Sa më poshtë bie përkrahja për PDK-në në Kosovë, aq më shumë fuqizohen raportet me SHBA-të

Politika

Sa më poshtë bie përkrahja për PDK-në në Kosovë, aq më shumë fuqizohen raportet me SHBA-të

Nga Më 4 tetor 2019 Në ora: 12:40
PDK

Të dielën, respektivisht me datë 6 tetor do të mbahen  zgjedhjet e jashtëzakonshme në nivel vendi. Sigurisht që, të gjitha partitë janë mobilizuar që të përvetësojnë sa më shumë votues duke ofruar programet e tyre në angazhimet e ditëpërditshme.

Madje, PDK-ja e Kadri Veselit, ka shkuar aq larg sa shprehen se kanë mbështetjen nga SHBA për zgjedhjet e tetorit.

Por kjo është demantuar nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, e cila nëpërmjet një komunikate është deklaruar se SHBA-të nuk do të mbështesin asnjërën nga partitë në veçanti për zgjedhjet e tetorit.

“Qeveria e SHBA-ve nuk parapëlqen dhe nuk mbështetë ndonjë parti politike apo kandidatë në zgjedhjet e kësaj jave. Ne respektojmë të drejtën dhe përgjegjësinë e votuesve të Kosovës që të zgjedhin të ardhmen e tyre”, është thënë në deklaratë.

Përveç kësaj, mbështetja e SHBA-së për Kadri Veselin shihet me dyshim edhe nga ish-deputetët e Kuvendit të Kosovës si dhe nga opinionistët.

Korab Sejdiu: tragjikomedi e PDK-së

Image
Korab Sejdiu

Ish-deputeti Korab Sejdiu, për “Bota sot” deklaroi se tentativa e çdo subjekti për të privatizuar përkrahjen e SHBA-vë, është strategji e gabuar e cila mund të dëmtojë raportet Kosovë – SHBA.

“Tentativa e çdo subjekti për të privatizuar përkrahjen e SHBA-ve, përveç që është strategji e gabuar, njëherit nënkupton gabim strategjik dhe dëmtim të raporteve të afërta të SHBA-ve me Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi”, tha ai.

Sejdiu, tha se përpjekja e PDK-së për të cilësuar veten si favoriten e SHBA-ve përmes marrjes me pagesë të një personi privat, është vërtetë një tragjikomedi, veçanërisht duke pasur  parasysh faktin se pronësinë dërmuese mbi të keqen që e ka kapluar vendin e ka pikërisht PDK dhe eksponentët e saj. 

“Tentativa e tyre për të përvetësuar përkrahjen e SHBA-ve në fakt shkon në kundërshtim të drejtpërdrejtë me deklarimet publike të administratës amerikane, që po kërkon me këmbëngulësi nga Kosova eliminimin e të gjitha atyre dukurive negative të shoqërisë sonë me të cilat identifikohet pikërisht PDK-ja dhe njerëzit e saj.  Vitet e fundit na e kanë bërë të qartë, se raportet tona me SHBA-të dhe PDK-ja kanë relacion të kundërt.  Aq më shumë që forcohet PDK në Kosovë, aq më tepër do të zbehet përkrahja e SHBA-ve ndaj Kosovës.  Sa më poshtë bie përkrahja qytetare për PDK-në në Kosovë, aq më shumë fuqizohen raportet me SHBA-të.  Kjo është më se e sigurtë”, tha Sejdiu.

Topalli: PDK-së nuk i mbetët tjetër përpos që kësaj radhe, me apo pa “ndihmën” e amerikanëve të shkoj në opozitë

Image
Faton Topalli

Po ashtu, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Faton Topalli, e sheh me dyshim mbështetjen e SHBA-ve për Kadri Veselin.

Ai për “Bota sot”, u shpreh se PDK-ja ka tentuar që të thirret në mbështetjen e Administratës Amerikane për zgjedhjet, por se sipas tij kjo është demantuar.

Topalli, tha se PDK-ja ka nevojë për mbështetjen amerikane, por mbështetje për t’i dërguar në opozitë.

“Nga PDK ka pasur përpjekje që të thirret në mbështetjen e administratës amerikane për zgjedhjet gjë që është demantuar dhe nga ambasadori amerikan në Kosovë. Unë e kuptoj që PDK ka nevojë për një mbështetje të tillë por ajo realisht nuk ekziston. PDK-së nuk i mbetët tjetër përpos që kësaj radhe, me apo pa “ndihmën” e amerikanëve të shkoj në opozitë”, tha ai.

Gecaj: PDK-ja dhe Kadri Veseli po keqpërdorin miqësinë tonë të shenjtë me SHBA-të

Image
Bajram Gecaj

Bajram Gecaj, zyrtar në LDK, për “Bota sot” ka thënë se kjo çfarë ka bërë Kadri Veseli nëpërkëmb keqazi miqësinë dhe lidhjet e ngushta të Kosovës me SHBA-të.

Sipas tij, duhet të jesh shumë i ulët të hysh në një valle të tillë keqpërdorimi.

 “Ky është një keqpërdorim flagrant i mikut më të mirë, më të rëndësishëm dhe më të sinqertë të vendit tonë. Duhet të jesh shumë i ulët të hysh në një valle të tillë keqpërdorimi. SHBA-të janë miq të popullit të Kosovës, jo të ndonjë individi apo partie politike. E në veçanti jo atyre të cilat kanë instaluar krimin dhe korrupsionin”, tha ai.

Më tej, Gecaj, shtoi se është fat i mirë që SHBA-të njohin secilin.

“Është një keqpërdorim i turpshëm, por fati ynë është se ata e dinë për secilin nga ne, kush dhe çfarë jemi. Populli duhet t’i dënoi ashpër ata që keqpërdorin mikun tonë të përhershëm”, tha ai.

Haziri:Është një thirrje dëshpëruese e PDK-së dhe e z. Veseli

Image
Nexhat Haziri

Analisti dhe njohësi i rrethanave politike, Nexhat Haziri, konsideron se kjo është një thirrje dëshpëruese e PDK-së dhe e z. Veseli si rezultat i frustrimit të tyre me humbjen që e pret me 6 tetor.

“Është një thirrje dëshëpruese e PDK-së dhe e z. Veseli si rezultat i frustrimit të tyre me humbjen që e pret me 6 tetor, andaj ata kanë vendosur që mos të zgjedhin mjete për ta mashtruar opinionin siç ishte kjo me "përkrahjen" amerikane për z. Veseli në garën për kryeministër të Kosovës”, tha ai.

Megjithatë i vetmi që doli fitues nga kjo maskaradë e PDK-së dhe z. Veseli, është opinioni, që edhe një herë u vërtetua nga vet zoti Veseli, se ky i fundit nuk është asgjë tjetër përpos një mashtrues ordiner.

“Si të tillë, e vërtetoi edhe reagimi i ambasadës amerikane në Prishtinë, e cila duke e parë se PDK-ja dhe Kadri Veseli e vënë në lojë autoritetin dhe imazhin e qeverisë amerikane dhe vet SHBA-ve, reagoi duke sqaruar se ata nuk mbështesin asnjë kandidat dhe asnjë parti politike, dhe lansimi i PDK-së dhe Kadri Veselit gjoja për një përkrahje amerikane, është vetëm një gënjeshtër e radhës për ti mashtruar qytetarët e Kosovës të cilët do të votojnë me 6 tetor në zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat