Vizitat e shpeshta të Kurtit në Bruksel, afër marrëveshja përfundimtare me Serbinë?

Politika

Vizitat e shpeshta të Kurtit në Bruksel, afër marrëveshja përfundimtare me Serbinë?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 19 maj 2021 Në ora: 17:51
Albin Kurti, Josep Borrell

I pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, të martën mbrëma ka deklaruar në Bruksel se bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nuk do të jenë njësoj si në të kaluarën dhe se në thelbin e tyre duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

Kryeministri Kurti i bëri këto komente pas një darke punë të organizuar nga shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, me udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë integrimet evropiane.

Shpeshtimi i vizitave të kreut të ekzekutivit të Kosovës drejt Brukselit, po shihen si një hap tejet i rëndësishëm i përkushtimit të qeverisë aktuale drejt përmbylljes së marrëveshjes finale me Serbinë.

Njohësit e çështjeve politike dhe juridike janë të mendimit se veprimet e fundit të kryeministrit Kurti janë tregues i përkushtimit të madh të Qeverisë Kurti 2 për përmbylljen e negociatave të tejzgjatura me Serbinë, si dhe rikthimin e shpresës së qytetarëve të dy shteteve.

Halili: Përkushtimi i Kurtit për përmbylljen e negociatave

Anëtari i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA, njëherësh edhe analisti politik, Nijazi Halili tha se këto vizita tregojnë përkushtimin që ka shefi i qeverisë së Kosovës lidhur me këtë proces.

Image
Nijazi Halili

“Lëvizjet e shtuara të Kurtit në drejtim të selisë së BE-së në Bruksel tregojnë përkushtimin e tij për përmbylljen e negociatave të tej zgjatura me Serbinë dhe rikthimin e shpresës së qytetarëve të dy shteteve, të cilat kanë ngecur në këtë proces dhe rrugëtimin e tyre drejt familjes evropiane. I pari i qeverisë së Kosovës, ishte dje në një darkë pune të thirrur nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell. Palën e Kosovës në këtë takim në Bruksel e përfaqëson kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga zyra e të cilit thanë se ai e ka temën e integrimeve bashkë me atë të bashkëpunimit rajonal në agjendë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike, Nijazi Halili.

Sipas profesorit, qeveria aktuale do të ketë prioritet kryesor përmbylljen sa më parë të kësaj etape të errët për Ballkanin Perëndimor.

“Një temë që është e pashmangshme në mbledhjet e së martës ishte kërkesa për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Lëvizjet e shtuara të kryeministrit Albin Kurti në Bruksel japin të kuptojnë përkushtimin e tij, dhe qeverisë lidhur me përshpejtimin dhe përmbylljen e negociatave me Serbinë, dhe perspektiven evropiane. Madje, përkushtimi dhe kontaktet e shtuara të kryeministrit Albin Kurti, me Brukselin ka filluar të krijojë panik te presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Qeveria e Kosovës, prioritet do të ketë negociatat në Bruksel, dhe përmbylljen sa më parë të kësaj etape të erret për Ballkanin Perëndimor, dhe rikthimin e shpresës së qytetarëve drejtë familjes evropiane”, ka deklaruar Nijazi Halili për gazetën “Bota sot”.

Burjani: Kurti të koordinohet me opozitën, dhe miqtë ndërkombëtarë

Në anën tjetër, juristi Blerim Burjani, është i mendimit se në këtë proces është i rëndësishëm që të mos pengohet zgjidhja përfundimtare, pasi që sipas tij, marrja me problematikat e kaluara nuk qojnë në zgjidhje.

Image
Blerim Burjani

“Zgjidhja e kësaj teme që dy vjet thuhet se duhet të përfundojë sa më parë. Normal se është pjesë strategjike e SHBA-së dhe BE-së të përfundojë kjo temë, tash me rëndësi është mos me pengu zgjidhjen, por të punohet me opsione që janë të dobishme për zgjidhje. Marrja veç me dëmet dhe pasojat nuk qojnë në një zgjidhje, por në një problem të mbetur pa zgjidhje”, ka thënë juristi Burjani.

Njohësi i çështjeve juridike ka bërë me dije se shefi i qeverisë aktuale nuk duhet të ketë hezitim, por të koordinohet me opozitën dhe miqtë ndërkombëtar.

“Duhet të ketë shumë kujdes në këtë çështje, nuk duhet të ketë gjëra të kësaj natyre që mund të pengojnë. Kurti nuk duhet të ketë hezitim, por të koordinohet me miqtë tanë me opozitën, si dhe të ketë një zë unik ndaj Serbisë. Për Kosovën është më rëndësi zgjidhja e përhershme që hap rrugën për në OKB, BE dhe NATO. Pra, ne kem interesa strategjike, kemi nevojë për zgjidhje, po aq sa ka nevojë edhe Serbia”, ka bërë me dije ai.

Mehmeti: Vizita e Kurtit në Bruksel tregon seriozitetin që Qeveria e Kosovës ka karshi dialogut

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se vizitat e shpeshta të shefit të ekzekutivit tregojnë seriozitetin që Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti, ka karshi bisedimeve me Serbinë.

Image
Faton Mehmeti

“Vizita e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel tregon seriozitetin që Qeveria e Kosovës ka karshi bisedimeve me Serbinë. Megjithatë, kjo nuk nënkupton që bisedimet do të fillojnë së shpejti, aq më tepër edhe në një rezultat final”, ka thënë analisti Mehmeti.

Krejt në fund, njohësi i çështjeve politike ka thënë se këto vizita të kryeministrit Kurti në Bruksel janë duke krijuar shqetësim tek presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Qeveria e Kosovës duket se është e fokusuar në prioritete tjera, krahas saj edhe përgatitjet për bisedimet në Bruksel nuk besoj që do të anashkalohen. Nga vizita e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel duket se është krijuar shqetësim tek Aleksandër Vuçiq të cilit manovrimet në bisedime me Kosovën i kanë hasur në gozhdë”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se në takimin e së martës morën pjesë; kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç, presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviç dhe kryetari i Këshillit të ministrave të Bosnjës e Hercegovinës, Zoran Tegeltija.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat