Paralajmërimi për Rusinë e Serbinë, ushtrimet “Defender Europe 21” tmerri më i madh për armiqtë e shqiptarëve

Politika

Paralajmërimi për Rusinë e Serbinë, ushtrimet “Defender Europe 21” tmerri më i madh për armiqtë e shqiptarëve

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 31 maj 2021 Në ora: 10:19
Ushtrimet “Defender Europe 21” në Gjakovë

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës javën e kaluar kanë zhvilluar një ushtrim të përbashkët me forcat ushtarake amerikane “Defender Europe 21”, në Babaj të Bokës në Gjakovë.

Prezent në këtë ngjarje madhore ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me zyrtarë të tjerë qeveritar të cilët panë nga afër ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në aktivitetet stërvitëse të “Defender Europe 21”.

Këto stërvitje janë vlerësuar jashtëzakonisht lartë nga të gjithë krerët e vendit, pasi që Kosova për herë të parë merr pjesë në stërvitje kaq të rëndësishme, gjë e cila tregon edhe për bashkëpunimin e mirë me aleatët.

Edhe njohësit e fushës i kanë dhënë një notë të mirë këtyre ushtrimeve, gjersa kanë bërë me dije se ata të cilët kanë pretendime ndaj Kosovës mashtrohen, pasi sipas tyre stërvitjet në Gjakovë janë një sinjal i pjekurisë së Ushtrisë së Kosovës.

Nga ana tjetër, njohësit e politikës konsiderojnë se pas 12 qershorit kur NATO-ja atëbotë hyri në Kosovë, “Defender Europe 21” i zhvilluar së fundit është tmerri më i madh për armiqtë e shqiptarëve.

Tërnava: Dëshmi e pjekurisë së ushtrisë tonë

Image
Hajrullah Tërnava

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se është momenti që Kosova duhet të tregohet se tani nuk është ajo e viteve të 90-ta, por se tani e ka ushtrinë tonë – FSK-në, e cila zhvillon aktivitetet e saja në hap me kohën.

“Situata e krijuar tani në Ballkan, e pse jo edhe më gjerë me këto lufta speciale që po zhvillohen, e kërkon që të ‘luhet loja e filluar, dhe kush nuk di ta luajë këtë lojë, ata dalin nga loja’. Tani e kemi ushtrinë tonë – FSK-në, e cila zhvillon aktivitetet e saja në hap me kohën dhe jo vetëm në Kosovë, por edhe në shtete e besa edhe kontinente tjera, prandaj nëse dikush mendon se jemi të asaj kohë që nuk e kishim ushtrinë, ata që kanë pretendime ndaj vendit tonë do të mashtrohen, sepse edhe atëherë që nuk e patëm ushtrinë, me vet organizime me grupe guerile deri në krijimin e UÇK-së, u mbrojtëm dhe në fund ata që na sulmuan edhe pësuan debakël me kapitullimin që e nënshkruan në vitin 1999-të në Kumanovë, por nënkuptohet që edhe miqtë tanë në krye me Amerikën dhe NATO-n na ndihmuan për çlirimin tonë, por mos të harrojnë ata të tillët nëse dikush ka pretendime ndaj Kosovës, se ne ende kemi miqësi të fortë me po ata miq që gjithnjë na qëndrojnë pranë, sikur edhe tani dhe ne gjithsesi do të jemi pandërprerë të përbashkët me ta dhe me stërvitjet që u mbajtën në Shqipëri të organizuara nga NATO, edhe Kosova ishte pjesë e atyre stërvitjeve, që shumë nga ushtritë e shteteve të Ballkanit nuk ishin të pranishme në ato stërvitje”, ka deklaruar eksperti Tërnava.

Eksperti Tërnava i ka vlerësuar tejet lartë stërvitjet e fundit, dhe ka thënë se kjo është edhe një dëshmi e pjekurisë së Ushtrisë së Kosovës.

“Kjo është një dëshmi e pjekurisë së ushtrisë tonë, nga Ministria e Mbrojtjes e në bashkëveprim me SHBA-në e ushtarët e FSK-së kanë marrë pjesë në stërvitjen më të madhe ushtarake amerikane ‘Defender 21’ të mbajtura në Gjakovë, ku presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti vlerësuan lart ushtrinë e Kosovës dhe thanë se është e gatshme për mbrojtjen e territorit të Kosovës dhe se themelet e shtetit qëndrojnë të forta dhe askush nuk mund t’i lëkund. Dhe me këto vlerësime dhe stërvitjeve të njëpasnjëshme që ushtria e jonë po i zhvillon me ushtrinë e NATO-s, besohet se së shpejti do t’i bashkëngjitet këtij pakti të NATO-s si anëtare e rregullt e saj”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo stërvitje në vendin tonë, me miqtë tanë, më me të fortin e botës, është dëshmi e fortë se ata po na qëndrojnë gjithmonë pranë.

“Falë atyre tani jemi këta që jemi, sepse së paku ata e kanë armatimin më të sofistikuara-avancuar në botë, dhe ushtarët tonë në këto stërvitje do ta kenë rastin që t’i arrijnë përvojat e tyre me këto stërvitje, dhe teknika aq të zhvilluara e të zbuluara të kohës, që shumë nga ushtritë e shteteve të shumta e sidomos të Ballkanit as që kanë pasur rastin t’i kenë në duart e tyre ato teknika të armatimit të përsosura të tanishme të kohës, dhe as që dinë të manipulojnë apo t’i përdorin ato, prandaj, kjo provoj dhe eksperiencë e arritur tani me këto stërvitje, gjithsesi se është një mësim i fortë për ushtrinë tonë, e sidomos në bashkëveprim të stërvitjeve me ushtrinë më të fortë të botes sikur që është ajo e SHBA-ve”, ka shtuar me tej njohësi i çështjeve të sigurisë.

Tërnava gjithashtu ka bërë thirrje për krerët e vendit se çdoherë duhet t’i qëndrojnë pranë shtetit mik të Amerikës, pasi këta të fundit janë gjendur pranë Kosovës në momentet më të vështira.

“Prandaj ne duhet gjithnjë të jemi të afërt dhe kontribuues ndaj shtetit mik të Amerikës, sepse edhe sipas përvojave të deritashme ky shtet na ka qëndruar në ditët më të vështira pranë, dhe me veprimet e asaj ushtrie të tyre të fortë i ka sakrifikuar edhe djemtë e tyre për çlirimin e Kosovës, prandaj kjo miqësi duhet të mbetet e përhershme, dhe Kosova duhet çfarë të kërkohet nga ajo, të bëjë të pamundurën për me ua kthye borxhin dhe ta tregojnë miqësinë e sinqertë dhe të përhershme ndaj Amerikës”, ka theksuar eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Mehmeti: Ky është një paralajmërim për Rusinë dhe Serbinë

Image
Faton Mehmeti

Kurse, nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se stërvitjet e fundit dëshmojnë angazhimin e madh të SHBA-ve që kanë për Kosovën.

“Me stërvitjen e përbashkët u dëshmua angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën si një paralajmërim për Rusinë dhe Serbinë se Kosova nuk është vetëm. SHBA me stërvitjen në Shqipëri dhe Kosovë po dëshmon mbështetjen për shqiptarët, për të ardhmen e tyre të sigurt”, ka deklaruar analisti politik, Faton Mehmeti.

Krejt në fund, ai ka nënvizuar se pas 12 qershorit, stërvitjet e fundit të mbajtura në Gjakovë janë tmerri më i madh për armiqtë e shqiptarëve.

“Administrata Biden me stërvitjen e përbashkët përçoi mesazh të hapur tek të gjithë ata që mendojnë të frikësojnë shqiptarët, Amerika është me shqiptarët. Kjo stërvitje është privilegj për FSK-në, një ushtri e cila ka krah saj ushtrinë më të fortë në botë. Forca e Sigurisë së Kosovës duhet ndërtohet sipas modelit amerikan, si garanci për stabilitetin e rajonit. Pas 12 qershorit kur NATO-ja hyri në Kosovë, kjo stërvitje është tmerri më i madh për armiqtë e shqiptarëve”, ka thënë krejt në fund, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat