Ajo që nuk u pa në Bruksel/ Kjo është sfida që e pret Albin Kurtin, ja çka e dallon nga paraardhësit e tij

Politika

Ajo që nuk u pa në Bruksel/ Kjo është sfida që e pret Albin Kurtin, ja çka e dallon nga paraardhësit e tij

Nga: P.R Më: 16 qershor 2021 Në ora: 21:13
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në takimin e djeshëm në Bruksel

Gjatë takimit të djeshëm në Bruksel, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq shprehën qëndrime të kundërta lidhur me dialogun mes dy vendeve.

Në takim e tyre “kokë më kokë”, Kurti paraqiti katër propozime që çojnë përpara dialogun, kurse Vuçiq, deklaroi se delegacioni i Kosovës kishte shkuar që të mos pajtoheshin për asgjë.

E për ta analizuar takimin e djeshëm dhe rrjedhën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, për gazetën “Bota sot” ka folur Drejtori Ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha.

Shasha ka treguar arsyet pse takimi i djeshëm në Bruksel ishte si suksesshëm.

“Konsideroj se takimi ishte i suksesshëm pasi që dy palët janë takuar dhe kanë nisur ciklin e ri të takimeve në kuadër të dialogut. Pra, takimi në vetvete është sukses. Nga ana tjetër, ajo çfarë pamë dje është konfrontimi i dy qasjeve radikalisht të ndryshme në dialogun. Një qasje është ajo e Presidentit Vuçiq i cili ka ardhur në takim me qëllim të vazhdimit të dialogut dhe diskutimit të idejeve ekzistuese, ndërsa qasja tjetër është ajo e Kryeministrit Kurti i cili e konsideron këtë një dialog të ri në kuadër të cilit duhet diskutuar idetë e reja, sikur ato që i prezantoj ai sot”, thotë Shasha.

Sipas tij, Kosova për herë të parë paraqiti propozime të reja, të cilat mund ta ndihmojnë procesin e dialogut.

Image
Demush Shasha

“Në përgjithësi duhet vlerësuar lartë faktin se për herë të parë Kosova është duke qenë proaktive në kuadër të dialogut, duke ofruar tema të reja, duke përcaktuar agjendën e diskutimit dhe duke tentuar të jap formën dhe drejtimin e dialogut”, thekson Shasha.

Më tej, Shasha thotë se katër propozimet e kryeministrit Kurti paraqesin një risi në kuadër të dialogut.

“Dje Kryeministri Kurti ka propozuar 4 ide të reja për vazhdimin e dialogut: Nga CEFTA në SEFTA; Marrëveshja e paqes; Reciprocitet në të drejtat e pakicave: Këshilli Nacional për Serbët në Kosovë; Për çështjen e të pagjeturve, të largohet Veljko Odaloviq. Pra të gjitha këto janë ide të reja të cilat paraqesin një risi në kuadër të dialogut dhe ngritin një debat legjitim: përse të mos adresohet çështja e drejtave të serbëve në Kosovë brenda një Këshilli Nacional sikur në Serbi, dhe jo përmes Asociacionit? Pra është pyetje legjitime”, shton Demush Shasha për gazetën “Bota sot”.

Shasha tregon se cila është sfida që e pret kryeministrin Kurti pas takimit të djeshëm me Vuçiqin.

“Sidoqoftë, bindja e partnerëve tonë ndërkombëtar për ndryshimin e diskursit të dialogut do jetë shumë sfiduese, pasi që SHBA dhe BE kanë investuar për 10 vite në këtë dialog, rrjedhimisht ata presin një vazhdimësi të dialogut. Dhe këtu pra Kryeministri Kurti do këtë sfidën: të bind aleat tone perëndimor për një dialog tjetër nga ai se si është zhvilluar deri më sot. Nuk është e pamundur, por nuk është e lehtë”.

Por çka e dallon kryeministrin Albin Kurti nga paraardhësit e tij sipas Shashës?

“E para, Kryeministri Kurti ka një legjitimet politik të paprecedent në historinë politike të Kosovës. Kjo e vendos atë në një pozitë avantazhi në kuadër të dialogut. Me legjitimitet të këtillë politik Kryeministri Kurti do e këtë mundësinë që të imponoj rrjedhjen e dialogut. E dyta, që nga fillimi po shohim një transparencë më të madhe sa i përket dialogut. Pra, pas çdo raundi takimesh Kryeministri Kurti po takon liderët politik duke i njoftuar për diskutimet e zhvilluara, ndërsa ZvKM Bislimi po dorëzon çdo herë raport me shkrim për të gjitha palët kyçe për ti mbajtur të informuara për rrjedhjen e bisedimeve. Po ashtu, qeveria bëri publik raportin e qeverisë së kaluar sa i përket dialogut. Këtë praktikë nuk kemi parë më parë. E treta, po shofim një qasje më parimore në kuadër të dialogut, ku Kryeministri Kurti është duke i bërë të ditura në mënyre koherente dhe transparente kërkesat e palës së Kosovës, qofshin ato të lidhur me personat e pagjetur, qofshin ato të lidhura për bashkëpunimin më të afërt rajonal”, shprehet Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha për “Bota sot”.

Për fund, Shasha dialogun Kosovë-Serbi e presin dy hapa pas takimit të djeshëm në Bruksel.

“Tani para vetës kemi dy hapa të cilat janë bërë publik pas takimit të djeshëm. E para do këtë një raund të takimeve teknike në fillim korrikut. E dyta, ky raund teknik do të përgatit takimin e radhës politik që do mbahet në fund të korrikut. Kosova nga ana tjetër duhet të vazhdoj të kultivoj një konsensus të brendshëm shoqëror dhe politik për perspektiven e dialogut me Serbinë”, përfundon për gaztën “Bota sot”, Drejtori Ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat