Ngjarja më e rëndësishme që pas shpalljes së pavarësisë, eksperti i sigurisë tregon meritat për dërgimin e ushtarëve në mision jashtë vendit

Politika

Ngjarja më e rëndësishme që pas shpalljes së pavarësisë, eksperti i sigurisë tregon meritat për dërgimin e ushtarëve në mision jashtë vendit

Nga: G.B Më: 6 janar 2021 Në ora: 18:13
FSK

Dje deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan që ushtarët e ushtrisë së Kosovës të marrin pjesë në misione paqeruajtëse, bashkë me trupat amerikane.

Për këtë, deputetët u shprehen krenarë që ishin pjesë e një votimi të tillë.

Por, çka do të thotë kjo për Kosovën?

Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ky vendim është prej më të rëndësishmëve që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe se është e arritur e pjesëtarëve të FSK-së dhe jo e politikës.

“Vendimi i djeshëm për angazhimin e FSK-së në mision jashtë vendit, është një prej ngjarjeve më të rëndësishme që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe vendimit të GJND-së. Me këtë Kosova fuqishëm e forcon subjektivitetin e saj shtetëror në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare. Kjo e arritur është ekskluzivisht e pjesëtarëve të FSK-së dhe jo e politikës së Kosovës, edhe pse tani ata ngarendin për marrje të poenëve në fillim fushate zgjedhore”, është shprehur ai.

Image
Drizan Shala

Sipas Shalës, rol të rëndësishëm në gjithë këtë proces ka ushtria amerikane, më saktë ish komandanti i gardës së IOWA-s, Gjeneral Major Timor Orr, derisa qeveritë në Kosovë nuk i kanë kushtuar shumë rëndësi aspektit të mbrojtjes dhe kjo shihet edhe me ndarjen e buxhetit së fundmi.

“Rol të rëndësishëm krucial në krejt këtë proces që ka zgjatur që disa vite, është ushtria amerikane, konkretisht ish komandanti i gardës së IOWA-s, Gjeneral Major Timor Orr. Qeveritë e deritanishme në Kosovë, fare pak i kanë kushtuar rëndësi aspektit të mbrojtjes së vendit, e kjo shihet përmes ndarjeve buxhetore që ka pasur FSK ndër vite. Operacionet në misione jashtë vendit, kanë kosto dhe duhen pajisje të mira, të cilat FSK-së i mungojnë. Duke filluar nga pagat e ushtarakëve që marrin pjesë në këto misione”, ka vlerësuar Shala.

Ai shton se situata me të cilën do ballafaqohen pjesëtarët tanë në misionin e parë jashtë vendit më karakter ndërkombëtar do të jetë mbështetja operacionale logjistike e Ministrisë së Mbrojtjes për pjesëtarët e saj jashtë vendit.

“Edhe tani liderishipi politik i Qeverisë dhe MM më shumë kanë fjalë pompoze se sa veprime që do e forconin FSK-në me pajisje të ndryshme ushtarake. Pra, edhe njëherë, misioni i FSK-së jashtë vendit është sukses, ndër më të mëdhenjtë që Republika e Kosovës e arriti falë aleatit strategjik SHBA. Bazuar në këtë, situata me të cilën do ballafaqohen pjesëtarët tanë në misionin e parë jashtë vendit më karakter ndërkombëtar do të jetë mbështetja operacionale logjistike e Ministrisë së Mbrojtjes për pjesëtarët e saj jashtë vendit”, ka deklaruar Drizan Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat