua m'u dasht me çu atë perden e tavanit t'kerrit që u çkap, e me të n'kry si me shami po voziti.

Njëherë i lakmova thashë nanën ja kajsha, gjithë ky angazhim imi kombëtar, gjithë kjo sakrificë, pse unë kaq e vuajtur, po mbasandej u mashtrova, u habita mbas do romaneve e m'u hjek lakmia, por jo krejt, s'mu ka hjek krejt, ende po m'kap
gjallazi, po lakmoj kapak sa me helmu shpirtin.

Që me i dhënë kapak vuajtjes time, njana e Drenicës e fortë politikisht, me xhip edhe ajo, më pa një ditë duke u rropatë me parku kerrin kah ministria, askund tokë nën këmbë për m'u, u afru e më tha: 'A po të ndihmojnë llajkat e fansat me parku kerrin'. Thashë, jo tybe. Dhe e pranova që egërsia e saj ishte shumë kreative.

14. Njerëzit nuk mund t'i shëroni nga nevoja për të ikë nga jeta prozaike. 
Kur përjetoja përpara 'bllok kreativ' s'di a ju kam tregu se isha e bindur se shpija ku jetoj ka faj, se me pas qenë e kthyme kah lindja, veç pak më në të djathtë, kisha shkru gjana që m'i qitë n'dy gjujtë lexuesit.

15. Dikush tjetër gjithmonë ka faj për dështimet tona. Se përndryshe m'u bë paditës dhe gjykatës i vetvetes, tranohesh. 
Mos e mundo veten se thonë 'Shpirti bën Dava', që do të thotë 'Shpirti të padit', pra, përveç tjerash do të paditemi edhe nga shpirti ynë.

16. Por, në ja keni hatrin shpirtit dhe Zotit, provoni e silluni mirë me gra, me nuse e me vajza, me gra të veja e me nëna që rrisin jetima, se është shumë sevap, dhe pyetni veten se pse vetëm ne shqiptarët në botë e kemi idiomën për vajzat dhe themi 'ka lind në shtëpi të huaj, e shkon në shtëpi të vet'.

17. Dhe për fund du me ju tregu që më duket jam
gati me zbulu burimin e pakënaqësisë njerëzore:

- E para, pak veta e kanë marrë apo e kalojnë jetën me atë që e duan vetë (ky është burimi i burimeve të pakënaqësisë dhe burimi i të gjitha sëmundjeve); 
- E dyta, pak veta janë bë ata që kanë dashur të bëhen. 
- E treta, më mirë mos me qenë krejt i lumtur dhe i kënaqur me veten, sepse kur vjen fundi ka rrethana lehtësuese, të dhimbset jeta më pak sepse (po ma merr mendja) të duket se humb më pak. .

18. Askush nuk të shpëton nga vetvetja. 
As nuk të bën ty ajo që ke qejf ti 
Gjithkush është i zënë me ëmdrrat e veta, të cilat për t'i realizuar së pari duhet të zgjohesh nga gjumi, e edhe derisa të realizohen e humbasin kuptimin.

19. Emma Bovary në fund e mbyt veten, sepse e kupton se dashuria nuk nuk krijohet, as nuk del nga romani, as nuk është dhuratë, as nuk blihet me
para, as me dije, as me bukuri. 
As dashuria kurrë nuk është më e bukur se realiteti. Ai realitet që s'ka asnjë troshë romantikë.

P.S. E megjithatë është një fjali e vetme që ta qetëson shpirtin e të pajton me veten:
'E ka shkru Zoti'.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat