Albin Kurti siguron shumicën për formimin e qeverisë me LDK-në

Politika

Albin Kurti siguron shumicën për formimin e qeverisë me LDK-në

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 25 nëntor 2019 Në ora: 08:11
Albin Kurti

“Andaj, në këtë logjikë duhet theksuar se nëse ky koalicion futet në qeveri atëherë nuk është ndryshimi i kërkuar nga qytetarët. Me votat e minoriteteve joserbe mund dhe duhet formohet qeveria e re, të ketë në përbërje të saj njerëz të pa inkriminuar në krim, dhe që janë me duart e pastra. Nëse futet Nisma Socialdemokrate në qeveri, dështimi i Qeverisë Kurti do të jetë i pashmangshëm”, ka përfunduar analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit ka thënë se pavarësisht rinumërimeve e vendimeve të PZAP-së, partia e tij ka arritur që ta sigurojë shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë së re.

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje ka njoftuar gjithashtu edhe për një takim që në Prizren e ka pasur me tre deputetë të ardhshëm nga komunitetet, Rasim Demiri, Fikrim Damka dhe Albert Kinolli.

“Në ‘Ambient’ të Prizrenit, pavarësisht rinumërimeve dhe paneleve, u sigurua shumica parlamentare për qeverinë e re. Kryetarët e tri partive të komuniteteve joshumicë, njëkohësisht edhe deputetë të ardhshëm, zotërinjtë Rasim Demiri, Fikrim Damka dhe Albert Kinolli do ta votojnë qeverinë tonë dhe mua si kryeministër, pa kushtëzime”, ka thënë Kurti, përcjell Koha.net. “6 tetori 2019 është data kur ka nisur ardhmëria”, ka deklaruar Albin Kurti.

Mirëpo, nga koalicioni NISMA-AKR tregojnë se nuk kanë vija të kuqe për Lëvizjen Vetëvendosje. Ata gjithashtu bëjnë me dije se janë në pritje të ofertave nga fituesit e zgjedhjeve të parakohshme.

Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në vend vlerësojnë se koalicioni qeverisës duhet të formohet pa Nismën dhe AKR-në. Ndërsa, edhe kanë paralajmëruar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se nëse futet Nisma Socialdemokrate në qeveri, dështimi i “Qeverisë Kurti” do të jetë i pashmangshëm.

AKR: Nuk kemi vija të kuqe për VV-në

Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se vija të kuqe nuk kanë për asnjë parti tjetër, ndërsa ka theksuar se janë duke pritur oferta nga dy partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Image
Vesel Makolli

“Në pozitën në të cilën ndodhemi, ne duhet të presim ofertë nga dikush. Parimisht, më e shëndetshme për ne si parti është të qëndrojmë në opozitë. Mirëpo, parimet tona janë se në nëse ka vendi nevojë për një qeveri të fortë, nëse vendi ka nevojë që edhe ne të kontribuojmë, në një mënyrë e lëmi anash interesin partiak, për interesin shtetëror”, është shprehur Makolli.

Sekretari i AKR-së ka theksuar se për subjektin e tyre nuk është problem se a janë pjesë e qeverisë, apo nuk janë.

Ai konfirmon se tashmë janë duke e pritur certifikimin e rezultateve.

“Për AKR-në nuk është problem, sikur qeveria ashtu edhe si opozita. Mirëpo, parësore është që ne të kemi një ofertë për ta vlerësuar. Deri tani nuk kemi marrë asnjë ofertë. Në momentin që rezultatet certifikohen atëherë do të shikojmë se si qëndron puna”, ka thënë ai.

Mes tjerash, Makolli thekson se nëse në të ardhmen do të ketë oferta nga partnerët e mëdhenj, AKR-ja do t’i përgjigjet ofertës së tyre, por nënvizon se jo me çdo kusht të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme.

“Vijat e kuqe moti i kemi hedhur. Ato çdoherë kanë dështuar teorikisht, pasi që askush deri më tani nuk i është përmbajtur. Vijat duke u përdorur në vazhdimësi, filluan edhe të bëhen të tepërta, pasi nuk iu përmbajt askush. Pra, e konfirmojë se vija të kuqe nuk kemi, gjithë jemi për interesin e Kosovë, gjithmonë mendojmë fillimisht për të mirën e vendit. Ne do të shikojmë se si do të rrjedhin gjërat, dhe nëse do të ketë oferta nga partnerët e mëdhenj edhe ne do të përgjigjemi, por jo me çdo kusht të jemi pjesë e qeverisë së ardhshme”, ka përfunduar Makolli, për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti: Qeveria mundet të formohet pa koalicionin NISMA-AKR

E, nga ana tjetër, analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se koalicioni qeverisës duhet të formohet pa Nismën dhe AKR-në, për të cilën konsideron se ishin pjesë e së keqes.

Image
Faton Mehmeti

“Padyshim se qeveria mund të formohet pa koalicionin NISMA-AKR. Dhe në fakt duhet të formohet pa këtë koalicion, i cili ishte pjesë e së keqes në koalicionin e shkuar, e që ka rezultuar të jetë dështim total”, ka deklaruar analisti Mehmeti.

Mehmeti gjithashtu paralajmëron Kurtin e VV-së, se nëse partia e Limajt futet në qeveri, dështimi i tyre do të jetë i pashmangshëm.

“Andaj, në këtë logjikë duhet theksuar se nëse ky koalicion futet në qeveri atëherë nuk është ndryshimi i kërkuar nga qytetarët. Me votat e minoriteteve joserbe mund dhe duhet formohet qeveria e re, të ketë në përbërje të saj njerëz të pa inkriminuar në krim, dhe që janë me duart e pastra. Nëse futet Nisma Socialdemokrate në qeveri, dështimi i Qeverisë Kurti do të jetë i pashmangshëm”, ka përfunduar analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Kadriaj: PAN-i duhet të shkojë në opozitë

Ndërkaq, analisti tjetër, Mustafë Kadriaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se koalicioni qeverisës me hyrjen e Nismës në Kuvend, nuk do të jetë më koalicion i shumicës.

Image
Mustafë Kadriaj

“Duke marrë parasysh ecurinë numërimit të votave dhe me hyrjen e Nismës në parlament, vlerësoj që koalicioni nuk do jetë më koalicion i shumicës, por qeveria mund të formohet, mirëpo veprimet jetike për Kosovën nuk mund të merren pa opozitën, në rast të ndonjë marrëveshje përfundimtare me Serbinë”, ka thënë Kadriaj.

Kadriaj është i mendimit se PAN-i duhet të shkojë në opozitë, për shkak siç shprehet ai, të demokracisë në vend, dhe se do të ishte edhe më e shëndetshme për këto parti.

“Nga aspekti moral vlerësoj që PAN-i duhet me qenë në opozitë, për shkak të demokracisë në vend, do të ishte e shëndetshme si për pozitën dhe opozitën, njëherit vlerësoj se për Nismën është jetike hyrja në parlament dhe sidoqoftë çdo deputet së paku ka peshën e numrit”, ka thënë ai.

Në fund, Kadriaj shton se vendi ka sfida të mëdha politike dhe ekonomike, që janë jetike për perspektivën e Kosovës si shtet.

“Por, entuziazmi i fitores si duket është zbehur gjatë negociatave për qeveri qe kjo do të jetë një leksion i mirë për Albin Kurtin si mandatar për kryeministër, që fitore është krijimi dhe drejtimi i institucioneve qeverisëse, e jo vetëm votat dhe nëse nuk do i realizon premtimet, do të jetë hakmarrje për të, sepse pritjet janë shumë të mëdha që duke u bazuar deri më tani lenë për të dëshiruar për një qeverisje, siç kanë premtuar, por thjesht do të kemi qeveri normale që për opinionin është më rëndësi krijimi i institucioneve. Kosova ka sfida politike dhe ekonomike në vend që janë jetike për perspektivën e Kosovës si shtet”, ka thënë në fund, Mustafë Kadriaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat