Kuvendi i 9-të zgjedhor i LDK-së nuk ka përfunduar

Politika

Kuvendi i 9-të zgjedhor i LDK-së nuk ka përfunduar

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 27 gusht 2020 Në ora: 16:05
LDK

Po afrohet viti që kur i filloi punimet Kuvendi i 9-të Zgjedhor i LDK-së, por, ai llogaritet ende i papërfunduar. Arsyeja është se Kryesia e LDK-së, për ndryshim nga Kuvendet paraprake formale, kishte propozuar organizim dhe zhvillim ndryshe, si:

1) Ndryshimin e statutit të LDK-së;

2) Debat të shpenguar kuvendor;

3) Heqja e kushtit idiotesk 50+1 % të votave për kandidim për kryetar;

4) Konkurrencë të ndershme zgjedhore;

5) Votim i fshehtë demokratik, madje, për të gjitha nivelet e strukturave partiake. 

Të 5 (pesë) premtimet e cituara, u heshtën, u anashkaluan lehtësisht, kryesisht, nga klani brenda Kryesisë të LDK-së! 

E gjithë kjo u mbulua me tymnajën se, kinse, "po rrezikohet ndarja e LDK-së, andaj, Isa Mustafës duhet t`i zgjatet afati për një mandat të tretë!"

Realisht, frika u sajua, jo për ta ruajtur unitetin, por, për ta vazhduar status-quonë, për ta ruajtur klanin, me të gjitha pozicionet dhe privilegjet e tyre individuale e grupore. Përndryshe, mandati mund t`i vazhdohej kryetarit Mustafa, pa konkurrencë, edhe pse nuk përfqëson kurrëfarë uniteti. Përkundrazi, godet inatçëm dhe pa zgjedhur mjete, cilindo që aspiron reforma, demokraci brenda-partiake dhe ngritje të LDK-së!

Bërthama e klanit, si xhandarë, drejtuan "Kuvendin", duke lexuar e recituar vendimet e marra paraprakisht. Zërat e vetmuar kundërshtues, që bënin thirrje "të mos bëhen skllevër të shekullit digjital, por, ta refuzojnë metodën moniste kuvendore", u duartrokitën nga një pjesë e delegatëve. Megjithatë, votimi, pothuajse, - en bloc -, bëhej sipas skenarit të kryetarit me klanin e tij. Ndërkohë, dalja nga ajo sallë "zgjedhore", ngjasonte si largimi nga varrezat, pas përcjelljes të kortezhit funeral, sepse zhgënjimi ishte i skajshëm.

Rrjedhimisht, Kuvendi i 9-të "Zgjedhor" i LDK-së, ende nuk ka përfunduar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat