Serbia me lot krkodili po e shantazhon Kosovën

Opinione

Serbia me lot krkodili po e shantazhon Kosovën

Rexhep Torte Nga Rexhep Torte Më 23 nëntor 2018 Në ora: 12:25
Harta

Lajmi i hidhur që arrijti  më 20 nëntor 2018  nga Dubai, se në Asamblen e Përgjithshme të Interpolit  Kosova nuk nuk u pranua  në radhët e tij, i habiti, zhgënjeu  dhe i  irritoi tërë shqiptarët kudo jetojnë. Prononcimi i Hashim Thaçit, president i Kosovës se, “ mospranimi i Kosovës në këtë asociacion ishte rezultat i një propagande të ashpër nga Serbia dhe se  duhet vazhduar bisedimet Prishtinë- Beograd në Bruksel për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për dy vendet”. Prononcimi i Ramush Haradinajt, kryeministër i Kosovës se, “ mospranimi i Kosovës në Interpol i bën shërbim krimit dhe kriminelëve”. Prononcimi i Behgjet Pacollit, ministër i Jashtëm i Kosovës se, “ në do të vazhdojmë të sillemi në mënyrë konstruktive”. Prononcimi i Vlora Çitakut se, Fitorja e kombëtares kosovare  nuk e kompenson dështimin tim dhe të kolegëve të mij, sepse na dhatë një leksion të mirë, na mësuat si bëhet ekipi dhe si luftohet për fitore”. Këto prononcime  na duken  tejet të papërgjegjshme, sepse të themi të drejtën  kemi pritur dorëheqje të parevokueshme të këtyre udhëheqësve të lartë të Kosovës, të paktën si një  akt moral të tyre, sepse kosova ka kuadro për të bërë zëvendësime të qëlluara. Me këtë rast mësuam se Fondi për lobim i Kosovës  ka shpenzuar miliona euro, përfshirë këtu edhe 1 milion euro shtesë që ka dhënë Qeveria e Kosovës që Kosova të jetë anëtare  e Interpolit. për të njejtën gjë edhe Qeveria, dhe se në  mbledhjen e radhës të Kuvendit të Kosovës do të kërkohet llogari se ku janë shpenzuar këto para që nuk sollën  sukses.

 Kjo dëshmoi edhe njëherë se apeli ynë i vazhdueshëm se është dashur dhe duhet pa vonesë të përkthehen në gjuhë të huaja dhe të shpërndahen nëpër botë librat e botur në Kosovë për dhunimet makabëre të  femrave shqiptare nga  ushtria dhe paramilitarët serbë si edhe për vrasjet, djegiet dhe shkatërrimet që bëri Serbia në Kosovë në vitin 1999. Këto tekste të përkthyera dhe të shoqëruara edhe me fotografi do të kushtonin shumë më pak euro,por me siguri do të kishin efekt sensibilizues  tejet të madh në arenën ndërkombëtare.

Po e përsërisim. Të gjitha këto që po i dëgjojmë, lexojmë apo i shohim nëpër ekranet televizive,flasin qartë se mbi Kosovë ka filluar të shtrihet  një re e zezë. Për këtë  situatë të  krijuar pas çlirimit të Kosovës dhe pavarësimit të saj me aqë viktima e sakrifica  fajtorë kryesorë janë lidershipi i Kosovës dhe partitë politike kosovare, të cilat në rend të parë vunë bajraktarizmin,korrupsionin, interesat vetjake dhe partiake duke   e lënë pezull  forcimin dhe promovimin e shtetit të Kosovës. Ky lidership aktual i Kosovës do të mbetet në historinë shqiptare si lidershipi më i dobët. Shqiptarët e Kosovës kanë mijëra fakte bindëse për ta demaskuar  Serbinë ndërkombëtarisht, por vetëkënaqësia, karierizmi dhe antagonizmi për pushtet i vuri në gjumë. Në vend që  parreshtur ta mposhtin   Serbinë para botës me fakte të gjalla e bindëse si edhe ta bindin faktorin ndërkombëtar për tmerret që ndodhën  në Kosovë nga serbët,  lidershipi kosovar po merret me vetveten duke pritur që dikush tjetër tua kryen punët. Doli në shesh se tjetër gjë është ta fitosh lirinë dhe tjetër gjë është ta forcosh shtetin.

Koha po dëshmon  se një herë në njëqind vite lindin patriotë të zellshëm,  të ndershëm e modestë  si Ukshin Hoti, Fehmi Agani dhe Adem Demaçi. Gjer vonë Adem Demaçin e patëm në mesin tonë, të cilin  Zoti na e kishte falë aqë  trim, atdhetar, të mençur e  fisnik, por nuk u denjuam ti japim të paktën një vend deputeti në Kosovë,  e jo më ndonjë post më të lartë, edhe pse baca Adem i kishte të gjitha dhuntitë, zotësitë  e nishanet  për të patur postin më të lartë ne shtetin e Kosovës, me çka do të na ndihmonte dhe nderonte të gjithëve. Rast më vete është trimi legjendar Adem Jashari që ra dëshmor heroikisht sëbashku me familjen dhe fisin e tij në Prekaz, nga forcat e mëdha ushtarake e policore serbe ku u vranë 56 anëtarë të Jasharajve  mes tyre edhe gra, pleq e fëmijë. Si është e mundur kjo papërgjegjësi dhe ky korrupsion i lidershipit në Kosovë që shkel mbi këto viktima dhe mbi  gjakun  patriotik  të të rënëve për liri e pavarësi.

Hashim Thaçi, president i Kosovës, ndjehet komod dhe i vjen mirë  të qëndrojë  një kohë të gjatë në postet më të larta shtetërore dhe sillet sikur me  të ka lindur  Kosova dhe  harron fare sa burra patriotë ka patur  Kosova shumë kohë  para tij. Hashim Thaçi promovoi në Londër e Paris librin e tij “Kosova shtet i Ri”, si edhe librin autobiografik të tij, por nuk i shkoi kurrë nëdëmend të merr nismën ti përkthejë e ti shëprndajë nëpër botë librat e botuar në Kosovë për dhunimet e femrave shqiptare nga ushtarët e paramilitarët serbë dhe për luftën shkatërrimtare që Serbia e bëri në Kosovë. Këtë gjë nuk e bëri as Behgjet Pacolli, ministër i jashtëm dhe  biznesmen i dalluar në Kosovë, i cili ka avionin dhe jahtën e tij, ka shumë para, por ja që aty ku është më se e nevojshme  tregohet i indiferent.. Sa dobiprurëse do të ishte që lidershipi kosovar në të gjitha takimet brenda dhe jashtë shtetit partnerëve përveç bisedimeve që do të zhvillonte  tua jepte edhe  nga një kopje të këtyre librave që flasin më shumë se qindra  diplomatë në të mirë të Kosovës. Shpërndarjen e këtyre librave mund ta bën me shumë sukses edhe Vlora Çitaku, përfaqësuese e Kosovës në OKB, por ja që ende nuk e kënë bërë një gjë të tillë kaqë të nevojshme  e të domosdoshme për Kosovën.

Të dhënat historike flasin se mbreti Bardhyl ishte  themeluesi i  mbretërisë Ilire në shekullin e IV para Krishtit dhe kjo mbretëri shtrihej nga Trieshta e gjer në Gjirin e Artës në jug. Të dhënat historike tregojnë se para 2500 viteve  mbreti Bardhyl e kishte ndërtuar  Citibardhin  (Beogradin e sotëm). Duhet tu themi serbëve e të tjerëve se  para 2500 viteve  Beogradi e ka folur ilirishten.

Më shumë se 20 vite me shkrimet e mia e kam botuar edhe Hartën e Enciklopedisë Ruse të vitit 1817, ku shihet Serbia e vogël  sa  Sanxhaku i Beogradit, të cilin e kanë okupuar serbët me ardhjen e tyre nga Karpatet. Ndërkaq historianë shqiptarë, te huaj dhe historianë serbë e pranojnë se fiset ilire-shqiptarët  kanë banuar e jetuar gjer në Qupërli (Qupri) përtej Nishit. Këto të dhëna  historike  i dëshmon  edhe Faksimili i hartës së Enciklopedisë Ruse të vitit 1817, ku shihen  qartë  kufijtë realë të Serbisë në periudhën e viteve   1804, 1810, 1812, 1815, 1820, 1867 që janë shënuar në brendinë e kësaj harte. Kjo hartë e Enciklopedisë Ruse flet qartë se nuk është e vërtetë atë që thonë serbët  se  Kosova me shekuj paska qenë e Serbisë. Kufijtë e sotëm të Serbisë  ku janë  përfshirë trojet shqiptare  janë arritur vetëm  nëpërmjet ekspeditave  të përgjakshme serbe ndaj shqiptarëve.

Edhe kjo hartë është më se e  nevojshme të shpërmdahet nëpër bote dhe t’i hudhet në tavolinë edhe Aleksandër Vuçiqit në  bisedimet ne Bruksel, edhe Frederika Mogherinit e kujtdo tjetër. Këtë ma thotë eksperienca ime dhe instikti i fuqishëm i gazetarit  me përvojë gjysëmshekullore në  gazetari.

Kjo do tia mbyllte gojën edhe  Patriarkut Irinej të Kishës Orthodokse Serbe i cili më 18 tetor 2018  vizitoi Patriarkanën e Pejës, Graçanicën dhe Manastirin e Deçanit,  me ç’rast  plasoi    gënjeshtra irrituese se gjoja  Serbia me shekuj e ka patur Kosovën  që tani na i qenka grabitur. Patriarku Irinej duhet ta ketë të qartë se tërë territori i Kosovës ka qenë tokë e  Ilirëve, pasardhës të të cilëve janë vetëm shqiptarët dhe se kishat e manastiret  ekzistuese janë  ndërtuar në  trojet shqiptare të okupuara nga serbët me ekspedita të përgjakshme,me agresion e krime duke i dëbuar shqiptarët, ndërsa shqiptarët gjatë tërë historisë së tyre nuk kanë okupuar as edhe  një pëllëmbë tokë të huaj. Edhe në kohën që ne  po e jetojmë Serbia në shekullin e 20-të ka nxitur dhe filluar tre luftëra  të përgjakshme, shkatërrimtare e gjenocidale,  edhe atë në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë  dhe në Kosovë. I din mirë Patriarku  Irinej gjenocidet dhe terroret që serbët i shkaktuan në  Srebrenicë, Potoçare dhe Vukovar. Serbia fillimisht në Kosovë suprimoi administratën, pastaj arsimin e të gjitha niveleve në gjuhën shqipe e pas kësaj e okupoi Kosovën me dhjetëra mijëra ushtarë  të armatosur  gjer në dhëmbë dhe me armatim të rëndë karshi popullit shqiptar duarthatë. Ushtria serbe në Kosovë vrau 15 mijë shqiptarë, në mesin e tyre gra, pleq e fëmijë,dhunoi në mënyrë shtazarake 18 mijë femra shqiptare, krijoi  shumë varreza masive, dogji qindra mijëra shtëpi, shkaktoi   eksodin e 1 milin shqiptarëve, ndërsa  edhe sot e kësaj dite nuk dihet fati i 1860 shqiptarëve  të  pagjetur. Kjo don të thotë se Serbia e bëri Kosovën shkrumb e hi. Nëpër tërë Kosovën e pavarur tashmë shihen  varrezat  e shumta përkujtimore të rregulluara e të sistemuara bukur ku prehen bijtë më të mirë shqiptarë  që  flijuan  jetën e tyre për çlirimin e Kosovës. Kjo flet qartë se çdo pëllëmbë toke e Kosovës është larë me gjak. Egzistojnë dëshmi  historike se serbët janë ardhacakë në Ballkan. Hordhitë serbe me vrasje  i kanë  dëbuar shqiptarët nga këto vende  dhe i janë afruar edhe bregdetit të Shqipërisë, por në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, dhe në Konferencën e Paqës në Paris në vitin 1920, u vendosën këto kufij aktualë edhe pse në dëm të shqiptarëve. Në viset e okupuara serbët me shpejtësi  i kanë zevendësuar   toponimet vendase  me toponime serbe dhe i  kanë ndërtuar kishat dhe manastiret orthodokse  serbe.

Aleksandër Vuçiq, presidenti i Serbisë, dhe tërë lidershipi i Serbisë në vazhdimësi  janë duke propozuar   sipas tyre një Marrëveshje  kompromisi me Kosovën, gjoja siç thonë ata që Serbia të mos del humbëse. Lidershipi serb  me gënjeshtra  të njëpasnjëshme arrijti të sigurojë koheve të fundit  tetë kongresmenë amerikanë që me anë të një letre dërguar Mike Pompeo, sekretarit të përgjithshëm të SHBA-ve, të lobojnë që  z. Pompeo të ofrojë mbështetje për përpjekjet e Serbisë në arritje të paqes me Prishtinën nëpërmjet bisedimeve. Kjo tregon  se kur  në Kosovë maçori fle, minjtë heqin valle.

Është çasti i fundit që lidershipi i Kosovës të zgjohet nga gjumi  dhe të mos mendojë se dikush tjetër duhet ti kryejë punët e tyre. Pa humbur kohë duhet nisur një  punë intensive propagandistike me tekste e fotografi për gjëmat që serbët i kanë bërë në Kosovë. Duhet  të arrihet konsensus mbarëkosovar e mbarëshqiptar për sfidat që e presin Kosovën, sepse  i vetëm askush në botë nuk mund ti kapërdijë këto kafshata që Hashim Thaçit i duken  të vogla. Asnjë bisedë me Beogradin nuk duhet të niset pa u zbuluar personat e pagjetur dhe pa kërkuar Serbia falje publike për të gjitha  krimet   që ia ka shkaktuar Kosovës. Për bisedimet Prishtinë-Beograd lypset një  unitet i çelniktë brëndakosovar dhe të përgatitet një platformë serioze e përmbajtësore. Serbia ende synon që Kosovën ta mbajë si koloni. Ajo kundërshton fuqishëm themelimin e ushtrisë së Kosovës edhe  pse kjo ushtri  themelohet për të mbrojtur pragun e shtëpisë. Serbia dëshiron  ti shet prodhimet  e saj në Kosovë duke mos blerë asnjë prodhim  nga Kosova.

Serbia e njeh mirë  frigën  dhe kjo deshmohet nëpërmjet kërcnimeve të saj ndaj Kosovës. Kjo u dëshmua edhe me reagimin e Serbisë  pas  vendimit të Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind ndaj mallrave serbe. Ky vendim i Kosovës për mallrat serbe  edhe pse i vonuar u tregua shumë i qëlluar, i domosdoshëm dhe në kohën e duhur. Gjersa të disiplinohet Serbia ky vendim i taksës doganore nuk duhet të tërhiqet. Me këtë rast  edhe Shqipëria duhet të tregohet vigjilente dhe ti del në  ndihmë Kosovës, ashtu siç i ndihmoi Maqedonisë duke ia lejuar portin e Durrësit gjatë periudhës kur Greqia vuri embargon ndaj maqedonisë.

Sjelljet e Brukseli nëpërmjet ndërmjetësueses Frederika Mogherini i zbuluan standardet e dyfishta të Brukseslit duke e mbajtur anën e Serbisë. Brukseli në vazhdimësi është duke  bëë shumë hile, padrejtësi dhe  mëkate ndaj Kosovës në favor të Serbisë.

Tentativa e Serbisë për shkëmbim territorresh apo ndryshim të kufijve me Kosovën është e pallogjikshme dhe e dëmshme, sepse Serbia i ka tkurrë  së tepërmi trojet shqiptare dhe i ka  ngushtuar kufijtë shqiptarë. Faktori ndërkombëtar do ti zbuste  sadopak mëkatet ndaj shqiptarëve po ta detyronte Serbinë që Lugina e Preshevës ti bashkanjgjitet Kosovës dhe asgjë tjetër. Marrëveshja ne frymën e kompromisit që tenton ta arrijë  Serbia është thikë në shpinë për Kosovën.

Mospranimi kësaj radhe  i Kosovës   në Interpoll, është këmbanë e fuqishme që duhet ta dëgjojë dhe kuptojë lidershipi  i Kosovës, se duhet bërë një propagandë më të fuqishme ndërkombëtare për krimet serbe në Kosovë, sepse po shihet qartë se Serbia me lot krokodili dhe me gënjeshtra është duke arritur më shumë se Kosova në rafshin diplomatik ndërkombëtar. Nëse lidershipi i Kosovës vazhdon me avazin e deritashëm rrezikon të humbasë edhe më shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat