Rënia e furishme pas ‘tërmetit’ në PDK: Çfarë imponuan krerët e SHIK-ut?

Politika

Rënia e furishme pas ‘tërmetit’ në PDK: Çfarë imponuan krerët e SHIK-ut?

Nga: N.Sh Më: 26 qershor 2021 Në ora: 15:41
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Njëri prej themeluesve të LPK-së, dr. Sadri Ramabaja ka folur për krijimin e PDK-së dhe rënien e saj pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Ramabaja thotë se, Kuvendi i fundit i LPK-së i mbajtur në Prizren në fund qershorin e vitit 1999, shënon fundin e kësaj Lëvizje si e tillë dhe fillimin e themelimit të Partisë për Bashkim Demokratik, e cila më vonë ndërroi emrin në Partia e Progresit Demokratik dhe së fundmi në Partia Demokratike e Kosovës.

Kryesia e partisë që rezultoi me këtë transformim të LPK-së, Ramabaja thotë se, “ashtu siç nuk ia kishte dalë ta shmangë komplotin brenda LPK-së, nuk do t’ia dalë dot ta ruaj PBD si trashëgimtare legjitime e LPK-së dhe përmes një të ashtuquajture “marrëveshjeje” me Drejtorinë Politike të UÇK-së, do t’ia dorëzojë atë drejtuesve të saj, respektivisht Hashim Thaçit”.

“Trupi elektoral i zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 arriti ta shndërrojë Kosovën si për LDK-në edhe për PDK-në në një tip shtrati të Prokrustit. “Tërmeti” politik që preku gjithandej Kosovën, bëri që këto dy forca tok, të pësojnë tronditje të thellë. Xhuxhëria e tyre, shih për këtë, ndërkohë është shndërruar në makth”, thotë Ramabaja.

Ai thekson se, dje kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ushtruesi i detyrës së kryetarit bën publik dorëheqjen deri në konventën e radhës.

“I vetmi organ që funksionon aktualisht është grupi punues, i cili merret me përgatitjet e Konventës. Konventa është paralajmëruar për 3 korrik. Përplasjet brenda klaneve kanë krijuar tensione të larta dhe të pakontrollueshme. Konventa e 3 korrikut, duket se do të jetë prologu i fundit të PDK-së. Në Kosovën e pasluftës komplotistët që ju imponuan UÇK-së si udhëheqje politike, gradualisht kanë imponuar mendimin se, sa më i ashpër e brutal të jesh me oponentët politikë, aq më i dobishëm do të jesh për Shtetin, rrjedhimisht aq më atdhetar do të jesh!”, pohon ai.

Ramabaja thotë se, ky ishte kriteri më absurd i tyre që për pasojë u panë simptomat e degjenerimit të saj.

Ai shprehet tutje se përfundimi i saj është sikurse i bandave kriminale.

“Ky ishte kriteri më absurd që imponuan krerët e SHIK-ut alias PDK-së, ndërkaq për pasojë, që me uzurpimin e Partisë nga Drejtoria Politike e UÇK-së, u panë simptomat e degjenerimit të saj nga një parti apolitike e orientimit të majtë, jo në një parti të mirëfilltë të të djathtës së qendrës, siç u proklamua, por në një bandë që do të drejtohej nga olhokratët. Përfundimi i saj, nuk mund të ketë fat tjetër, përveç atij të bandave kriminale”, pohon ai.

Por, ky fund, sipas tij, assesi nuk duhet konsideruar edhe si fundi i së majtës progresive të cilës i patën hedhë themelet treshja e njohur tashmë: “Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla dhe Ibrahim Kelmendi më 17 janarit 1982. Përkundrazi, trashëgimia pozitive e saj, krejt natyrshëm, në cilësinë jo vetëm të traditës pozitive, tashmë është brenda Lëvizjes Vetëvendosje”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat