“Heshtja e Brukselit përballë antropozofisë serbe”/ Ramabaja reagon ndaj ish-zëdhënësit të Kasapit të Ballkanit

Politika

“Heshtja e Brukselit përballë antropozofisë serbe”/ Ramabaja reagon ndaj ish-zëdhënësit të Kasapit të Ballkanit

Nga: N.Sh Më: 17 mars 2021 Në ora: 20:21
Kasapi i Bllkanit - Sllobodan Millosheviq

Dr. Sadri Ramabaja e ka komentuar një deklaratë të ministrit të Brendshëm serb, Aleksandër Vulinin për Sllobodan Millosheviqin.

Ramabaja thotë se, Aleksandar Vulin, një shovinist i pështirë i dalë nga naftalina e Shërbimit Sekret të ushtrisë serbe, i katapultuar në krye të të ashtuquajturës Lëvizje Socialiste, më 11 mars pohoi se, ish presidenti i Serbisë dhe më pas i Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ), Sllobodan Millosheviq “me jetën dhe vdekjen e tij, meritonte respektin e Serbisë dhe Serbëve, por edhe të gjithë njerëzve që respektojnë luftëtarët e lirisë.

“Gjatë regjimit të Millosheviçit, Aleksandar Vulini ishte një zëdhënës i të ashtuquajturës të majtë Jugosllave (JUL), themeluar nga gruaja e Millosheviçit, Mirjana Markoviç dhe pjesë e koalicionit qeverisës. Ajo që e karakterizon Serbinë e dekadës së tretë të shek. 21 është gjithsesi antihistorike; për të tashmen e shumë më shumë për të ardhmen e Serbisë. Gjithë stablishmenti aktual i drejtuesve të Serbisë, vazhdojnë të jenë po ata që gjatë luftërave në ish Jugosllavi ishin afër Slobodan Milosheviqit, që tashmë ka shkuar në histori me nofkën “Kasapi i Ballkanit”. Kjo nomenklaturë, përfshi edhe pjesën më të madhe të inteligjencës serbe, tutje e konsiderojnë atë monstrum si një “gjeni i keqkuptuar” e i cili na qenka “akuzuar padrejtësisht” dhe në fund na qenka “vra në Hagë”. Ata që i mëshojnë me patos kësaj propagande banale janë pikërisht ish-flamurtarët e JUL-it, të konvertuar së fundmi në Lëvizje Socialiste”, thotë ai.

Ramabaja shton se, deklarata si kjo e fundmit në mbrojtje të Sllobodan Millosheviqit janë dëgjuar e dëgjohen edhe në vet Kuvendin e Serbisë.

“Fundja ky është kuvendi ku shumicën dërmuese e përbëjnë ose çetnikët (fashist) të deklaruar edhe publikisht si të tillë, siç është partia presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ose të kamufluar në socialistë, si Lëvizja Socialiste e Aleksandar Vulinit; pasta Partia Socialiste e Ivica Daçiqit e të tjera si këto. Ky i fundit, jo pa krenari e fodullëk, shpesh e potencon se, ai është pasuesi i Titos dhe Millosheviçit, ashtu si SPS-i është pasardhësja e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Aleksandër Vulin, deklaroi në 11 mars 2021 se, krimineli ndërkombëtar i luftës Sllobodan Millosheviq, “meriton respektin e Serbisë, të serbëve dhe të gjithë atyre, që respektojnë luftëtarët e lirisë”. Qeveria serbe e shpallë kështu zyrtarisht, kasapin e Ballkanit “luftëtar të lirisë”. A e dëgjoi kush në BE? A ka veshë diplomacia e BE-së?”, pohon ai.

Këto pyetje, sipas tij, i shtroi me të drejtë ish diplomati ynë i karrierës, Shaban Murati.

“Duket se Brukseli në raport me Serbinë tutje aplikon diplomaci asimetrike, të bazuar në standarde të dyfishta. Prandaj heshti edhe kësaj radhe! “Serbia është e përkushtuar për ecje drejt BE-së dhe ka ndërmarrë reforma të guximshme e të thella në procesin e saj reformues.“Kjo është fjalia standard e diplomatëve evropian dhe raportuesve të nduarnduarshëm për zhvillimet në Serbi”.

“Supozimet për bazën ideologjike të fashizmit historik në Europë, tashmë janë të nohura: një përzierje e nacionalizmit, antisemitizmit, racizmit, anti-feminizmit, autoritarizmit, anti-liberalizmit, anti-marksizmit dhe glorifikimit të dhunës. Por, fashizmi klasik e ai modern serb, këtë konglomerat përzierjesh të fashizmit historik, do ta pasurojë tutje edhe me albanofobinë, e ngritur në një lloj antropozofie tipike,që në esencë edhe aktualisht prezanton idealizmin serb, respektivisht virtytin serb. “Gënjeshtra është virtyti më i mirë i popullit serb. Ne gënjejmë për të mashtruar veten për të ngushëlluar të tjerët, ne gënjejmë për të kërkuar ndjesë, falje, ne gënjejmë për të luftuar kundër frikës, gënjejmë për të fshehur mjerimin tonë. Gënjeshtra është një formë e patriotizmit tonë dhe me të vërtetojmë inteligjencën tonë. Ne gënjejmë me imagjinatë dhe në mënyrë kreative…”(Dobrica Qosiq: 1961) Shih për këtë “Kasapi i Ballkanit” ministrit të brendshëm serb, Aleksandar Vulin, i ngatërrohet me “luftëtarin e lirisë”! Këtë lloj “ngatërrimi” ai, jo pa krenari, ia përcjell tutje qytetarëve serb si virtyt nacional. Antropozofia serbe vazhdon tutje ta trajtoj në unison idealizmin serb me gënjeshtrën si virtyt”, thekson Ramabaja.

Ai tutje pohon se, sovraniteti i Evropës dhe interesat strategjike të saj, pa aderimin e shteteve të Evropës Juglindore, nuk mund të realizohen dot.

“Por ky qëllim nuk realizohet konform e në përputhje me filozofinë europiane, nëse Brukseli vazhdon me trajtimin dubioz të Serbisë. Serbia, siç e dëshmojnë edhe deklaratat e Vulinit së fundmi, nuk i është nënshtruar fare procesit të përballjes reale me t’kaluarën, siç ishte bërë me denazifikimin në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore. Duket se prapa kësaj tolerance të Brukselit ndaj Serbisë qëndron pendesa e aleatëve të saj tradicional, një lloj gjakimi për revizionimin e historisë së dekadës së fundit të shek. 20-të. Apo, mos vallë, kemi të bëjmë me pleksjen e gjeopolitikës me antropozofinë serbe?! Prandaj deklaratat e kësaj natyre, si kjo e Vulinit, bien në vesh të shurdhër në Bruksel”, përfundon dr. Sadri Ramabaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat