Abazi: Kuvendi, arenë e tradhtive dhe lojërave të pista

Politika

Abazi: Kuvendi, arenë e tradhtive dhe lojërave të pista

Nga: G.B Më: 3 janar 2019 Në ora: 12:36
Haki Abazi

Kuvendi ka pasur mjaft kritika për punën gjatë vitit 2018. Shumë ligje mbetën të pa votuara, derisa deputetët munguan në seanca.

Për punën e Kuvendit gjatë vitit që lamë pas, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se puna e Kuvendit përkufizohet me “tradhtinë” që është bërë për ratifikimin e demarkacionit në mënyrë që të liberalizohen vizat, e që nuk ka ndodhur.

“Puna e Parlamentit të Kosovës për vitin 2018 ka qenë e kornizuar me tradhtinë kombëtare që i ishte bërë popullit dhe vendit duke miratuar demarkacionin me Malin e Zi me premtimin për viza. Të gjithë zyrtarët e lartë të Kosovës, përfshirë edhe kryparlamentarin kanë dhënë premtimin për vizat, përderisa kjo gjë nuk është bërë”, ka thënë ai.

“Arenë e lojërave të pista”

Sipas Abazit, PDK, AAK dhe Nisma janë kukulla të interesave klanore, ndërsa që PSD me votën për dialogun dhe buxhetin, e ka siguruar ngufatjen e shtetit.

“Ky parlament është vend i fatkeqësive, lojërave të pista dhe vend i tuxharëve politikë. Parlamentarët e PDK-së, AAK-së, Nismës janë kukulla të interesave klanore, ndërsa PSD kanë aktruar gjatë gjithë vitit për të votuar në fund për dialogun dhe buxhetin që praktikisht ka siguruar ngufatjen e shtetit të Kosovës”, ka vlerësuar Abazi.

Madje, Kuvendin ai e quan arenë të tradhtive dhe lojërave të pista, duke theksuar se ai po mbahet peng nga Lista Serbe dhe klanet e Thaçit dhe Veselit.

“Parlamenti është bërë arenë e tradhtive dhe lojërave të pista. Kosova nëpërmjet një parlamenti jolegjitim, po mbahet peng edhe nga Lista Srpska dhe Lista e klaneve të Thaçit dhe Veselit. Sikur edhe dy shtyllat tjera, ekzekutivi dhe gjyqësori, edhe parlamenti është kthyer në mekanizëm të kapjes së shtetit dhe me mungesë maksimale të llogaridhënies dhe transparencës”, është shprehur Haki Abazi për “Bota sot”.

Prandaj, ai ka vlerësuar se nuk guxojnë të shkojnë në zgjedhje, pasi janë të humbur dhe janë afër zhdukjes nga politika, duke shtuar se viti 2018 është i dështuar dhe vit i shpenzimeve të kota.

“Një gjë është pozitive që arsyeja pse këta nuk guxojnë të shkojnë në zgjedhje, është se do të jenë të humbur përgjithmonë. Të gjithë së bashku janë në të njëjtin kazan, atë të zhdukjes dhe avullimit nga politika e Kosovës dhe kjo është arsyeja që janë duke mbajtur njëri-tjetrin për aq kohë sa munden. Viti 2018 për Parlamentin, përveç që është i dështuar e mashtrues, gjithashtu është vit i shpenzimeve të kota. Parlamentarët nuk i meritojnë pagat për aq punë sa kanë bërë”, ka deklaruar Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat