E punësuar në Zyrën e Kryeministrit, kush është Sanella Sadikoviç, boshnjakja që po i futet politikës në Kosovë?

Politika

E punësuar në Zyrën e Kryeministrit, kush është Sanella Sadikoviç, boshnjakja që po i futet politikës në Kosovë?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 9 nëntor 2020 Në ora: 14:55
Sanella Sadikoviç

Republika e Kosovës garanton barazi të plotë dhe efektive për të gjithë popullin e Kosovës. Kosova e konsideron shumëllojshmërinë e saj kombëtare, etnike, gjuhësore dhe fetare si një burim force dhe pasurie për zhvillimin e mëtejshëm të një shoqërie demokratike që bazohet në sundimin e ligjit.

Në  zhvillimin e Republikës së Kosovës, inkurajohet dhe çmohet kontributi aktiv i të gjithë personave që iu përkasin komuniteteve.

Me këtë rast për gazetën “Bota sot” ka folur Sanella Sadikoviç, koordinatore në Zyrën e Kryeministrit njëkohësisht një femër e suksesshme në rrugëtimin e saj politik.

Sanella Sadikoviç ka lindur në Mitrovicë, është magjistër i ekonomisë dhe që nga viti 2010 punon në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës ku ajo është njëkohësisht edhe boshnjakja e vetme e cila është punësuar aty si staf civil.

 Kur e kemi pyetur për sfidat me të cilat është ballafaquar gjatë rrugëtimit të saj duke filluar nga punësimi në Zyrën e Kryeministrit dhe deri tek përfshirja e saj në politik, ajo thotë që nuk ka qenë aspak e lehtë.

“Pas përfundimit te fakultetit aplikova në Zyrën e Kryeministrit ku edhe u pranova në pozitën zyrtare administrative dhe nga ajo kohë jam e vetmja pjesëtare e komuniteti Boshnjak. Më kanë prit shumë mirë si stafi civil ashtu edhe politik dhe asnjëherë nuk e kam vrejt që më shikojnë ndryshe pasi jam komunitet jo shumicë. Tash punoj si Koordinatore e Zyrës për Çështje të Komuniteteve”, tha ajo.

Sanella tregon se është gjendja e komunitetit Boshnjak në Kosovë.

“Tash e di që plot nga komuniteti im do të me kundërshtojnë, por unë mendoj që komuniteti Boshnjak i gëzon të gjitha drejtat, është mundësia që të shkollohemi në gjuhen Boshnjake pasi kemi fakultetin tonë, edhe pse jo çdo drejtim, por kemi mundësi që provimet ti japim në gjuhën boshnjake apo angleze nëse veç është dikush që nuk e din gjuhën shqipe, po flas prej përvojës time gjatë shkollimit. Ekonomia dhe punësimi janë probleme kryesore jo vetëm te komuniteti Boshnjak po i gjithë Kosovës, me këto ballafaqon të gjithë. Normal që gjithmonë mundet gjendja e një komuniteti të jetë në nivel shumë më të mirë, por kemi kohë për të punuar, ende na pret shumë punë”, thotë Sadikoviç.

Ajo shprehet se Zyra e komuniteteve në Kosovë është duke u angazhuar për një jetësë më të mirë të të gjitha komuniteteve në Kosovë.

“Normal që buxheti nuk është i mjaftueshëm për me i përmbush të gjitha kërkesat pasi që janë të shumta, por mundohemi si është më së miri të veproj. Është normale që plot do të më kundërshtojnë edhe në këtë pikë, sepse nuk mund të gjithë të jenë të kënaqur me punën tonë, mos të harrojmë që një rol të madh në rrugëtimin e njëe jetese më të mirë të komunitetit jo shumicë e luajnë edhe përfaqësuesit e komuniteteve në Kuvend, deputet, të cilët duhet të angazhohen shumë më shumë për popull”, vlerëson ajo.

Tutje, ajo tregon se ka bashkëpunim edhe me deputetët lidhur me kërkesat e komuniteteve.

“Zakonisht unë bashkëpunojë ngushtë për ditët të caktume të komuniteteve jo shumicë, por për projekte është hierarkia të cilën e respektoj”.

Ajo tregon se në zgjedhjet e ardhshme do të jetë njëra prej kandidateve për deputete.

“S’di sa herë kam thënë që do të kandidohem për deputete dhe gjithmonë e kom neglizhua përgatitjen përshkak që nuk kam pas mjaftueshëm kohë të lirë që të filloj fushatën dhe të bëhem gati për zgjedhje, por kësaj radhe do të mendohem shumë mirë dhe do garoj, pasi që është koha dhe mendoj që kam një bagazh të mjaftueshëm politik. Po ashtu mendoj që në skenën politike kemi nevojë për fytyra të reja”, tregon ajo.

Sadikoviç tregon se që nga muaji prill i këtij viti është në pushim përshkak se është bërë nënë.

E që nga ajo kohë edhe po mungojnë edhe disa takime që ajo ka qenë organizatore.

“Sa i përket takimeve është koha e pandemisë dhe Qeveria është duke vepruar krahas rregullave që i ka caktuar, nuk është kohë e duhur që të mblidhemi së bashku në një sall të madhe konferencash, kur të kaloje kjo pandemi do të mblidhemi ku shpresoj që do të flasim për sukseset e komuniteteve”.

Ajo tutje tregon për ankesat që kanë bërë komunitetet tek Zyra ku edhe punon.

“Ankesat kanë ndodhur dhe jo të gjithë e dinë që ekziston hierarkia e cila respektohet nga unë, po ashtu edhe nga komplet stafi. Nu kvaret gjithçka nga unë. Janë disa rregulla të cilat duhet të respektohen dhe të përmbushen. Është Komisioni i cili i shqyrton të gjitha kërkesat dhe nëse nuk i kanë përmbushur kriteret të cilat kërkohen është normale që nuk mund të përkrahen financiarisht”, tha ajo.

Ajo tutje flet edhe për bashkëpunimin me partitë politike të komunitetit boshnjak në Kosovë.

“Për fat të keq, bashkëpunimi është jo në nivel të duhur, është për keqardhje të them që në vend se të jemi të gjithë së bashku dhe të veprojmë së bashku, jemi ndarë në shumë parti. Vetëm me znj. Duda Balje dhe znj. Emilia Rezhepi kam raporte të mira, të tjerët më kërkojnë vetëm kur kanë ndonjë interes!”, thotë ajo, e cila e ka përkrahur Duda Baljen në kërkesën e saj për të hapur një zyre përfaqësuese të Kosovës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në fund ajo, ka dhënë edhe një mesazh për qytetarët.

“Dua vetëm të potencoj që përgjigjet e mia janë mendim personal, ndërsa sa i përket mesazhit  iu uroj të gjithëve shëndet pasi që jemi në një kohë jo të mirë, ruani familjarët tuaj duke mbajtur distancë dhe maskë dhe duke i respektuar rregullat dhe këshillat nga IKSHK-ja”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat