Shpresë për drejtësi/ Dënimi i kriminelit Vuktoiq mund të rritet, si të veprohet me rastet tjera

Politika

Shpresë për drejtësi/ Dënimi i kriminelit Vuktoiq mund të rritet, si të veprohet me rastet tjera

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 6 korrik 2021 Në ora: 21:32
Seanca

Gjatë ditës së hënë Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me dhjetë vjet burgim, Zoran Vukotiqin, për krime lufte kundër popullatës civile, përkatësisht dhunim seksual ndaj gruaje shqiptare në komunën e Vushtrrisë.

Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë në Kosovë, nga gjykatat vendore dhe padyshim që është i shoqëruar me reagime të mëdha si nga ato vendore, ashtu edhe ndërkombëtare.

Menjëherë pas dënimit për kriminelin serb, QKRMT reagoi duke thënë se “edhe pse drejtësi e vonuar, kjo ditë shënon një moment kthese dhe shprese, jo vetëm për viktimën që njohu përdhunuesin dhe dëshmoi kundër tij, por për të gjithë të mbijetuarit tjerë, që një ditë drejtësia do të vihet në vend”.

Mirëpo, ajo se çfarë mori vëmendjen pas dënimit ishte rrëfimi që viktima bëri, duke treguar në detaje se si ka rrjedhur ngjarja dhe si e ka përjetuar ajo, shkruan “Bota sot”.

Ajo tregon ankthin që kishte përjetuar shumë kohë pas aktit që krimineli kishte kryer duke shtuar që ka dëshiruar edhe vdekjen e saj.

Në rrëfim ajo tregon që ka humbur edhe binjakët e saj në muajin e shtatë të shtatzënisë.

Ky rrëfimi preku të gjithë ata që e lexuan e që reagimet filluan menjëherë, duke e parë këtë dënim si shpresë për tu dënuar krimet e tjera, megjithëse dënimi nuk ishte i lartë.

Gjithashtu, për dënimin e Vukotiqin kanë shkruar edhe mediat ndërkombëtare, derisa e kanë cilësuar një hap shumë të rëndësishëm për vendin.

Ndër të tjera, QKRMT në konferencë më media thanë se do të ankohen për të rritur dënimin e Vukotiqit.

E në lidhje me këtë temë për “Bota sot”, kanë folur juristët, të cilët këtë dënim e shohin si kthesë të rëndësishme për vendin mirëpo njëkohësisht presin që të dënohen edhe kriminelët e tjerë.

Gashi: Dënimi për Vukotiqin është i vogël

Avokati Tomë Gashi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se Vukotiç është dënuar për veprën penale që ka kryer gjatë luftës dhe se për veprën dhunim seksual nuk është hera e parë të cilën akuzohet dikush mirëpo që është hera e parë që po dënohet.

Image
Tomë Gashi

 

“Zoran Vukotiç është dënuar për veprën penale të krimeve të luftës dhe atë duke kryer dhunë seksuale gjatë luftës ndaj një gruaje shqiptare. Dhunimi seksual si krim i luftës nuk është hera e parë për të cilin dikush akuzohet. Por është hera e parë që dikush dënohet”, u shpreh ai.

Por avokati shton se ky dënim është shumë i vogël për një krim të tillë.

“Mirëpo mendoj se dënimi është shumë i vogël sepse dhunimet janë përdorë nga serbët si formë e krimeve të luftës”, përfundoi Gashi për “Bota sot”.

Koci: Jo vetëm Vukotiq por asnjë kriminel serb nuk do të fle i qetë

Ndërsa, avokati Arianit Koci u shpreh se dënimi që Vukotiç mori gjatë ditës së djeshme është i pari i natyrës së tillë mirëpo që pas saj asnjë kriminel serbë nuk do të fle i qetë.

Image
Arianit Koci

“Zoran Vukotiq, dje nga ana e gjykatës të Kosovës u dënua me 10 vjet burgim, për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovës. Ky është dënimi i parë i natyrës së tillë. Prej sot, asnjë kriminel serb nuk do të flejë i qetë”, u shpreh avokati.

Koci nuk përjashton mundësinë që i njëjti nuk mund të dënohet prap ëedhe më shumë dhe se ajo se çfarë duhet ne të bëjmë është të mbledhim informata për krimet e tjera që ky person ka bërë dhe t’ia dorëzojmë prokurorisë.

“Fakti që është dënuar me 10 vite burgim, nuk do të thotë që nuk do të dënohet prapë - edhe me shumë, nëse i vërtetohet fajësia edhe për krime tjera - ashtu siç iu vërtetua për dhunim. Prandaj, krejt çka duhet është që veprojmë: kushdo që ka informata për krimet tjera eventuale që i ka kryer ky person, le të shkojë menjëherë në prokurori”, ka deklaruar avokati Arianit Koci.

Shala: Rasti i Vukotiqit mund të drejtohet në Gjykatën e Apelit

Kurse, Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se ky aktgjykim nuk është i përpiluar në shkrim dhe se i njëjti mund t’i drejtohet Gjykatës së Apelit.

Image
Gëzim Shala

Ndërsa, sa i përket dhunimeve ai thotë se gjykimi i këtyre veprave penale është proces i vështirë por jo i pamundur.

“Sa i përket rastit konkret, fillimisht duhet të theksojmë faktin se ende nuk është përpiluar aktgjykimi me shkrim, në të cilin aktgjykim janë të paraqitura edhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese që gjykata ka marrë për bazë në këtë rast. Po ashtu, ky rast ende nuk është i formës së prerë, dhe mund të apelohet edhe në Gjykatën e Apelit. Sa i përket dhunimeve dhe krimeve të tjera të kryera gjatë luftës, mbi 20 vite pas, hetimi dhe gjykimi i këtyre veprave penale tanimë është shumë më i vështirë, ndonëse jo i pamundur”, tha ai.

Në fund, Shala përmend edhe numrin aktual të prokurorëve për krime lufte e që të njëjtit nuk paraqesin garancë për vendosjen e rasteve të krimeve të luftës.

Prandaj, sipas tij duhet të investohet në Prokurorinë Speciale të Kosovës e cila është adresa e vetme për hetimin e krimeve të luftës.

“Numri aktual i prokurorëve për krime lufte në këtë prokurori, nuk paraqet garancë për vendosjen e drejtësisë në rastet e krimeve të luftës. Me qëllim të ngritjes së efikasitetit në drejtim të vendosjes së drejtësisë në këtë fushë, e rëndësishme është që të investohet në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila është adresa e vetme për hetimin e krimeve të luftës”, përfundoi Shala për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat