Edi Rama keq me Kurtin, e mirë me Vuçiqin! 

Politika

Edi Rama keq me Kurtin, e mirë me Vuçiqin! 

Arife Morina Nga Arife Morina Më 10 korrik 2021 Në ora: 08:32
Albin Kurti, Edi Rama

Dihet tashmë që marrëdhëniet e kryeministrave shqiptarë, Albin Kurti dhe Edi Rama nuk janë në nivelin më të mirë të mundshëm.

Një nga arsyet e ‘përçarjes’ së raporteve Kurti-Rama, po del të jetë ideja për formimin e Minishengenit Ballkanik, të cilin në mënyrë kategorike e kundërshton kryeministri i Kosovës.

Derisa, njëjtë si kryeministri Kurti, nuk mendon kryeministri Rama, i cili po bashkëpunon fuqishëm me Serbinë, presidentin Aleksandër Vuçiq dhe Maqedoninë, kryeministrin Zoran Zaev.

Kryeministri Albin Kurti gjatë Samitit të Berlinit, ia bëri edhe njëherë të qartë kryeministrit Edi Rama që nuk e mbështet idenë e tij për Minishengenin Ballkanik.

Gjatë këtij samiti, Kuri deklaroi se vendi i tij është plotësisht i përkushtuar për bashkëpunim rajonal dhe integrim ekonomik, por nuk e mbështeti idenë e Minishengenit që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po promovon prej kohësh. 

Për kryeministrin e Kosovës zgjidhje do të ishte një Marrëveshje e Tregtisë së Lirë për Evropën Juglindore bazuar në modelin EFTA – EEA që do të lartësonte të gjithë rajonin dhe do të kapërcente pengesat aktuale. 

“Ne shpresojmë që Komisioni Evropian do ta konsiderojë seriozisht këtë propozim dhe të fillojë një dialog që do të çonte në rezultate konkrete”, përfundoi z. Kurti.

Analistët politik në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot” e mbështeten fuqishëm kryeministrin Albin Kurti, derisa e kritikuan kryeministrin Edi Rama për afërsinë e tij me Serbinë.

Mehazi: Minishengenin që e prezanton Edi Rama është djallëzor! 

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi këto mospajtime në mes kryeministrave shqiptarë, Albin Kurti dhe Edi Rama, për krijimin e Minishengenit Ballkanik.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas tij, ideja e Minishengenit që po e prezanton kryeministri Rama është djallëzor për qeverinë e ndershme të Kosovës dhe qeverive të shteteve fqinje të Serbisë.

“Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në Samitin e Berlinit ua bëri me dije liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së se Minishengenin që e prezanton Edi Rama është djallëzore jo vetëm kundër qeverisë së ndershme të Kosovës, por edhe kundër qeverive të shteteve fqinje me Serbinë, dhe se qëllimi i Minishengenit është bashkimi i shteteve të korruptuara ballkanike për të promovuar vlera kriminale të bizneseve të zeza”, deklaroi profesori.

Mehazi e sheh si të palogjikshëm faktin se si Edi Rama kundërshton qëndrimet e kryeministrit Kurti, derisa përkrah qëndrimet e qeverisë serbe, përkatësisht të presidentit Aleksandër Vuçiq. Madje, ai u shpreh se kryeministri i Shqipërisë me idenë e Minishengenit më së shumti e dëmton Kosovën. 

“Absurditeti më i madh i Edi Ramës është të mohojë qëndrimet e logjikshme antishengeniane të Albin Kurtit e të përkrahë pasardhësit gjenocidial të qeverisë serbe që nuk përkrahet nga askush përveç nga Edi Rama. Pikësëpari është turp kombëtar për vet Ramën që të mospërfill thëniet e kryeministrit të Kosovës në Samitin e Berlinit që tha, se pajtohet për bashkëpunim rajonal dhe integrim ekonomik, por nuk pajtohet me idenë e Minishengenit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramën, që më së shumti dëmton Republikën e Kosovës”, theksoi ai.

Në vazhdim, profesori tha se ideja e Minishengenit do të mund të zbatohej vetëm nëse nga ajo do të shkëputej Serbia. Pasi në këto formë me përkrahjen e Vuçiqit dhe kundërshtimin e Kurtit, Rama po përkrah fuqishëm armiqtë e Kosovës, Serbinë. 

“Po, do ishte i realizueshëm ideja e minishengenit, ama, sikur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama të shkëputej nga Serbia e të lidhej me shtetet rajonale të Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë e Kosovës, pse jo dhe me grekë, bullgarë e kroatë të BE-së, me këtë ide Serbia e Vuçiqit do mbetej si dele e zeze apo si egërsirë shtetërore jashtë këtyre shteteve minishengeniane ballkanike. Të përkrahet Serbia e të lihet anësh ideja e Albin Kurtit kundër minishengenit serb e ka kuptimin e përkrahjes së Serbisë gjenocidiale ndaj Kosovës. Me minishengenin Edi Rama përkrah fuqishëm armiqtë e Republikës së Kosovës, Serbinë”, nënvizoi Mehazi.

Tutje, ai tha se presidenti serb Vuçiq dhe kryeministri Rama për inat të kryeministrit Kurti po mundohen ta formojnë me çdo kusht Minishengenin Ballkanik. 

“Minishengeni i  propozuar nga kryetari i Serbisë Vuçiq dhe në përkrahjen fanatike të Edi Ramës është për inat të  Kurtit dhe qytetarëve shqiptarë të Kosovës. Është e pa kuptueshme dhe e pa logjikshme që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama të pajtohet me Minishengenin e Serbisë duke e ditur se armiqtë më të mëdhenj të Kosovës janë serbët në krye me kryetarin Vuçiq”, potencoi profesori. 

Në fund, ai Minishengenin e përkufizoi si bashkim i terrorizmit politik, ekonomik, tregtar e narkotike të dy kriminelëve ballkanik Vuçiq e Rama.

“Minishengeni s'është gjë tjetër përveç bashkim i terrorizmit politik, ekonomik, tregtar e narkotik të dy kriminelëve ballkanik Vuçiq e Rama që nuk do favorizohet nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, do jetë i vdekur para se të lind”, përfundoi Sulejman Mehazi.

Bytyçi: Serbia historikisht ka zbatuar maksimën “dividio de iperio” –  “e ndarë nga perandoria” 

Ndërsa, analisti tjetër politik, Adem Bytyçi e kundërshtoi afërsinë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me shtetin serb.

Image
Adem Bytyçi

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” e mbështeti kryeministrin Albin Kurti në kundërshtimin e tij për Minishengenin Ballkanik, pasi sipas tij kjo është në interes të Serbisë.

“Edi Rama, nuk do duhej të formonte aq thellë miqësinë dhe bashkëpunimin me shtetin antishqiptar Serbinë, pa e pranuar Serbia shtetësinë e Kosovës. Minishengeni Ballkanik është në interes të Serbisë e në dëm të së ardhmes evropiane të Kosovës, prandaj z.Kurti, me të drejtë e ka kundërshtuar Minishengenin Ballkanik Rama- Vuçiq”, deklaroi analisti.

Sipas Bytyçit, përmes Minishengenit Ballkanik po tentojnë t’i hakmerren Bashkimit Evropian, për shkak se nuk po i pranon në ‘ombrellën’ e saj, shtetet e rajonit dhe Shqipërinë. 

“Ideja e Edi Ramës për Minishengenin Ballkanik si një mënyrë e organizimit të bashkëpunimit ekonomik në mes 6 shteteve të rajonit është hakmarrje ndaj BE-së, për shkak se Evropa nuk po i pranon shtetet e rajonit dhe Shqipërinë pa i përmbushur standardet evropiane”, theksoi ai. 

Në fund, analisti potencoi se marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri mund të acarohen për shkak se Rama dhe Kurti nuk kanë mendime të ngjashme për të ardhmen e Kosovë në raport me Serbinë.

Madje, ai miqësinë e Ramës me Vuçiqin e cilësoi si ‘miqësi të sëmurë’. 

“Nuk mendoj se Minishengeni Ballkanik mund të jetë mollë sherri në acarimin e raporteve Kosovë - Shqipëri, sepse edhe ashtu këto marrëdhënie nuk janë në nivelin në të cilin do duhej të ishin për shkak se Rama dhe Kurti nuk kanë mendime të ngjashme për të ardhmen e Kosovë në raport me Serbinë dhe për shkak të një miqësie të sëmur të Edi Ramës me Vuçiqin, presidentin aktual të Serbisë, edhe pse ky i fundit kategorikisht e mohon shtetësinë e Kosovës dhe gjenocidin serbe në luftën e fundit kundër popullatës shqiptare në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe”, përmbylli Adem Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat