Të befasuar nga Qeveria për emërimin e Tahirit/ Analisti tregon se kush duhet të ishte në vend të tij

Politika

Të befasuar nga Qeveria për emërimin e Tahirit/ Analisti tregon se kush duhet të ishte në vend të tij

Nga: A.Z Më: 9 mars 2021 Në ora: 22:34
Besnik Tahiri

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka emëruar ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zëvendës kryeministrin e parë, Besnik Tahiri.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Zyra e Kryeministrit. Ky emërim vjen pas dorëheqjes së ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla

Lidhur me këtë analisti, Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se dorëheqja e Meliza Haradinaj-Stublla nuk na ka habitur sepse kritikat ndaj saj nuk i kanë dhënë të drejtë të udhëhiqte më tej Ministrinë e Diplomacisë së Jashtme.

Ndërsa, me emërimin e zëvendëskryeministrit Besnik Tahirit në pozitën e Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës nga Qeveria Hoti, Mehazi thotë se kjo qeveri nuk është dashur të emëronte atë, sepse është qeveri disa ditëshe dhe e pavlefshme.

“Pasi u zbulua blerja e votave e Meliza Haradinajt nga burri i saj Stublla, Ministres së Jashtme të Kosovës si ka mbetur tjetër përveç që të jap dorëheqje të ndërgjegjës politike. Dorëheqja e Meliza Haradinaj-Stublla nuk na ka habitur assesi, pasi kritikat e ashpra ndaj saj nuk i jepnin të drejtë që ajo të udhëhiqte më tej Ministrinë e Diplomacisë së Jashtme. Më shumë na ka befasuar Qeveria në detyrë e Hotit me emërimin e zëvendëskryeministrit Besnik Tahirit në pozitën e Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas dorëheqjes së Meliza Haradinaj-Stublla. Qeveria e Hotit nuk është dashur fare të emëronte Ministër të Punëve të Jashtme, Besnik Tahirin, pasi është qeveri disa ditëshe, e pavlefshme, humbëse e zgjedhjeve të 14 shkurtit”, është shprehur Mehazi.

Sipas Mehazit, më e logjikshme do të ishte që në vend të Tahirit të ishte Bekim Brestovci, pasi që është zëvendësministër aktual i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ai thotë se qeveria në detyrë pa nevojë e ka emëruar Tahirin, sepse ai nuk ka vlerë politike dhe diplomatike.

“Shumë më e logjikshme do të ishte që punën e Meliza Haradinajt ta bënte zëvendësminstri i Punëve të Jashtme, Bekim Brestovci, i cili edhe është zëvendesministër i Melizës sesa Besnik Tahiri, të cilin nga posti i zëvendëskryeministrit bëhet Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës. Pasi Bekim Brestovci sot e kësaj dite është zëvendësministër aktual i Ministrisë së Punëve të Jashtme, pse atëherë Brestovci mos të zëvendësonte Melizën deri në ditët e numruara të kësaj qeverie në largim. Pra, pas largimit të Meliza Haradinajt, në vend që punën e Melizës ta bënte zevendësministri aktual i MPB-së, Bekim Brestovci, qeveria në detyrë pa nevojë emëron, Besnik Tahirin, Ministër të Punëve të Jashtme pa farë vlerë politike e diplomatike. Besnik Tahirin mund ta quajmë apo emërojmë dhe kështu, (Ministër i Jashtëm sa për sy e faqe, e asgjë më shumë)”, përfundoi Mehazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat