Profesori ndërkombëtar publikon detaje pse Haradinaj po kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve, ja cili është plani i tij - Bota Sot
Profesori ndërkombëtar publikon detaje pse Haradinaj po kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve, ja cili është plani i tij

Politika

Profesori ndërkombëtar publikon detaje pse Haradinaj po kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve, ja cili është plani i tij

M.H Nga M.H Më 25 maj 2020 Në ora: 11:44
Ramush Haradinaj

Lëvizja Vetëvendosje është bërë gati për zgjedhje në vend, ani pse Gjykata Kushtetuese ende nuk e kanë marrë vendimin se çfarë do të ndodh me skenën politike në ditët në vazhdim. Pas organizimit të planit për protesta, Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar edhe një video ku kanë improvizuar një votim në kohë pandemie.

Madje ata kanë treguar edhe hapat se si të zhvillohet votimi duke marrë shembull Korenë Jugore.

Në lidhje me këtë temë Profesori universitar Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që në rast se vendi gjendet në krizë politike atëherë gjithmonë duhet të kërkohet zgjidhje tek sovrani. Profesori gjithashtu shprehët që Haradinaj ka një plan që po kundërshton zgjedhjet pasi sipas Bytyçit, elektorati i saj është i pandryshueshëm sepse AAK nuk mund as të humb as të fitoj zgjedhjet.

“Së pari më lejoni t’ju them se kriza e Kosovës ka dhe duhet të ketë vetëm një ilaç – votën e sovranit. Nëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës dëshiron dhe kësisoj bëhet arbitër objektiv dhe pozitiv në zgjidhjen e konfliktit dhe krizës politike, atëherë duhet që zgjidhjen ta kërkojë te sovrani. Gjithmonë kur ka dilema të tilla dhe konflikte për çeshtje parimore e strategjike për vendin, zgjidhjen e japin qytetarët e një vendi demokratike. Me qëllim që GJK të promovojë këtë të drejtë parimore të saj ajo duhet të dëshmojë përgjegjshmëri atdhetare dhe kushtetuese për t’i dhënë zgjidhje krizës përmes kutive të votimit. Vetëvendosja është shprehur pro zgjedhjeve të reja si mjet dhe formë logjike e zgjidhjes së konfliktit. Po ashtu dhe Vjosa Osmani dhe politikanë të tjerë të vendit. Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Haradinaj e të tjerë shprehen kundër kësaj zgjidhjeje. Unë nuk e di pse Haradinaj është vënë në të njëjtën linjë me Hashim Thaçin. Por besoj se ai e ka një plan. AAk nuk besoj se humb dhe as fiton nga zgjedhjet e reja. Elektorati i saj është i pandryshueshëm. Ndaj dhe Haradinajt nuk ka ndonjë interes të veçantë, specifik. Për këtë arsye mendoj se Haradinaj e ka një arsye që kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes. Ai e di se LDK pa PDK-në e ka jetike pjesëmarrjen e AAK-së në qeverisje. Ai dëshiron të jetë aty, sepse ka një synim të caktuar. Nuk besoj se ky synim i tij përkon me objektivat dhe planet e Hashim Thaçit. Ndoshta e kërkon pjesëmarrjen dhe postin e ministrit të jashtëm për të bllokuar përpjekjet e Thaçit për finalizimin e një marrëveshjeje midis Kosovës e Serbisë me rezultat ndarjen e vendit”, u shpreh profesori.

Më tej, Bytyçi thotë që pandemia është duke u përdorur vetëm si pretekst për të mos I mbajtur zgjedhjet pasi ajo nuk paraqet problem sepse mjafton të mbahet një distancë fizike, njësoj sikur Koreja e Jugore.

Image
Enver Bytyçi

“Megjithatë në Vetëvendosje duket se ka një dilemë: Kjo lidhet me pandeminë. Ndaj ata përdorin shembullin e Koresë së Jugut, e cila në pandemi zhvilloi zgjedhjet e saj pa asnjë pasojë për shëndetin e qytetarëve. Besoj se pandemia thjesht përdoret si alibi për moskryerjen e zgjedhjeve të menjëhershme. Alibi ishte edhe anulimi i zgjedhjeve lokale në Podujevë nga presidenti i vendit. Pandemia nuk është pengesë për zhvillimin e zgjedhjeve në vende si Kosova, ku virusi Covid-19 është përballuar me shumë sukses. Në 24 orët e fundit nuk pati asnjë të infektuar. Nuk është vështirë të realizohet procesi dhe as votimi, sepse tashmë është e mundur të mbahet distanca fizike për këtë. Kjo është arsyeja pse mendoj se pandemia, sidomos kur kurba e saj është në rënie të vazhdueshme, nuk pengon zgjedhjet e reja në Kosovë. Ajo përdoret thjesht si pretekst nga ana e politikanëve të dështuar, të cilët nuk duan zgjedhje, por duan uzurpimin e pushtetit. Në këtë kuptim Gjykata Kushtetuese ka në dorë që t’i thotë ndal aventurave që ndërmerr politika, e cila përmes kuorumit të votave arrin të bllokojë procesin e zhvillimit në Kosovë. Cilado parti politike të ishte në pushtet dhe të rrëzohej ditën e 52-të të qeverisjes së saj, do të revoltohej, sepse asnjë qeveri nuk testohet me votëbesim para se ajo të ketë realizuar së paku 100 ditë qeverisje. Kjo që ndodhi në Kosovë ishte e paprecedent. Ishte një ngjarje që i ka kushtuar shumë Kosovës. Nuk po analizoj se kush ishte fajtor. Sepse pa faj nuk ishte as zoti Kurti. Por fajtor kryesorë janë ata që përgatitën kurthin e rrëzimit të qeverisë ende pa u krijuar ajo”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat