Vrasjet e pasluftës dhe atentati i frikshëm ndaj deputetit të LDK-së, Rudi rrëfen për “Bota sot” nëse ka marrë ftesë nga Specialja

Politika

Vrasjet e pasluftës dhe atentati i frikshëm ndaj deputetit të LDK-së, Rudi rrëfen për “Bota sot” nëse ka marrë ftesë nga Specialja

Nga: A.Z Më: 3 janar 2021 Në ora: 13:22
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi

Atentati ndaj deputetit të LDK-së, Fetah Rudi nuk është zbardhur as pas 20 vjetësh. Ai kishte deklaruar se atentati ndaj tij është bërë për motive politike.

Fetah Rudi si aktivist e veprimtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka qenë edhe ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi, ka deklaruar se Gjykata Speciale vazhdon të jetë e vetmja shpresë që të zbardhë të vërtetën e atentatit ndaj tij, dhe për vrasjet tjera që kanë ndodhur në Kosovë para dhe pasluftës.

“Gjykata Speciale është e vetmja shpresë që të zbardhet atentati ndaj meje dhe vrasjet tjera që kanë ndodhur në Kosovë. Besoj që Gjykata është në rrugë të mirë që ta arrij një gjë të tillë, pasi deri më tani drejtësia vendore, por edhe ajo ndërkombëtare si UNMIK dhe EULEX kanë dështuar që të bëjnë një gjë të tillë. Presim zhvillimet më tutje”, është shprehur Rudi, për gazetën “Bota sot”.

I pyetur se a ka pasur ftesë nga Specialja, ka treguar se deri më tani nuk ka ardhur ndonjë ftesë për të.

“Nuk kam çfarë te tregoj, pasi nuk kam dëshmuar. Nuk kam pas ftes nga Gjykata Speciale, por e di që atentati ndaj meje është brenda mandatit të Gjykatës Speciale”, tha deputeti i LDK-së.

Kurse, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se është i gatshëm çdoherë të dëshmojë që të zbardhet e vërteta.

“Patjetër, me kënaqësi. Çdoherë i gatshëm që të dëshmojë të vërtetën, në mënyrë që e vërteta të dal në dritë”, ka deklaruar deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi.

Kujtojmë se Fetah Rudi, 20 vjet më parë, i ka mbijetuar një atentati, pas kthimit në vendlindjen e tij, Malishevë, nga takimi i përjavshëm me ish-presidentin historic të Kosoës, Ibrahim Rugova.

Rudi në zgjedhjet e 6 tetorit mori afër 13 mijë vota.

Ndryshe, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi në fund të vitit të kaluar janë arrestuar dhe janë transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më 4 dhe 5 nëntor.

Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat