Zhvatja e 53 milionë eurove, marrëveshje mes Bechtel-it dhe Pal Lekajt?

Politika

Zhvatja e 53 milionë eurove, marrëveshje mes Bechtel-it dhe Pal Lekajt?

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 23 mars 2019 Në ora: 12:45
Pal Lekaj

Kompania e Bechtel Enka në Republikën e Kosovës është shumë e famshme. Tash e 10 vite kjo kompani përkujdeset për asfaltimin e thuaja çdo autostrade në vend. Që nga fillimi i bashkëpunimit të qeverisë së Kosovës me këtë kompani, ka pasur dyshime për manipulime, fryrje të çmimeve, si dhe bashkëpunim të zyrtarëve të vendit me zyrtarët e saj.

Në këtë kontekst dhe në këtë vijë të bashkëpunimit, dyshohet se ka vazhduar të funksionojë raporti mes të gjitha qeverive, e edhe kësaj e cila po udhëheq sot me vendin. Kjo pasi që menjëherë pas marrjes së mandatit nga ana e kësaj qeverise, në pah kanë dalë disa probleme shumë serioze, të cilat realisht e dëmtojnë në masë të madhe buxhetin e Republikës së Kosovës.

Fjala është për ato 63 milion eurot të cilat janë argumentuar si borxh ndaj Bechtel Enkas për autostradën në drejtim të Shkupit, e të cilat kanë ngritur pluhur në politikën e vendit, pasi që janë bërë akuza e kundër-akuza të vazhdueshme si nga ana e përfaqësuesve të kësaj qeverie, ashtu edhe nga ata paraprak.

Dyshimet

Sidomos reagime të ashpra ka pasur nga ish-ministri i infrastrukturës nga radhët e Lidhjes Demokratike Lutfi Zharku, i cili kishte reaguar krejt në fillim kur është hapur si temë kjo problematikë në opinion nga Ministri Pal Lekaj.

“Ne kemi folur për 14.8 milionë, propozimi është në Qeveri për shkak të shtyrjes së afatit të punimeve. Le të tregojë Pali se si i ka bërë 63 milionë. Për çdo keq menaxhim jam në gjendje me u përgjigj publikisht dhe po e thërras publikisht sikur herën e kaluar me kallxu ku janë gabimet, nëse ka shkelje ligjore, i ftoj ministrin të shkojë në Prokurori dhe të mos flasë në televizor”, kishte thënë ish-ministri Zharku.

Në fillim, dyshime për keqpërdorime të mëdha, kishte ngritur edhe Kryetari i Këshillit Kombëtarë të NISMA-së Social Demokrate Jakup Krasniqi, i cili kishte thënë se nuk ka rëndësi a janë 53 apo 63 milion, problemi është se si erdhi deri tek ajo shumë, pse duhet t`i paguhet ajo Bechtelit.

"Për “Bechtel Enkan” do të paguajmë 53 milionë euro”. Edhe po e zëmë, se qeveria ia paska arritur që ta zbres shumën nga 63 në 53 milion. Por, kush dhe si erdhi deri të kjo shumë? Si u caktua shuma? A vërtetë nuk pat ndonjë zgjidhje tjetër? A kaq e lirë në kryerjen e punëve të Autostradave “Kombëtare”qenka “Bechtel-Enka”, sa në hallin tonë t’ia akordojmë një shumë prej 53 milionëve? Pyetjet tjera, le t’i bëjë Prokuroria Speciale e Shtetit?! Kuptohet nëse nuk janë të ngarkuar me punë të pa rëndësishme?!!!” , kishte shkruar atë kohë Krasniqi.

Hetimet e prokurorisë

Prokuroria Speciale, të cilën ne “Bota Sot” e kemi kontaktuar përmes email adresës, nuk është përgjigjur.

Kujtojmë, se në qershor të vitit të kaluar Prokuroria kishte thënë se janë duke mbledhur të dhëna lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove për Konsorciumin “Bechtel & Enka” nga Qeveria e Kosovës.

Prokuroria e Shtetit kishte thënë se së bashku me Policinë janë duke mbledhur të dhëna për të parë nëse ka elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale, e cila mund të ndiqet sipas detyrës zyrtare.

“Prokuroria së bashku me Policinë Hetuese, do të mbledh të dhënat dhe informacionet e nevojshme për t`u siguruar se a ka dyshim të arsyeshëm, se a është kryer ndonjë vepër penale për të cilën ndjekja ndërmerret sipas detyrës zyrtare”, kishte thënë prokuroria.

Njohës të fushës së ekonomisë, me të cilët ka biseduar gazeta jonë, e thonë të kundërtën e asaj që kishte thënë ministri Pal Lekaj, pasi që besojnë fuqishëm se ka manipulime në këto tendere multi-milionësh dhe se këtu duhet me zë të lartë të flet gjykata.

Kelmendi: Haradinaj e Lekaj do të duhej të dënoheshin me të paktën 15 vite burg

Image
Jeton Kelmendi

Jeton Kelmendi, analist, ka folur rreth kësaj problematike ku për “Bota Sot” ka thënë se gjykatat duhet që më pak të ndikohen nga politika e të merren më shumë me  rastet të cilat u përkasin atyre. Për rastin konkret, Kelmendi ka thënë se mendon që ka bazë të mjaftueshme që dikush të shkojë në gjyq.

“Rreth problemit mes Bechtelit dhe Ministrisë së Infrastrukturës apo qeverisë në përgjithësi, mendoj që gjykata ka shumë arsye që të merret me ato 53 milion, të cilat në fillim kanë qenë 14 milion. Duhet të ngritet aktakuzë ndaj kryeministrit Haradinaj ashtu edhe ndaj ministrit të infrastrukturës Pal Lekaj, është shqetësueses se si nga kjo qeveri keqpërdoret pa kurrfarë kriteri paraja publike. Në këtë mes, jo pak faj ka edhe kompania Bechtel, pasi që edhe nga ana e kësaj kompanie janë në vazhdimësi kemi pasur pa-rregullsi. Besoj që nëse do të ngritej akt-akuzë ndaj Kryeministrit Haradinaj dhe Ministrit Lekaj, të dy do të duhej të dënoheshin me të paktën 15 vite burg, jo vetëm për këtë rast, por edhe për shumë raste tjera, në të cilat janë bërë keqpërdorime të parasë publike”, ka thënë Kelmendi.

Haziri: Marrëveshje në mes Bechtellit dhe ministrisë së infrastrukturës

Image
Nexhat Haziri

Analisti Nexhat Haziri, gjithashtu i kontaktuar nga “Bota Sot” ka thënë se derisa shteti të jetë i kapur nga mafia, do të vazhdojë që buxheti i shtetit të zhvatet, i pa penguar nga askush.

“Çështja e 53 milion eurove që duhet paguar Bechtelit nga ana e Qeverisë së  Kosovës, pa një ekspertizë dhe pa një vlerësim të kompanisë konsulente Hill, është formë korruptive dhe zhvatjes së buxhetit të Kosovës me marrëveshje në mes Bechtellit dhe ministrisë së infrastrukturës të udhëhequr nga ministri Pal Lekaj. Shuma e ngritur nga 14 milion në 53, është shumë që është negociuar siç e thash edhe më parë nga Bechteli dhe përfaqësuesit e AAK-së, parti kjo që udhëheq me qeverinë e Kosovës dhe me ministrinë e infrastrukturës. Kjo aferë shpërfaq edhe njëherë mungesën e shtetit ligjor pasi që nga raportimi i saj nuk kemi parë që prokuroria e shtetit të ketë iniciuar ndonjë hetim. Edhe deri sa gjendja është e tillë e një shteti të kapur nga mafia politike, do të vazhdojë zhvatja e buxhetit të shtetit e pa penguar nga askush, pasi vet prokuroria e shtetit, sot nuk përfaqëson asgjë më shumë se sa një nga hallkat e krimit të organizuar në Kosovë”, ka thënë Haziri.

Kadriaj: Është absurde se si Bechtel Enka në Kosovë sillet si zot shtëpie

Image
Mustafë Kadrijaj

Mustafë Kadriaj, njohës i çështjeve ekonomike ka thënë se, parimisht në ekonominë e tregut, kompanitë tentojnë që të dalin me fitme sa më të majme, për të qëndruar në treg, por në këtë rast kompania në fjalë më së paku sillet si kompani në konkurrencë të plotë por një puro monopol.

“Është absurditet i llojit të vet që kompania Bechktel Enka, që me projektet autostrada Ibrahim Rugova por edhe tani me autostradën Arbër Xhaferi po sillet si zot shtëpie, e më së paku si kompani kontraktuese, e them këtë sepse kur kompanisë në fjalë, kur t’i teket me një kërcënim gjoja se do i padis institucionet e Kosovës në arbitrazh ndërkombëtarë këto të fundit pa as më të voglin problem ia miratojnë kërkesat gjoja se institucionet relevante kanë qenë korrekt ndaj kompanisë ose për ndonjë punë shtesë. Parimisht në ekonominë e tregut, kompanitë tentojnë që të dalin me fitme sa më të majme, për me qendru në treg, por në këtë rast kompania në fjalë më së paku sillet si kompani në konkurrencë të plotë por një puro monopol, duke i diktuar vetë çmimet dhe sjelljen e saj gjatë realizimit të projektit por sidoqoftë faji më i madh bie mbi institucionet relevante së pari asnjëherë nuk dihet saktë vlera e saktë se sa e ka kontraktuar kompaninë në fjalë po ashtu edhe neglizhencën e që i bëjnë institucionet që të mbikëqyrin kompaninë gjatë realizimit të projektit, pra me një fjalë projekti mbetet nën mëshirën e kompanisë se si do të realizon, sepse institucionet dhe ministria përkatëse me ose pa qëllim, nuk janë vigjilent përmes inspektoriatit si në afatin kohorë dhe cilësinë e punimeve”, është shprehur Kadriaj.

Tutje ky i fundit ka thënë se ka dyshime që njerëzit e pushtetit qëndrojnë prapa kërkesës së Bektel Enka-s, pasi që mënyra se si është proceduar kjo çështje që nga fillimi është e dyshimtë.

“Pra, këtu lindë dyshimi më i madh që mbrapa kompanisë Bektel Enka qëndrojnë njerëzit e pushtetit, sepse kur kompania ankohet që institucionet nuk i kanë qëndruar mbrapa kontratës, lompania kërcënon për padi ndërkombëtare dhe institucionet ia realizojnë pagesat me arsyetimin se ne humbim më shumë në arbitrazh dhe tani fillojnë zhurmat në parlamentin e Kosovës në mes të pozitës dhe opozitës dhe të ministrave aktual dhe të ish-ministrave, duke ia hedhur fajin njëri-tjetrit. Por, epilogu është barazi me zero ose nën zero sepse ato akuza dhe kundër akuza mbesin në hijen e debateve parlamentare si dhe organet kompetente si prokuroria sillet sikur nuk po sheh asgjë dhe kalojnë në heshtje. Kjo të ngjallë dyshimin edhe më të madh për një rrjet të krimit të jakave të bardha ku i ngjitë aparati shtetërorë është i zhytur në krim.  Parimisht uroj që të mos jetë ashtu, por neglizhenca e punëve të krijon përshtypjen që nuk ka vullnet, sepse është paradoksale që kur kompania Bektel Enka, vlerëson që institucionet nuk kanë qene korrekte ndaj përmbajtjes së kontratës me një kërcënim formal i realizon kërkesat që nëse ka vend për vonesa nga institucionet është në rregull por kur kompania vonohet, institucionet heshtin dhe si diçka normale”, është shprehur Kadriaj.

Me këto veprime, sipas tij, institucionet tona po tentojnë të nënçmojnë inteligjencën e qytetarit dhe të shoqërisë civile sikurse është diçka normale.

“Në këtë rast duhet të kenë të qartë kryeministri dhe institucionet relevante që është koha e fundit për të reflektuar.  Përndryshe, Kosova po zbrazet nga rinia dhe kapitali njerëzorë sepse me këtë mentalitet qeverisës, kur qytetari ka humbur besimin, në një kohë ku Kosova ka kaluar një dekadë të pavarësisë si dhe dy dekada nga çlirimi që parimisht do të duhej të ishte një vend normal me jetu duke marrë parasysh që Kosova ka potencial të mjaftueshëm ekonomik për të bërë një jetë të dinjitetshme për qytetarët e saj, duke marrë për bazë që Kosova radhitet ndër vendet me pasuritë më të mëdha nëntokësore si rezultat i korrupsionit dhe i nepotizmit dhe i ngjyrimit politik, Kosova ende radhitet ndër vendet me korrupsion më të lartë si dhe njëherit me papunësinë më të madhe e cila reflekton në mirëqenien dhe cilësinë e jetës së qytetarit” ka përfunduar Mustafë Kadriaj.

Kryeziu: Implementimi strikt i kontratës nga të dyja palët, do të ishte zgjidhja më e mirë

Image
Nexhat Kryeziu

Edhe Nexhat Kryeziu, gjithashtu profesionist në fushën e ekonomisë, në pyetjen se pse po ndodhë kjo ku pritet që deri në fillim të verës qeveria e Republikës së Kosovës t’ia kaloj rreth 60 milion euro kompanisë Bechtel, ka thënë se arsyetimet e qeverisë janë të pa qëndrueshme dhe lënë për të dëshiruar.

“Një menaxhim jo i mirë i kontratave publike me operatorë ekonomik të tillë, sjell edhe dëmE të tilla milionëshe që dëmtojnë buxhetin edhe ashtu të varfër të Kosovës. Arsyetimi i qeverive të mandateve të ndryshme që haset ne media se "ne mandatin tonë kemi zvogëluar dëmin, pasi që në mandatin paraprak qeveritarë vlera monetare ka qenë më e madhe" janë arsyetime jo të qëndrueshme”, ka nënvizuar ai.

Kryeziu tutje ka thënë se nuk është normale për qeverinë që në njërën anë, kur akuzohet qeveria për mos përmbajtje të kontratës, të lejohet të dëmtohet buxheti nga ana e kompanisë, e në anën tjetër kur kompania nuk i përmbahet kontratës, të mos kërkohet llogaridhënie.

“Qeveria jonë përmes ekipit të menaxhimit të kontratës (Menaxherit të kontratës) duhet që në qoftë se ka probleme në realizimin e kontratës nga ana e operatorit ekonomik, të inicioj imponimin e ndëshkimeve që rrjedhin nga kontrata. Nuk ka ndonjë kuptim që në njërën anë të lejohet dëmtimi i buxhetit publik përmes ndëshkimeve nga ana e operatorit dhe në të njëjtën kohë, të mos merret ndonjë hap në drejtim të mbrojtës së interesit të vendit përmes aplikimit të neneve nga kontrata ku parashihen edhe ndëshkime ne vonesa, përveç nëse këtu kemi persona ca zyrtarë që kanë konflikte të interesave dhe nuk mbrojnë interesin publik”, ka shtuar kryeziu.

Se a mund të ketë dyshime që dikush po e keqpërdorë buxhetin e vendit në emër të kontratave të ndryshme dhe se cila është rruga e cila duhet të ndjek qeveria e vendit për të dalë nga kjo katrahurë, Kryeziu ka thënë se mundësia për keqpërdorime është e hapur, ndërsa si mundësi për të dalë nga kjo gjendje është implementimi strikt i kontratës nga të dyja palët.

“Normal që nëse nuk kemi ndonjë reagim më të fuqishëm si në aspektin juridik të institucioneve përgjegjëse, mundësia për keqpërdorime është e hapur. Kjo dukuri bëhet edhe me indikative kur mungon edhe transparenca ndaj medieve, respektivisht publikut. Ka mënyra të ndryshme që të dilet nga kjo situatë, ndërsa njëra prej tyre është që të kërkohet implementimi strikt i kontratës nga të dy palët dhe jo të shkohet me spektakël mediatik që të arsyetohen veprimet dhe të akuzohet dikush tjetër. Sipas legjislacionit në fuqi, Zyra Kombëtare e Auditimit (dhe jo vetëm) mund të jetë njëra ndër adresat për vlerësimin e veprimeve që kanë shkaktuar humbje të tilla”, ka përfunduar Kryeziu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat