Kritikat e ashpra ndaj kryeministrit Kurti pas vaksinimit, ja përgjigja për Pacollin, PSD-në, PDK-në dhe të tjerët

Politika

Kritikat e ashpra ndaj kryeministrit Kurti pas vaksinimit, ja përgjigja për Pacollin, PSD-në, PDK-në dhe të tjerët

Nga: N. H Më: 29 mars 2021 Në ora: 18:38
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë i pari në vend vaksinën Anti-COVID të AstraZenecas.

Shefi i qeverisë ka marrë vaksinën i pari në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, shkruan gazeta “Bota sot”.

Mirëpo, me t’u vaksinuar i pari i qeverisë së Kosovës, në drejtim të tij kanë ardhur reagime të ndryshme.

Të parët që reaguan ishin nga partia e Dardan Molliqajt. Anëtari i PSD-së, Nol Nushi u shpreh se vaksinimi i kryeministrit do kishte kuptim vetëm nëse fillohet me vaksinimin masiv të popullatës.

Ai është i mendimit se vaksinimi i kryeministrit është shfrytëzim i privilegjit të postit.

Ngjashëm një reagim e ka bërë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli, raporton “Bota sot”.

Lideri i AKR-së u shpreh se vaksina Astra Zeneca erdhi në Kosovë, si donacion, dhe sipas tij, për këtë më shumë kanë nevojë ata që përballen çdo ditë me COVID-19, sesa njerëzit e politikës.

”Vaksina ‘Astra Zeneca’ e cila erdhi si donacion nga aleanca Covax, është e sigurt dhe e suksesshme në miliona njerëz në mbarë botën. Qytetarët dhe ata që përballen çdo ditë me Covid kanë nevojë për këtë donacion, më shumë sesa njerëzit e politikës, të cilët kanë më shumë mundësi ta mbrojnë veten, e jo duke shfrytëzuar donacionin”, ka shkruar Pacolli në Facebook, përcjell “Bota sot”.

Kurse, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka vlerësuar se vaksinimi i kryeministrit Albin Kurti nuk ka qenë i nevojshëm të bëhet.

Sipas Tahirit kjo do të duhej të bëhej vetëm kur të ishte siguruar se asnjë qytetar nuk do të mbesë mbrapa, sepse depot janë plot e në pritje.

Ai ka thënë se i pari do të duhet të vaksinohej drejtuesi i Qendrës së Klinikës Infektive.

Shpjegimi i Kurtit pse u vaksinua i pari

Pas marrjes së vaksinës Anti-COVID, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar për media se me shembullin e tij ka dashur t’i inkurajojë edhe qytetarët tjerë që të vaksinohen dhe të heqin dilemat për vaksinat.

Kurti është shprehur se nuk ka dashur ta shfrytëzojë privilegjin si kryeministër për tu vaksinuar i pari, por për t’i inkurajuar të tjerët.

“Si kryeministër nuk jam këtu që ta shfrytëzojë privilegjin që të vaksinohem por të inkurajojë të gjithë qytetarët të vaksinohen meqenëse mbrëmë ka ardhur kontingjenti i parë i vaksinave, do të kemi edhe vaksina tjera dhe do të përpiqemi maksimalisht që sa më shpejtë dhe sa më shumë qytetarë të vaksinojmë. Me shembullin tim dua t’i inkurajojë të gjithë qytetarët të vaksinohen dhe të heqin dilemat. Vaksinimi është i nevojshëm, po përballemi me një pandemi të vështirë dhe zgjidhja përfundimtare është vaksinimi i popullsisë ”, ka deklaruar Kurti.

Mirëpo, sikurse Kurti kishin vepruar edhe liderët më të njohur të botës.

Presidenti i zgjedhur në SHBA, Joe Biden ka qenë i pari që ka marrë dozën e parë të vaksinës anti-COVID, në transmetim “live”.

Edhe në Shqipëri, i pari që ka marrë vaksinën ka qenë kryeministri aktual, Edi Rama.

Edhe Rama, njëjtë sikurse Biden e Kurti, janë vaksinuar para medieve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat