BE “shuplakë” Serbisë për Kosovën, analisti tregon sa do të respektohet normalizimi i marrëdhënieve

Politika

BE “shuplakë” Serbisë për Kosovën, analisti tregon sa do të respektohet normalizimi i marrëdhënieve

Nga: Naile Ejupi Më: 22 prill 2024 Në ora: 22:43
Albin Kurti- Aleksander Vuciq

Të hënën Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian (BE) e ka miratuar vendimin përfundimtar për të ndryshuar kornizën negociuese për anëtarësim me Serbinë, duke e kushtëzuar pranimin e saj me normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin e vet, Kosovën.

Ky ndryshim ka të bëjë me kapitullin 35 të kornizës negociuese, në të cilin zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën tani bëhet edhe kusht formal për Serbinë në procesin e negociatave të anëtarësimit në bllok.

Në tekstin e ri të kornizës negociuese si kusht është vendosur kjo fjali: “Serbia zbaton plotësisht obligimet që dalin nga Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Aneksit të zbatimit të saj, siç ishin pajtuar më 18 mars të vitit 2023”.

I pyetur nëse Serbia do të ‘përpiqet’ të respektojë marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve, analisti Visar Xani thotë se nëse ajo do anëtarësim në BE, duhet ta bëjë një gjë të tillë.

Sipas tij, Serbia duhet të sillet karshi Kosovës si një shtet fqinj dhe jo si një aggressor.

“Pra ka të bëjë me një ri-konfirmim të kapitullit 35 që normalizimi dhe fqinjësia është rruga e vetme që ta afrojë Serbinë në Bashkimin Evropian, prandaj nëse dëshiron Serbia që të tregohet evropiane duhet të ketë zbatim të marrëveshjeve me Kosovën, duhet të sillet karshi Kosovës si një shtet fqinj dhe jo si një agresor përmes grupeve kriminale për të ndërhyrë në Kosovë dhe për të penguar zbatimin e marrëveshjeve të caktuara të arritura në Bruksel”, deklaron Xani.

Image
Visar Xani

Ai thotë se edhe fqinjësia e mirë duhet të jetë një parim edhe për Kosovën, mirëpo është më e ngutshme për Serbinë.

“Prandaj, për Serbinë është më e ngutshme sesa për Kosovën, sepse Serbia e ka kusht normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por edhe për Kosovën fqinjësia e mirë duhet të jetë një parim që synon Bashkimin Evropian në rrugëtimin e saj dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë me qëllim që të paktën të kemi një njohje dhe ajo njohje të vjen të prag kur të dy shtetet janë gati për tu anëtaresuar në Bashkimin Evropian, por deri atëherë duhet të kemi zbatim të marrëveshjes së Ohrit, duhet të kemi qasje të fqinjësisë së mirë dhe mos të vazhdojë Serbia edhe më tutje të ketë presion ndaj serbëve dhe të lejojë njëfarë mënyre integrimin e serbëve në shtetin e Kosovës dhe të pranojë një herë e përgjithmonë se Kosova ekziston, Kosova është duke u forcuar si shtet dhe këto dy shtete mund të jenë anëtare të përbashkëta vetëm në Bashkimin Evropian”, shton Xani.

Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), të cilat edhe kishin propozuar këto ndryshime, e kanë mirëpritur vendimin e Këshillit të Ministrave për ta miratuar ato, sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano.

“Të dyja palët kishin pranuar obligimet e tyre përkatëse, se Marrëveshja për normalizimin [e marrëdhënieve] do të bëhej pjesë përbërëse e rrugëtimit të tyre të integrimeve evropiane. Zbatimi i Aneksit të arritur në mars të vitit 2023 reflekton këtë obligim të të dyja palëve”, tha Stano.

Stano konfirmoi se edhe për Kosovën do të bëhet formal një detyrim i tillë përmes një grupi “special për normalizim”.

“Agjenda e takimit të ardhshëm të grupit special për normalizim për Kosovën do të përditësohet po ashtu. Ne presim që të dyja palët ta zbatojnë Marrëveshjen dhe të gjitha obligimet tjera që kanë mbetur nga dialogu, sepse kjo është kyçe për rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, shtoi ai.

Pajtimin për këto ndryshime e kishin arritur ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së javën e kaluar.

Ky ndryshim ishte kërkuar për të përfshirë edhe obligimin për zbatimin e marrëveshjes nga dialogu i Serbisë me Kosovën si kusht në kuadër të kapitullit 35 të negociatave të anëtarësimit qysh kur ishte arritur marrëveshja para një viti.

Përparimi në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën edhe më herët kishte qenë pjesë e kushtëzimeve në negociatat e anëtarësimit të Beogradit në BE, por tani në mënyrë specifike përmendet kushti i zbatimit të marrëveshjes të arritur vitin e kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat