Tërbimi dhe grisja e marrëveshjes, bumerang për Aleksandër Vuçiqin

Politika

Tërbimi dhe grisja e marrëveshjes, bumerang për Aleksandër Vuçiqin

 Arife Morina Nga Arife Morina Më 30 mars 2021 Në ora: 20:31
Albin Kurti

Veprimet skandaloze dhe të turpshme të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq nuk kanë të ndalur. Duket se Vuçiq nuk po arrin assesi ta zbrazë mllefin dhe urrejtjen ndaj shqiptarëve me deklarata fyese, sa që ai po bën edhe veprime të pahijshme për një lider shtetëror.

Së fundmi, presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka ndërmarrë një lëvizje agresive pas qëndrimit të qartë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për dialogun me Serbinë.

Në një takim që ka zhvilluar në një bazë ushtarake së bashku me ministrin kinez të Mbrojtjes, presidenti serb ka bërë grisjen publike të marrëveshjes së Uashingtonit që firmosi në prani të Presidentit Donald Trump dhe kryeministrit të Kosovës në atë kohë, Avdullah Hoti.

Në kuadër të kësaj marrëveshje, Serbisë i është ndaluar procesi i lobimit për ç'njohje të Kosovës. Mirëpo, Vuçiq e ka riaktivizuar këtë akt politik të Beogradit.

Presidenti serb ka bërë të ditur nga kazerma ushtarake e Dedinjës në Beograd se: “Jam krenar për faktin që unë do të delegjitimoj shtetësinë e Kosovës”, e ka shtuar me ironi se këtë e bën “ndërsa Kurti është i interesuar për atë dialog”.

“Kam frikë se atij i pëlqen të flasë më shumë me veten e tij. Lërini të bëjnë çfarë të duan dhe munden, ata thjesht tregojnë se kurrë nuk e dëshironin një dialog”, tha Vuçiq, duke hapur luftën reale me Kosovën.

Grisja e marrëveshjes nga Vuçiq, u përfol se është bërë shkaku i inatit politik që ky i fundit ka ndaj kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti.

Pasi, për dallim nga liderët e mëparshëm të Kosovës, Kurti është treguar më strikt dhe i rreptë me Serbinë dhe dialogun me të. Siç duket, kjo gjë e ka shtyrë Vuçiqin që ta bëjë një veprim të tillë.

Njohësit e çështjeve politike dhe kushtetuese për gazetën “Bota sot”, e cilësuan si veprim të duhur grisjen e marrëveshjes nga Vuçiqi, pasi në këtë mënyrë ai po e vë në pah agresivitetin dhe jo seriozitetin për dialogim me Kosovën.

Ata ia rikujtuan presidentit serb se ekziston edhe origjinali i marrëveshjes që ai ka grisur, madje thanë se ajo gjendet në zyrat e administratës amerikane.

Qarri: Albin Kurti e tërboi Aleksandër Vuçiqin

Njohësi i çështjeve politik Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar grisjen e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë të arritur në SHBA, nga ana e presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Qarri tha se këto sjellje të paprecedentë të kriminelit Vuçiq, dëshmojnë se sa cinik dhe i rrezikshëm ai ka mbetur, edhe mbi dy dekada pas çlirimit të Kosovës

Image
Gani Qarri

“Sjelljet e paprecedentë të kriminelit dhe ish ministrit të informatave të Millosheviqit, sikur të ishte në fushëbetejat e luftës, së viteve të okupimit klasik të Kosovës nga Serbia, Aleksandër Vuçiq, i cili edhe 21 vite pas përfundimit të luftës , mban ende peng eshtrat e mijëra shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar, bashkë me aktin e grisjes së marrëveshjes së Uashingtonit, dëshmojnë se sa cinik dhe i rrezikshëm ai ka mbetur, edhe mbi dy dekada pas çlirimit të Kosovës, në raport me shtetin tonë të lirë e të pavarur dhe shqiptarët, si banorë shumicë të vendit tonë të lirë e të pavarur”, ka deklaruar ai.

Për këtë arsye, analisti mbështet qëndrimet e Albin Kurtit në raport me dialogun me Serbinë dhe asociacionin e komunave serbe. Qarri tha se nënshkrimi i Asociacionit nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, jo vetëm që është plotësisht kundër kushtetues, por edhe do të futej si kalë "Troje", thellë në zemër të Kosovës.

“Ndaj, Kurti si kryeministër legjitim i Kosovës, jo vetëm që ka plotësisht të drejtë në qëndrimet e tij parimore për mos fillimin e bisedimeve dhe kundër formimit të asociacionit kundër kushtetues për rreth 20 mijë serb në veri të vendit, derisa në Kosovën Lindore jetojnë mese 100 mijë shqiptar nën okupimin serb, pa asnjë të drejtë kombëtare, por asociacioni i nënshkruar në mënyrë të kundërligjshme nga kuislingu Hashim Thaçi dhe jugokomunisti Isa Mustafa, jo vetëm që është plotësisht kundër kushtetues, por edhe do të futej si kalë "Troje", thellë në zemër të Republikës së Kosovës, duke rrezikuar tërësisht rregullimin e brendshëm shtetëror dhe shkaktuar apriori, bosnjëzimin praktik e institucional të Republikës tonë. Ky akt makabër, për kohë të shkurtër do të çonte edhe në ndarjen përfundimtare të shtetit të Kosovës, gjë të cilën e dëshiron shumë Aleksandër Vuçiq, kështu që pa marrë parasysh "hidhërimin" dhe nervozizmin artificial të kriminelit Vuçiq, si bashkëpjesëmarrës në planifikimin dhe organizimin shtetëror të gjenocidit të Serbisë mbi shqiptarët, Asociacioni kundër kushtetues, nuk guxon kurrë të ndodhë, në Kosovë”, ka theksuar Qarri.

Ai ia rikujtoi Vuçiqit se ndonëse ai ka grisur marrëveshjen, origjinali i saj është i deponuar në administratën e jashtme shtetërore të SHBA-ve.

“Ndërsa presidenti arrogant serb, Aleksandër Vuçiq nuk duhet të harrojë se edhe nëse ai e ka grisur kopjen e marrëveshjes me Kosovën të arritur në Uashington, origjinali ekziston i deponuar në administratën e jashtme shtetërore të SHBA-ve, e SHBA është dhe mbetet tash e përgjithmonë, ajo që ishte, e madhe dhe e fortë, në vendin e vet, por edhe këtu tek ne, bashkë me Kosovën, në çdo hap, lëvizje dhe situatë, kështu që ai si kriminel që është duhet ta dijë mirë, se i ka bërë hesapet pa hangjinë, dhe loja me vendimet e SHBA- ve, i kushton, shumë më tepër se sa që ai do ta mendonte”, ka nënvizuar ai.

Sipas analistit, acarimi i presidentit serb i shkon në favor Kosovës, pasi Amerika nuk është Thaçi as Edi Rama që ai të luajë me ta si me fëmijë, por ka përgjigje meritore për Serbinë dhe vet kriminelin Aleksandër Vuçiq.

“Për aq më tepër, acarimi i Vuçiqit me SHBA-të do të shkonte edhe më tepër në favor të Kosovës, sidomos kur dihet fakti se z. Joe Biden është miku i njëmendtë e tradicional i shqiptarëve, si dhe mbështetësi më i madh i shtetit të Kosovës dhe nëse Vuçiq, vërtetë rrezikon që të mos i përmbahet ndalesës së nënshkruar nga ai vet në SHBA, që të mos lobojë për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës, SHBA nuk është Thaçi as Edi Rama që ai të luajë me ta si me kalamaj, por ka përgjigje meritore për Serbinë dhe vet kriminelin Aleksandër Vuçiq i cili edhe pas 21 vitesh, tenton ta gllabërojë me dhunë e gjenocid Kosovën, njëjtë si në kohën e kasapit Millosheviq kur ata dy- bashkëpunonin për shfarosjen e shqiptarëve.”, është shprehur tutje ai.

“Aktet e Thaçit dhe të Isa Mustafës duhet të shpallen akte të tradhtisë së lart shtetërore e kombëtare”

Qarri ka thënë se lumturia e Aleksandër Vuçiqit ka përfunduar me humbjen e Trumpit dhe fitoren e Bidenit në Amerikë.

“Kurse sa i takon asaj që ai thotë se është i lumtur..... jam plotësisht i bindur se lumturia e tij, që nga humbja e Trumpit dhe fitorja e z, Joe Biden në SHBA ka përfunduar, ajo është kontaminuar tërësisht dhe mbushur plot helm për të, ndaj para se të krekoset si gjeli mbi pleh, duhet t’i mat mirë fjalët dhe të mendojë me kujdes, se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të veprojë, sepse aktualisht në krye të SHBA-ve, është hiq më pak se ithtari më besnik i bombardimeve të Serbisë, për ndaljen e gjenocidit dhe terrorit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë, përderisa edhe vet radikali i pështirë Aleksandër Vuçiq ishte ministër i asaj qeveria kriminale, dhe ua njeh më së miri aromën e bombardimeve, të SHBA-së dhe NATO-s, mbi kryeqytetin e shtetit gjenocidial të Serbisë”, ka shpjeguar Gani Qarri.

Në vazhdim, njohësi i çështjeve politike ka thënë se presidenti është tërbuar me zgjedhjen e Kurtit kryeministër, pasi nuk mund të luajë si me Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën.

“Vuçiq është tërbuar edhe për faktin se me kryeministrin Kurti, nuk mund të luajë më si me kuislingun Thaçi dhe jug-komunistin Isa Mutafa, Kurti është kryeministri i parë që përfundimisht do ta ndryshojë për të mirë, imazhin e shkatërruar nga bandat të shtetit tonë të brishtë, ka ndaluar lojën meskine të pazareve me tokat e Kosovës të zhvilluar nga kuislingu Hashim Thaçi me kompani dhe pritet t’i shfuqizojë të gjitha aktet bizare të Hashim Thaçit e Isa Mustafës, për formimin e Asociacionit kundër kushtetues të komunave serbe për vetëm 20 mijë banorë serb, që rrezikon rregullimin e brendshëm shtetëror dhe qon në bosnjëzimin e Kosovës”, ka vlerësuar Qarri.

Në fund, analisti Qarri kërkoi nga Qeveria e re që në mënyrë urgjente t’i shfuqizojë të gjitha marrëveshjet e dëmshme të nënshkruara nga Thaçi me kompani në kurriz të Kosovës.

Madje, ai kërkoi nga Kurti që aktet e ish-presidentit Thaçi dhe ish-kryeministrit Mustafa, t’i shpall akte të tradhtisë së lartë shtetërore e kombëtare.

“Qeveria e re dhe Kuvendi i Kosovës, e ka për obligim t’i shfuqizojë urgjentisht të gjitha marrëveshjet e dëmshme të nënshkruara nga Thaçi me kompani në kurriz të Kosovës, si dhe t’i shpall të jashtëligjshëm aktet kundër kushtetuese e kundërshtetërorë të kuislingut Hashim Thaçi, me aktvendim të veçantë thirrjen publike të Thaçit në Alpbach të Austrisë, drejtuar faktorëve ndërkombëtarë në prani të Aleksandër Vuçiqit, për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës, duke sjellë vendin në prag të ekzistencës dhe shuarjes së tërësishme të shtetësisë së Republikës së Kosovës si shtet i lirë dhe i pavarur. Madje përveç shfuqizimit, Kurti dhe Qeveria e re, aktet e Thaçit dhe të Isa Mustafës duhet ti shpall akte të tradhtisë së lartë shtetërore e kombëtare si dhe t’i autorizojë prokurorinë dhe gjyqësinë e reformuar të shtetit për hetimin deri në detaje të këtyre veprimeve renegate, pasojat e shkaktuara vendit nga ata dhe dënimin e autorëve sipas ligjit për këto akte të pa tolerueshme e makabre, duke shpallur edhe bisedimet me Serbinë, apriori të përfunduara, përderisa Serbia të përgjigjet për krimet dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve si dhe t’i paguajë të gjitha dëmet dhe reparacionet e shkatërrimeve të luftës nga Serbia në Kosovë”, ka përfunduar Gani Qarri për ”Bota sot”.

Kelmendi: Kosova nuk duhet të shqetësohet pse ky kriminel vepron me qëllime luftarake e kriminale të Beogradit

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi, duke komentuar veprimin skandaloz të Aleksandër Vuçiqit, i cili ditë më parë grisi marrëveshjen me Kosovën, ka thënë se dialogimin me Serbinë e sheh si një nga detyrat më të vështira që ka Qeveria Kurti, pasi Beogradi dhe presidenti serb e shohin Kosovën pa shqiptarë dhe të serbizuar.

Image
Muhamet Kelmendi

“Dialogimi me shtetin kriminal serb është një ndër detyrat më të rënda që ka Kosova. Beogradi dhe Vuçiqi me klikën e tyre kurrë nuk janë ndarë nga e kaluara e tyre gjenocidiale dhe asnjëherë nuk i kanë dënuar masat gjenocidiale ndaj shqiptarëve, ata e shohin Kosovën pa shqiptarë dhe të serbizuar”, është shprehur ai.

Tutje, juristi ka shtuar se grisja e marrëveshjes është dëshmi kriminale, që vë në pah pikësynimet e shtetit serb. Ai tha se Serbia nuk është tërhequr asnjëherë nga lobimet kundër Kosovës, prandaj një gjë e tillë nuk ka shumë rëndësi në marrëdhëniet në mes dy shteteve.

“Grisja e marrëveshjes nga krimineli serb Vuçiq është një tjetër dëshmi në rrugën e tillë kriminale dhe që tregon pikësynimet e shtetit serb. Mirëpo kjo marrëveshje nuk është bërë me Kosovën po me SHBA-të dhe atyre iu takon që të marrin qëndrim mbi Serbinë dhe mbi marrëveshjen. Ndërsa ajo se tash do të punojnë për zhbërjen e njohjeve fare nuk ka rëndësi në raport me Kosovën, sepse një punë të tillë ata kështu e ashtu veç e kanë ndërmarrje dhe kurrë nuk kanë hequr dorë nga pikësynimi për ripushtimin e Kosovës”, ka theksuar Kelmendi.

Njohësi i çështjeve kushtetuese e cilësoi si veprim të mirë grisjen e marrëveshjes nga Vuçiqi, pasi edhe BE dhe Amerika e vënë re se çfarë krimineli është ai.

“Është mirë pse veproi krimineli ashtu me marrëveshje, duke e grisur marrëveshjen e tillë e pa UE dhe SHBA-të se çfarë krimineli është Vuçiq. Kosova ka punuar dhe duhet të punojë për interesat e saj shtetërore dhe kurrsesi nuk duhet të shqetësohet pse ky kriminel vepron dhe tregon qëllime luftarake e kriminale të Beogradit”, ka nënvizuar Kelmendi.

Në fund, profesori ka thënë se Kosova duhet të fokusohet në ndërtimin dhe zhvillimin e saj, nëse shteti serb dëshiron dialog duhet ta bëjë atë mbi kritere të njëjta shtetërore.

“Republika e Kosovës është e lirë dhe duhet punojë për t’u ndërtuar dhe zhvilluar më tej. Nëse Serbia dëshiron marrëveshje dhe dialogim mbi baza të njëjta shtetërore duhet dialoguar, në të kundërtën çdo pikësynim tjetër duhet refuzuar”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat