Përfundimisht kuptohet pse nuk po arrihet koalicioni LDK - VV

Politika

Përfundimisht kuptohet pse nuk po arrihet koalicioni LDK - VV

Nga: V.R Më: 17 dhjetor 2019 Në ora: 20:05
Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Takimet e derisotshme ndërmjet zyrtarëve të LDK-së dhe VV-së, nuk sollën diçka konkrete në raport me krijimin e qeverisë.

Nga deklarimet e zyrtarëve, del të jetë çështja e presidentit për shkak të mosarritjes së një rezultati.

Sido që të jetë, profesori Enver Bytyçi, për “Bota sot”, deklaroi se i gjithë ky proces bind gjithkënd se fryma inatçore dhe intrigat janë mjeshtri të politikanëve shqiptarë. E kur janë të politikanëve, duhet thënë se ata mbartin veset e vetë shoqërisë shqiptare.

Më tej, profesor Bytyçi, shtoi se këtë ves pervers e kanë shfrytëzuar për mrekulli armiqtë tanë, sidomos serbët e grekët, me qëllim që të na përçajnë dhe përmes përçarjes të arrijnë objektivat e tyre. Kështu ka ndodhur historikisht dhe po ndodh edhe në ditët e sotme.

Dy janë shembujt, Samiti i minishengenit dhe përpjekjet e kryeministrit të Shqipërisë për përçarjen e skenës politike të Kosovës dhe kësaj çeshtjeje. Dhe mungesa e vullnetit për krijimin e qeverisë së re në Prishtinë.

“Në rastin e krijimit të qeverisë inatet u shpërfaqen si ndërmjet VV e LDK-së edhe brenda radhëve të këtyre dy partive. Vetëvendosja kërkon që ta ketë gjithë pushtetin ekzekutiv, pra kryeministrin dhe presidentin, edhe pse sovrani nuk ia jep këtë shans. Vetëm një deputet është diferenca e tyre! Por edhe sikur Vetëvendosja ose LDK të kishin diferencë më të madhe të numrit të deputetëve kjo skemë është e papranueshme, jo balancuese, jo e drejtë, po logjike. Dhe çdo gjë jo logjike, sidomos në qeverisje, është irracionale. Irracionalja është gjithnjë kërcënim për demokracinë. Vetëvendosja duhet të kuptojë se nuk mund ta nis qeverisjen e vendit përmes irracionalitetit, ndryshe vendi shkon në anarki dhe në krizë. Madje as nuk mund ta ushtrojë qeverisjen përmes prirjeve autoritare joracionale”, tha ai.

Tutje, siç tha Bytyçi, asnjë parti që nuk fiton shumicën absolute nuk ka shansin dhe luksin të kërkojë të jetë e gjithëpushtetshme. Partisë së parë i takon të zgjedhë pozicionin e parë, pastaj kjo zgjedhje shkon te partia tjetër dhe me këtë metodë deri në fund. Kësisoj ndahen dhe vëllezërit midis tyre. Ndryshe nuk do të kishte vëllazëri. Kjo do të thotë se nuk mund të ketë qeverisje me imponime jo logjike.

“Ndërkaq lojën e Vetëvendosjes e kanë favorizuar inatet brenda atij subjekti e sidomos inatet brenda Lidhjes Demokratike. Brenda Vetëvendosjes ka elementë e figura politike që nuk e duan me asnjë çmim një koalicion me LDK-në. Ata janë kontingjenti i Partisë Demokratike të Thaçit ose më keq akoma, kontingjenti i LPK-së famëkeqe, marksiste-leniniste e enveriste! Ndërsa brenda Lidhjes Demokratike lidershipit të vjetër politik nuk i del inati pse Vjosa Osmani ka kundërshtuar në vitin 2016 demarkacionin e firmosur nga Isa Mustafa, ose pse ajo kundërshtoi zgjedhjen e Hashim Thaçit president. Në vend që këto qëndrime të Vjosës të shënohen si përparësi e saj, kritikët brenda LDK-së e bëjnë atë përgjegjëse. Ndonëse koha provoi se vota kundër e Vjosa Osmanit ishte logjike dhe racionale”, tha ai.

 

Bytyçi, shtoi se të gjitha këto çeshtje kanë dalë në sipërfaqe dhe mesa duket, nëse nuk do të ketë presion ndërkombëtar, ky koalicion zor që do të formësohet. Por nëse jo, atëherë Lidhja Demokratike, e cila merr të drejtën e formimit të qeverisë, nuk do të duhet të krijojë koalicion me Partinë Demokratike të Thaçit, kundër së cilës votuan qytetarët e Kosovës.

Sipas tij, më mirë të shkohet në zgjedhje të reja, por me Vjosa Osmanin jo vetëm si kandidate për kryeministre, gjithashtu me Vjosa Osmanin, Kujtim Shalën apo dikë tjetër të këtij formati e standardi si kryetare e Lidhjes Demokratike. Me Isa Mustafën, Agim Veliun, Lutfi Hazirin dhe kryetarë të tjerë komunash të zgjedhur me sportin e Thaçit nuk mund të fitojë Lidhja Demokartike. Nëse qytetarëve do ua servirin figurat e lartpërmendura, ata më mirë votojnë origjinalin, pra Hashimin, sesa kopjet e tij në LDK!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat