Mos përfshirja e SHBA-vë në dialogun me Serbinë, ja çfarë paralajmërohet se mund të ndodhë me Kosovën

Politika

Mos përfshirja e SHBA-vë në dialogun me Serbinë, ja çfarë paralajmërohet se mund të ndodhë me Kosovën

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 4 qershor 2021 Në ora: 08:27
Mirosllav Lajçak, Albin Kurti, Matthew Palmer

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer, ka thënë se SHBA-të e mbështesin fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi dhe se do të jenë partner në dialog por nuk do të jenë palë ne bisedime. Së fundmi opozita kishte kërkuar nga Kurti që të kërkojë përfshirjen e SHBA-ve direkt në dialog derisa tani Palmer ka konfirmuar se nuk do të jenë.

Edhe pak ka mbetur deri te rinisja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky dialog do të jetë “nën vëzhgimin” e Bashkimit Evropian.

Përkundër, që më herët në dialog ishte e përshirë SHBA-ja, nëpërmjet ish të dërguarit për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, kësaj radhe një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Këtë e ka konfirmuar zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Mattheë Palmer, në një konferencë për media, e cila u zhvillua në Prishtinë këtë të martë.

“ShBA e mbështet fuqishëm dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovë. Qëllimi i dialogut është normalizimi i plotë i marrëdhënieve. Vendet t’i lejnë pjesët e së kaluarës dhe t’i hapin rrugëtimin për anëtarësim si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën në BE. ShBA nuk është palë në procesin e dialogut, por jemi partner në këtë proces dhe jemi të përfshirë në mënyrë aktive duke punuar edhe me Beogradin dhe Prishtinën. Duke punuar së bashku me Miro Lajçak dhe ekipin e tij në mbështetje për arritjen e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve”, ka deklaruar Palmer në një konferencë për media.

Ndërkaq, në Kosovë është kërkuar nga opozita përfshirja e SHBA-vë. Kërkesë të cilën e kanë përkrahur edhe qytetarët, kurse analistët kërkojnë që Qeveria e Kosovës së bashku me pozitën të dalin më një kërkesë të përbashkët për përfshirjen e shtetit mik në dialog.

Deklarata e Palmer mesazh për Lajçakun?

Profesori, Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar kërkesën për përfshirjen e SHBA-ve në dialog.

Image
Sulejman Mehazi

“Kërkesa e opozitës që SHBA-ja të përfshihet direkt në dialog me Serbinë nuk është dëshirë e Hoxhajt, Haradinaj, por është dëshirë e të  gjithë qytetarëve shqiptarë ane e kënd botës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Duke komentuar deklaratën e Palmer-it, Mehazi thekson se kjo do të thotë se SHBA-ja gjatë dialogut do luajë rol kryesor së bashku me BE-në.

“Vetë deklarata e Zevendësndihmës Sekretarit Amerikan, Matthew Palmer, që tha, "se SHBA-ja mbështet fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi, po nuk do përfshihet direkt, por do jenë të koordinuar me BE-në dhe se nuk do jenë palë në bisedime", përkundrazi tregon se SHBA-ja gjatë dialogut do luajë rol kryesor së bashku me BE-në, fjalori diplomatik i z. Palmerit shpreh se SHBA-ja përfundimisht ka vendosur që dialogu i stërzgjatur Kosovë-Serbi të marrë fund me njohje reciproke të dy shteteve fqinje, është normale se palë dialoguese e bisedimeve nuk mund të jetë SHBA-ja e BE-ja, por Kosova me Serbinë”, ka shpjeguar profesori.

Mehazi e sheh deklaratën e Palmer-it si mesazh për Lajçakun, pasi në këtë mënyrë e ka bërë inferior përfaqësuesin e BE-së për dialogun.

“Ardhja e Palmerit dhe deklarata e tij, se gjatë dialogut, SHBA-ja "do të jetë në koordinim me BE-në", bëri inferior jo vetëm Vuçiqin, por edhe përfaqësuesin e BE-se Lajçakun, i cili me lëvizjet e tij dialoguese të dirigjuar nga BE-ja e pabesë anon nga Serbia, pra shpresë e përfundimit të dialogut Kosovë-Serbi deri në njohje reciproke do vije nga SHBA-ja e shumë më pak nga BE-ja e neveritshme”, ka vlerësuar  Mehazi për “Bota sot”.

Qarri: Pozita dhe opozita më kërkesë të përbashkët për dialogun

Ndërkaq, analisti politik, Gani Qarri, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka theksuar se përkundër që Palmer e ka konfirmuar mos përfshirjen në dialog, Qeveria Kurti duhet të insistojë që SHBA-të të përfshihen në dialog.

Image
Gani Qarri

“Realisht edhe para se Palmer ta vizitonte Kosovën, opozita kishte kërkuar nga kryeministri Kurti që të kërkojë përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-ve në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer, me rastin e vizitës që i bëri Kosovës, deklaroi se SHBA-të e mbështesin fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi dhe do të jenë partner në këtë dialog, por  jo edhe palë e përfshirë drejtpërsëdrejti në bisedime. Përkundër deklaratës së Palmerit, duke pasur parasysh faktin se ish udhëheqësit renegat të Kosovës, si Hashim Thaçi e Isa Mustafa, e kanë degjeneruar aq shumë dialogun, sa që një pjesë të marrëveshjeve të fshehta të Thaçit me Vuçiqin të cilat mund të jenë shumë të dëmshme për Kosovën, ende as që janë të njohura për publikun, Qeveria Kurti duhet të insistojë në çdo mënyrë, që SHBA-të, gjithsesi të përfshihen në dialog, pa pjesëmarrjen e të cilave kryeministri e ka të pamundshme, që i vetëm ta nxjerrë nga gremina ku e kanë futur Thaçi dhe Mustafa Kosovën”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Më tej, Qarri ka kritikuar dy ish kryeministrat e Kosovës, Mustafën dhe Thaçin për mënyrën se si kanë dialoguar me Serbinë.

“Për aq më tepër, Hashim Thaçi qysh në fillim të dialogut me Serbinë, përkundër investimeve tepër të mëdha të SHBA-ve, për ngritjen e shtetit tonë, ndërtimin e tij dhe vulosjen e pavarësisë përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si organi më i lartë juridik i OKB-së, pa kaluar as një vit nga vendimi i legjitimimit të pavarësisë së Kosovës nga kjo Gjykatë, kuislingu Thaçi i vendosi fusnotën Republikës së Kosovës duke e degjeneruar statusin e saj dhe kthyer Kosovën në krahinë të Serbisë, pa asnjë konsultim paraprak me këtë vend të madh mik dhe sponsorizues të çlirimit e shtetndërtimit tonë”, ka vlerësuar ai.

Gjithashtu, ai ka treguar se e kanë të vështirë SHBA-të që të jenë pjesë të dialogut Kosovë-Serbi.

“Ndaj duke qenë se, në kundërshtim me BE-në e cila ende mbanë qëndrim neutral ndaj statusit të vendit tonë, SHBA-të që nga dita e parë e shpalljes së pavarësisë e njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe jo si krahinë të Serbisë, pas gjithë atyre që kanë ditur Thaçi & Co ti bëjnë vendit të vet, SHBA e kanë pothuajse të pamundur që nën këto kushte bizare, të jenë ndërmjetësues dhe palë në bisedime me Serbinë”, ka thënë Qarri.

Po ashtu, ai ka theksuar se Qeveria e re duhet tu bashkohet thirrjeve të opozitës që SHBA-të të përfshihen drejtpërsëdrejti në dialog.

“Megjithatë duke ditur faktin e trishtë se Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, jo vetëm që e kanë degjeneruar tërësisht dialogun, por kanë rrezikuar rëndë edhe rregullimin e brendshëm shtetëror të Kosovës me nënshkrimin e dyfishtë të marrëveshjes kuislingë për krijimin e asociacionit një etnik serb, me kompetenca ekzekutive, që nënkupton krijimin e shtetit në shtet, gjë që e ka hedhur poshtë edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, kanë vënë në pikëpyetje edhe tërësinë territoriale të vendit, si dhe vazhdimësinë e shtetësisë së Kosovës,  Qeveria e re duhet tu bashkohet thirrjeve të opozitës dhe të dalin me një  kërkesë të përbashkët e unike, që SHBA gjithsesi të involvohet drejtpërsëdrejti në dialog, në mënyrë që Kosova, të dal nga këto vështirësi dhe marrëveshja të përfundojë me njohje reciproke, pa ndarje dhe pa republika Srpska brenda territorit të saj”, ka Qarri për “Bota sot”.

Ai ka treguar se çfarë mund të ndodhë nëse nuk përshihet SHBA-ja në dialog.

“Përndryshe nëse vërtetë SHBA nuk përfshihet në dialog, i cili pritet të rifilloi nga gjysma e qershorit, duke ditur paraprakisht, pretendimet e hapura territoriale dhe këmbënguljet e Vuçiqit për infiltrimin e Serbisë në Kosovë, përmes krijimit të ndonjë ngrehine të llojit të Republika Srpska,  si “Zajednica” edhe në Kosovë, njëjtë si në Bosnje, që është vetëm hapi paraprijës për ndarjen përfundimtare të Kosovës, sipas marrëveshjeve të fshehta Thaçi, Rama, Vuçiqi, nuk presë kurrfarë suksesi as përafrim të qëndrimeve ndërmjet të dy vendeve, në këto bisedime, pasi që edhe vet krimineli Aleksandër Vuçiq, çdo ditë deklaron publikisht, se përderisa të jetë ai president i Serbisë, kurrë nuk do ta njohë pavarësinë Kosovës, gjë që ia humb kuptimin edhe rifillimit të dialogut nën këto kushte hipokrizie, me këtë shtet ish okupator dhe hegjemonist”, ka përfunduar Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat