Albin Kurtit i vjen mbështetja e fortë: Jo reciprocitet, kështu duhet të veprohet me Serbinë

Politika

Albin Kurtit i vjen mbështetja e fortë: Jo reciprocitet, kështu duhet të veprohet me Serbinë

Nga: P.R Më: 26 maj 2021 Në ora: 19:48
Albin Kurti

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se pavarësisht përplasjes me Serbinë, që nuk njeh dokumentacionet e lëshuara nga shteti i Kosovës, masat e reciprocitetit nuk do të vendosen.

“Nuk kam dashur t’i sjell masat e reciprocitetit me asnjë shtet fqinj. Kam dashur t’i zgjidh problemet përmes mekanizmave rajonalë, duke filluar nga CEFTA, RCC-ja dhe mekanizmat e tjerë evropiane që mund të na ndihmojnë për zhvillim. Kam kuptuar se kam përkrahje të madhe nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi”, deklaroi Hajdari.

E kjo deklaratë e Ministres Hajdari, nxiti shumë reagime në Kosovë kundrejt kryeministrit, Albin Kurti.

E në mbështetje të Kurtit ka dal profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“E shoh se në Kosovë e madje përtej Kosovës ka njerëz, të cilët kërkojnë me insistim që kryeministri Kurti të vendosë masën e reciprocitetit me Serbinë, ndërsa ka të tjerë që këtë masë nuk e shohin të përshtatshme e madje as të dobishme. Zërat për vendosjen e këtyre masave më duken se janë të natyrës politike ose më së paku emocionale. Zërat politikë vijnë nga opozita dhe nuk kanë të bëjnë me emocionin e bartësve të idesë së reciprocitetit. Në veçanti këta zëra vijnë nga opozita destruktive e Partisë Demokratike të Kosovës”, thotë Bytyçi.

Ai shton se Partia Demokratike ishte kundër taksës dhe kundër masave të reciprocitetit.

“Kur themeluesi i kësaj partie e rrëzoi qeverinë Kurti pse ai kishte vendosur masën e reciprocitetit me Serbinë, anëtarët dhe liderët e PDK-së u vonë në mbështetje të Hashim Thaçit. Kurti u rrëzua për këtë shkak dhe Thaçi ia hypi pampurit që të shkojë në Uashington e ta nënshkruajë marrëveshjen e ndarjes së Kosovës me Vuçiç-in. Asokohe reciprociteti zëvendësoi vendimin e qeverisë Haradinaj për të vendosur taksën 100 për qind për mallrat serbe që hynin në Kosovë. Ishte një masë më e butë se taksa Haradinaj. Partia Demokratike ishte kundër taksës dhe kundër masave të reciprocitetit. Ndërsa tani bëjnë politikë e hiqen më patriotë se dy kryeministrat e mëparshëm të lartpërmendur”, shprehet Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Sulmet ndaj kryeministrit Kurti për reciprocitetin me Serbinë, profesor Bytyçi i sheh si provokime.

“Në fakt thjesht provokojnë. Duan që të ngjisin në opinion idenë se "Albin Kurti nuk i mban premtimet", se "kryeministri i sotëm nuk është i qëndrueshëm". Këto janë obstruksione të modelit serb dhe ramist. Sepse për çdo masë që është vënë ose mund të vihet vendimi merret sipas rrethanave konkrete të zhvillimit të situatave. Kur u vendos taksa ose reciprociteti Kosova kërcënohej nga presidenti i vet, Hashim Thaçi me humbje territoresh. Haradinaj dhe Kurti shfrytëzuan këtë artificë që ta ndalojnë aventurën serbe të ndryshimit të kufijve”, nënvizon Bytyçi.

Sipas tij, rrethanat e tanishme ndryshojnë shumë nga ato më parë.

“Sot jemi në rrethana krejt tjera. Vendimmarrjen për marrëveshje me Serbinë nuk e imponon më ish-presidenti serbofil i Kosovës dhe as dikush tjetër. Institucionet e reja të Kosovës janë në kushte kur rekordojnë fort mirë me njëri-tjetrin dhe bisedimet duket se do të zhvillohen bazuar në një filozofi të re, krejt tjetër nga filozofia serbe e Thaçit, Vuçiç dhe Edi Ramës. Unë besoj se në kushtet e sotme në vend të reciprocitetit me Serbinë do të duhej arritja e një konsensusi midis opozitës dhe mazhorancës për të realizuar me sukses dialogun me qeverinë serbe. Nuk ka rrugë tjetër. Zoti Abdixhiku dhe zoti Haradinaj janë takuar me zotin Kurti dhe në përgjithësi kam përshtypjen se janë marrë vesh për procesin e dialogut. Zoti Hoxhaj ka refuzuar t'i bashkëngjitet dy opozitarëve të tjerë, duke refuzuar sërishmi pa shkak bashkëpunimin me institucionet e Kosovës të pas 14 shkurtit të kaluar, edhe kur është fjala për interesat kombëtare”, thekson Bytyçi.

“Është e drejtë e kreut në detyrë të Partisë demokratike ta refuzojë qeverinë, parlamentin dhe presidenten e Kosovës. Është zgjedhje e tij kjo. Por unë besoj se bojkoti nuk funksionon në një shoqëri demokratike si ajo e Kosovës. Në vend të bojkotit opozita e ka për detyrë të ofrojë ide, vizion dhe zgjidhje të problemeve, me të cilat ballafaqohet Kosova. Dialogu në këtë aspekt është kryefjala e problemeve të vendit. Prandaj dhe mendoj se Partia Demokratike do ta paguajë një kosto për këto qëndrime të pamenduara e të papleqnuara mirë!”, shton profesor Bytyçi.

Për fund, Bytyçi deklaron se reciprociteti është parim, dhe si i tillë nuk ka nevojë të vendoset si masë e përkohshme.

“Nëse zoti Kurti do merrte një vendim të tillë, kjo do të thoshte se ai nuk e sheh si parim shtetëror të politikës së jashtme parimin e reciprocitetit, por e konsideron si masë të përkohshme, thjesht për t'iu përgjigjur një situate të caktuar. Kur u vendos para dy vitesh, reciprociteti u përdor si masë e përkohshme për të parandaluar një epilog të trishtueshëm për Kosovën. Unë mendoj se kohët janë të ndryshme në momentin aktual. Asgjë nuk e justifikon ta shndërrosh respektimin e parimit të reciprocitetit në një masë të përkohshme”, përfundon për “Bota sot”, profesor Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat