Gjermania jep lajmin e keq për Kosovën, s’ka viza për qytetarët – “shteti ende mbetet i kapur nën kthetrat e...”

Politika

Gjermania jep lajmin e keq për Kosovën, s’ka viza për qytetarët – “shteti ende mbetet i kapur nën kthetrat e...”

Nga: G.B Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 13:44
Ilustrim

Nuk ka liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, pasi shumë shtete janë kundër.

Kështu ka deklaruar ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

E ndaj qytetarëve të Kosovës po vazhdon padrejtësia për liberalizimin e vizave, derisa ato janë premtuar prej kohësh nga politikanët e Kosovës.

Lidhur me këtë, njohësi i integrimeve evropiane, Mirsad Voca, ka thënë për gazetën “Bota sot” se për liberalizimin e vizave duhet luftuar korrupsioni, nepotizmi e krimi dhe sidomos me një qeveri jolegjitime nuk mund të pritet liberalizimi.

“Liberalizimi i vizave nuk bëhet nëse nuk luftohet korrupsioni, nepotizmi, krimi, të gjitha anomalitë institucionale dhe nëse nuk kemi shtet të së drejtës. Dhe sidomos me një qeveri jolegjitime nuk mund të pretendohet që të kemi liberalizim vizash. Një Qeveri që distancohet nga anomalitë dhe nuk i adreson ato siç është për shembull rasti i shërbimit të jashtëm por dhe të çdo dikasteri tjetër”, është shprehur ai.

Image
Mirsad Voca

Sipas Vocës, shteti është ende i kapur dhe BE e kupton brishtësinë në Kosovë.

“Shteti ende mbetet i kapur nën kthetrat e atyre që abuzuan me qytetarin që prej dy dekadash. Dhe BE e kupton shumë mirë brishtësinë demokratike në Kosovë ku për më tepër u përdhos vullneti i shumicës së popullit në favor të krijimit të një qeverie që shërben interesat e ngushta të vetëm një grushti njerëzish të cilët punuan për veten por jo për qytetarin dhe dy dekada janë mjaft për dëshmimin e këtij realiteti”, ka vlerësuar ai.

Ndërsa, sa i përket mundësisë që BE ta kushtëzojë dialogun me Serbinë, Voca shton se do të përdorej po të ishin plotësuar kriteret dhe se nuk kemi të drejtë të ankohemi, derisa nuk i kemi përmbushur kushtet.

“Nuk besoj se liberalizimi i vizave do të kushtëzohej po të ishin përmbushur kriteret kryesore të lartpërmendura dhe nuk kemi të drejtë të ankohemi për çfarëdo arsye tjetër përderisa Kosova nuk ka përmbushur ato ende. Dhe natyrisht që disa shtete bllokojnë dhe do të vazhdojnë të bëjnë një gjë të tillë përderisa ne u mundësojmë atyre që ta bëjnë këtë”, ka deklaruar Mirsad Voca për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat